Ndriçim Mehmeti:Matura Shtetërore, një shans i dytë për maturantët që vijnë nga jashtë shtetit

628
Sigal

Flet Ndriçim Mehmeti, Drejtori i Agjencisë së Monitorimit të Cilësisë në MASH

Maturantët që kanë kryer shkollën e mesme jashtë Shqipërisë dhe që duan që të fillojnë studimet e larta në Shqipëri, do të kenë edhe një afat tjetër për plotësimin e Formularit A1Z. Më parë ishte vendosur që këto maturantë të plotësonin formularin A1Z, se bashku me këto kategori:

a) Maturantët para Maturës Shtetërore 2013;

b) Kandidatët që nuk janë shpallur fitues në asnjë program studimi në maturat e mëparshme;

c) Kandidatët që janë shpallur fitues në një program studimi në maturat e mëparshme, por nuk janë regjistruar ose janë çregjistruar para 15 shkurtit të vitit pasardhës, por tashmë është ndryshuar kjo rregullore. Për maturantët që kanë mbaruar jashtë Shqipërisë është dhënë edhe një shans i dytë, për shkak të përgatitjes së dokumenteve që duhen për plotësimin e këtij formulari. Afati për plotësimin e formularit A1Z, është përcaktuar që të jetë nga data 1-10 maj. Këtë e bën të ditur për “Telegraf”, Ndriçim Mehmeti, Drejtori i Agjencisë së Monitorimit të Cilësisë në MASH. Zoti Mehmeti ndër të tjera ka sqaruar se: “Maturantët që kanë ardhur nga jashtë shtetit dhe që duan të vazhdojnë studimet e larta në Shqipëri, nuk do e plotësojnë tani Formularin A1Z, por do ta plotësojnë në një fazë të mëvonshëm”. Afati për plotësimin e formularit është lënë për në fillim të muajit maj. “Kjo kategori do e plotësojë formularin në periudhën e majit, për faktin se u duhet më shumë kohë kësaj kategorie për plotësimin e formularit. Ne kemi ngritur një komision që do të merret më njësimin e diplomave të këtyre maturantëve. Dhe për këtë atyre u duhet një periudhë më e gjatë për t’u përgatitur. Dhe maturantët që janë kthyer nga jashtë shtetit do ta plotësojnë Formularin A1Z, në muajin maj dhe saktësisht do ta plotësojnë formularin nga data 1 maj deri në datën 10 maj sipas rretheve dhe qarqeve që janë. Pastaj do të jetë akoma më e thjeshtë për plotësimin e formularit”, u shpreh zoti Mehmeti. Por kjo kategori maturantësh nëse i kanë plotësuar dokumentet mund të aplikojnë edhe tani për plotësimin e Formularit A1Z, nëse dëshirojnë.

Njësimi i diplomave për maturantët që vijnë nga jashtë

Shtyrja e afatit të plotësimit të Formularit A1Z, për maturantët që vijnë nga jashtë shtetit për në fillimin e muajit maj është bërë me qëllim që t’u lihet kohë këtyre maturantëve për njësimin e diplomave. Në lidhje me afatin zoti Mehmeti është shprehur se: “Ndërkohë që ne u kemi lënë një kohë akoma më të gjatë për njësimin e diplomave atyre dhe më pas ato duhet të plotësojnë edhe procedurat e tjera. Por ne kemi një hapësirë tani më të madhe për nxënësit sepse kemi gjuhën greke dhe gjuhën turke. Gjuha greke u vjen në ndihmë shumë prej emigrantëve që vijnë nga jashtë vendit. Ndërkaq, u jepet e drejta të gjithë maturantëve që kanë zgjedhur anglishten dhe kanë zgjedhur dhe frëngjishten, po ka ngelur në anglisht, ai mund të zgjedhë që të mos marr më anglishten se e ndjen të vështirë. Të marri sociologjinë, mjafton të marrë 8 kredite”.

