Partizan Myftari /Morali i kompromisit

613
Sigal

Shpesh herë në kategorinë e interpretimeve zgjidhet mënyra e të shpjeguarit dhe koha e rrëfimit si një element stilistik jo vetëm për të bërë të pranishme atë për të cilën po flet, por edhe për t’i dhënë një mbushje emocionale…shkurt: një stërmundim klasik, një sitë të grisur mendimesh duke gënjyer veten se ke zgjedhur edhe miell të mirë… Duke qenë se prej vitesh politika në Shqipëri së bashku me batalione të verbërish, me skuadra opinionistësh e lista intelektualësh, ka dështuar, ka rrënuar shumë gjera, kërkojnë rrugë të reja daljesh: Janë hapur shumë fronte lufte (të kuptohemi luftë për pushtet) dhe gjithsecili në trajektoren e tij ka disa principe të zhveshura. Ata shfaqen të virgjër sepse nuk e njohin turpin, sepse e kanë përjashtuar kategorikisht mënyrën civile të të sjellurit me popullin. U mjaftojnë bandat (fshesa e hekurit e terrorit tinëzar) për të kapërcyer kufijtë e brishtë të njerëzve të ndershëm…Në universin e fjalëve asnjëherë nuk është e vështirë të tjerrësh e të tjerrësh si të krijosh një mit, por ai rrëzohet shpejt nga realiteti ku ti e hedh atë, ku e mëshiron sepse miti false nxjerr realitetin e personalitetit publik dhe raportin e tij në shumë variante kontradiktore…

Kjo vlen për shumë individë, por është më e theksuar tek dualizmi i kategorisë së njerëzve me pushtet. Të atyre që janë të sëmurë për të patur pushtet mbi të tjerët.

Në konceptin e tyre Morali i Kompromisit ka një Egoizëm të fuqisë së zgjidhjes së problemeve, të daljes nga situata, të dhënies së mendimeve – urdhra gjer në një lloj totalitarizmi, ku fillon dhe thyerja e personalitetit… Por ne jetojmë në një botë të dukshme si për moralin, për virtytin ashtu edhe për shtirjet, kurthet, intrigat dhe imoralitetin…

Vështirë të vendosen kufijtë përcaktues për termat e mirësjelljes dhe të moralit; të kuptimit, të mirëkuptimit dhe gjer tek hija, pika e fundit ku rrëzohet vet Morali i Kompromisit dhe nis të lartësohet Hija e Kompromisit pa Moral.

Në Shqipëri problemi themelor është mungesa morale e institucioneve politike (Partive) ku kjo zgjatet rëndom edhe tek institucionet juridike.

E para prodhon Moralin. E Dyta prodhon të drejtën….

Ku ngatërrohen udhët tona?! Cili parim u mungon partive që në mitin e institucionit Moral kanë një boshllëk të tmerrshëm mbi Virtytin Filozofik të modelimit të parimeve themelore rreth universit të së Drejtës?! Maxhoranca, kur merr pushtetin i heq këpucët e Moralit dhe djallëzisht me një perceptim totalitar kthehet në vulgaritetin e Pushtetit që e bën të pushojë funksionimin e tij…

Nis dhuna e forcës së kartonëve, dhuna e interesave mediokre, konkurrenca e pandershme në fushën ekonomike gjer tek blerja e Moralit në funksion të ekzistencës së një maxhorance që ka pushuar së ekzistuari sipas rregullave të premtuara… Pra s’ka më institucion, por superimi i tij nga një bandë – maxhorancë… Kjo nuk lind si një rrufe në qiell të kthjellët, por si vazhdimësi e grupimit politik pa ideal. Thjesht grupime perverse interesash të zhveshura nga Arsyeja Sociale dhe Universi i Mendimit Civil e Modern…Kjo është bërë tashmë një sëmundje e pashërueshme e patologjike tek PD e PS…

Partitë e vogla të rilindura prej egoizmit për pushtet nuk e kanë marr kurrë provimin e Moralit…. Mjafton të kujtoni se, si janë zgjedhur liderët e tyre, shtabet, komitetet drejtuese, e ku di unë se çfarë forumesh të tjera gëlojnë, bëjnë aleanca jo për ndryshim, por për pushtet?!

Mjafton përgjakja në 1997 e gjithë Shqipërisë, vrasja në mënyrë institucionale e katër protestuesve më 21 Janar degjeneroi Moralisht çfarë do lloj aleance….

Askush nuk iku!

Askush nuk dha dorëheqje!

Berisha kërcënoi jo si Kryeministër, por si një ordiner…nga salla e Parlamentit.

Ironi e fatit dikush e quajti “burrë shteti”…. Por maxhoranca që përgjaku bulevardin me qytetarët e vet “kokë palarë” e ruajti përsëri aleancën e kompromisit?!

Ku është Morali i Shtetit këtu?! (… sepse Pushteti vrau i pari.)

Ku është Morali i Politikës këtu?! (…sepse Politika i thirri qytetarët e vet kundër imoralitetit të pushtetit.)

Tani një pjesë e maxhorancës “alarmohet” për fatet e demokracisë dhe shndërrohet si një armë e fortë. Edhe më e fortë se vet Opozita këmbëshkurtër e këtyre viteve. Këto lëvizje të dyshimta, duke glorifikuar pa arsye Berishën, nuk kanë në thelb moralin e artit të kompromisit, por vulgaritetin e egoizmit për të patur pushtet. Arkaiku Berisha ka ndërtuar një skuadër ndoshta më armiqësorja me popullin e vet por ai sulmohet po me të njëjtën dhunë fjalori siç bën Berisha me Opozitën.

Një dualitet antivlerash.

Një mercenarizëm institucional i vazhdueshëm. Maxhoranca në aleanca turpi po këtë kopjon, opozita me supë maxhorance… Domosdoshmërisht sillen edhe këshillat e partnerëve europianë për kompromise….

Kur opozita shikon një dështim total të maxhorancës përse i duhej ky kompromis me LSI-në?!

Edhe votuesit e ndershëm të LSI-së, mendoj se do të votonin këtë opozitë edhe pa kompromisin…

Atëherë, ku fle lepuri i domosdoshmërisë së një aleati të tillë?!

Vërtet bashkimi bën fuqinë, por bashkimi i vlerave dhe jo kolektivizimi i ideve pa racionalitet, thjesht llogaritje matematikore për t’u shndërruar në një maxhorancë të ardhme…

Dështoi maxhoranca aktuale, por edhe pjesa e saj LSI ka qyrkun e vet veshur (qyrk pushteti). Si mund ta heqë kaq shpejt?! Pse nuk mund të reformoj maxhorancën e zgjedhur po prej saj duke e trumbetuar si një zgjidhje (atëherë) për fatet europiane të vendit….

Këtu nuk shikoj dritë të domosdoshme kompromisi?!

As vullnetin e qindra e mijërave votuesve…Thjesht imoralitetin e një kompromisi në kurriz të Moralit Politik…Thjesht ndarje e llogari pushtetesh, ministrash e deputetesh… për të forcuar vet ata pushtetin ekonomik të vënë, ngritur e vjedhur në këto dy dekada… Demokraci bandash! Banda të organizuara dhe regjistruara rregullisht si të tilla… Dhe kanë fat sepse luajnë kështu, pa moral, thuajse e gjithë klasa politike shqiptare… nën kujdesin e rreptë edhe të ndërkombëtarëve që u intereson vetëm të mos ketë trazira të dhunshme dhe sa për shtetin ligjor që nuk është…të bëhet kur të bëhet… Një kompromis i fshehur moralisht edhe prej tyre në përsheshin politik ballkanik. Një çorbë “alla shqiptare” nga të zakonshmet në kurrizin e shtruar të popullit…

Faktet e këtyre viteve dhe lojtarët që shohim në kamp janë larg, shumë larg nga kompromiset e vërteta dhe të domosdoshme që i duhen vendit…Fatkeqësisht mendoj se është kështu… dhe ata paturpësisht janë të lumtur

Ndryshe?!

Më mirë të kem gabuar në mendime… por realiteti është më i ashpër…

Romë Prill 2013