Rregullat për maturantët që kanë mbaruar para vitit 2012

Në Maturën Shtetërore këtë vit nuk do të jepen më shumë se dy provime, nga 3 që ishin vitin që shkoi. Sipas Udhëzimit 35, i datës 27 nëntor 2012, ndryshimi konsiston në këto gjëra: Së pari është minimizuar menyja e lëndëve me zgjedhje. Në kuptimin që, asnjë lëndë nuk është lënë pa u marrë në konsideratë, sepse nxënësit kanë bërë përgatitje për 1,2 ose 3 vite. Ata kandidatë që kanë kryer shkollën e mesme para vitit 2011-2012, por nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje për të vazhduar studimet e larta publike do t’i japin ato.

Regjistrimi për provimet me zgjedhje do të bëhet:

Në shkollat, ku kandidatët kanë kryer shkollën e mesme, si dhe pranë komisioneve të maturës në drejtoritë arsimore të rrethit përkatës kur shkolla e tyre nuk ekziston më. Në këtë rast duhen paraqitur dokumentet përkatëse:

a)kërkesën me shkrim për dhënien e provimeve me zgjedhje të detyruar

b)dëftesën e pjekurisë/kopje të noterizuar me fotografi të dëftesës së pjekurisë/vërtetimin me fotografi që ka përfunduar shkollën e mesme, lëshuar nga drejtori i shkollës përkatëse bazuar në amzën e shkollës apo dokumentin e lëshuar nga arkivi i shtetit dhe legalizuar nga titullari i Drejtorisë Arsimore si dhe kopje të noterizuar të pasaportës ose kartës së identitetit. Për këto kandidatë caktohet edhe vendi se ku do të japin provimet. Kandidatët që i janë nënshtruar maturës shtetërore 2006 e në vijim nuk japin provimet e detyruara kur janë pajisur me dëftesë pjekurie.

Në rastet e mbartjeve të provimeve nga Matura Shtetërore 2012:

a)Kandidati që kishte zgjedhur tri lëndë me zgjedhje dhe është shpallur kalues në dy prej tyre:

-Nëse shuma e krediteve të lëndëve të shpallura kaluese është jo më pak se 8, kandidati mund të mos zgjedhë lëndë tjetër dhe të konsiderohet që ka likuiduar detyrimet e MSh 2013.

-Nëse shuma e krediteve të lëndëve të shpallura kaluese është më e vogël se 8, kandidati mbart njërën prej tyre dhe zgjedh një tjetër për të plotësuar numrin 8 të krediteve.

b)Kandidati që kishte zgjedhur tri lëndë me zgjedhje dhe  ka fituar vetëm një, do ta mbartë atë lëndë dhe do të zgjedhë një tjetër nga lista e lëndëve me zgjedhje, duke plotësuar kriterin jo më pak se 8 kredite.

c) Kandidati që ka mbetur në të tri provimet, duhet të zgjedhë dy lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje, duke plotësuar kriterin jo më pak se 8 kredite.

Kritere të përzgjedhjes së lëndëve me zgjedhje

– Kur zgjidhet një lëndë bërthamë, nuk mund të zgjidhet e njëjta lëndë e thelluar (përjashtuar lëndët e detyruara).

– Çdo maturant mund të zgjedhë një ose dy gjuhë të huaja të ndryshme, me kusht që njëra do të trajtohet si gjuhë e huaj e parë dhe tjetra si gjuhë e huaj e dytë, pavarësisht nëse ka bërë ose jo në shkollë.

-Maturantët e shkollave artistike mund të zgjedhin vetëm njërën nga lëndët e grupit II: “Vetëm për shkollat artistike”.

-Maturantët e shkollave profesionale mund të zgjedhin vetëm njërën nga lëndët e grupit III: “Vetëm për shkollat profesionale”. Teoria profesionale është e zbërthyer në  profile sipas indeksit të shkollave dhe maturanti/Kandidati mund të zgjedhë vetëm një prej tyre.