Dr. Novruz Zejnati: Pa LANÇ nuk do të ekzistonte Shqipëria

1259
Sigal

Në 76-vjetorin e formimit të Brigadë së I-rë Sulmuese

76 vjet më parë, në 15 gusht 1943, në Vithkuq të Korçës u themelua Brigada e Parë Sulmuese,  një nga formacionet më të rëndësishme dhe me kontribut të plotë në luftën kundër okupatorëve nazifashistë. Vetitë dhe virtytet kryesore të Brigadës së Parë Sulmuese ishin ndër më të mirat të gjitha njësive partizane. Më pas taktikat e saj u morën nga të gjitha brigadat. Nuk është e rastit këtu të shtjellojmë parimet rregullat dhe normat e luftës partizane. Por në qoftë se më këtë rast do të orvateshim të përcaktonim në formë tepër të shkurtër vetitë dhe virtytet kryesore të Brigadës së Parë Sulmuese, ato mund të përmblidhen si më poshtë, gatishmëria, besnikëria, urrejtja për armikun, marrëdhëniet shoqërore mes anëtareve të saj, shpirti sulmues dhe papërkulshmëria.

Si vend për grumbullimin e partizanëve u zgjodh Vithkuqi, i cili ndodhet 20 kilometër në jugperëndim të Korçës në një lartësi prej 1000 metrash. Në të vërtetë, aty nuk ka veçse një shesh prej jo më shumë se 2500 metër katrorë, rrethuar me kodra dhe pisha. Ishte 15 gusht dhe në qiell s’kishte asnjë re. Megjithatë, nuk bënte shumë vapë. Lartësia prej më shumë se 1000 metrash katrorë dhe pishat e freskonin shumë motin. Në anën lindore të sheshit ishte ngritur tribuna e stolisur me gjethe të njoma dhe me flamuj kombëtarë. Në ballë dhe në të dyja anët e saj qenë shkruar shumë parulla. Brigada ndodhej e rreshtuar përballë tribunës sipas batalioneve e kompanive me gjithë armatimin dhe pajisjet që zotëronte. U zgjodh pikërisht ky fshat për pozicionin e tij strategjik të rrethuar nga malet dhe pyje pishash dhe bredhi. Ky fshat ka qenë një nga zonat më të lidhura me luftën Nacionalçlirimtare dhe përbëhej nga rreth 200 shtëpi. Si qendër për grumbullimin e partizanëve u caktua Manastiri i Shën Pjetrit i ndërtuar në shekullin e 18. Grupet e para të luftëtarëve që do të ishin pjesë e Brigadës së parë mbërritën në fund të Korrikut. Në këtë Brigadë, me urdhër të Enver Hoxhës, u zgjodhën luftëtarët më të mirë nga gjithë Shqipëria që merrnin pjesë në formacionet e ndryshme luftarake. Nga Korça, Elbasani, Vlora, Tirana, Kukësi, Berati, Gjirokastra dhe nga zona të tjera, erdhën djemtë më të zgjedhur të çetave dhe batalioneve që ishin pjesë e rezistencës antifashiste. Gjithë brigada e parë kishte në radhët e saj rreth 556 partizanë, nga të cilët vetëm dhjetë ishin vajza.
Strukturimi i kësaj brigade u bë deri në datën 10 gusht. Të 556 partizanët u ndanë në 4 batalione pushkatare me rreth 120 veta secili, në një kompani kundërajrore, në një kompani kundërtankesh dhe në një bateri artilerie. Batalioni pushkatar përbëhej prej tri kompanish dhe çdo kompani kishte tre skuadra. ndërlidhja do të bëhej nëpërmjet korrierëve dhe rolin e njësiteve xheniere do e luanin pushkatarët. komandant i Brigadës së Parë u caktua Mehmet Shehu dhe Komisar u caktua Tuk Jakova. Mehmet Shehu vinte nga eksperienca e Luftës së Spanjës, ku kishte marrë pjesë në Brigadën Garibaldi në luftën kundër Frankos dhe koalicionit fashist. Meritë për veprime të suksesshme në luftë ka patur shtabi drejtues i kësaj njësie dhe në veçanti komandanti legjendar i saj, Mehmet Shehu, njëri me intuitë e talent të veçantë në artin ushtarak, takticien e strateg i zoti, mjeshtër i zbatimit të taktikës partizane, por edhe i luftës së rregullt ballore, me vizion e kompetent në drejtimin e operacioneve. Ai ishte padyshim komandanti më i shquar, më në zë dhe më rezultativi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Armatimi i kësaj brigade linte për të dëshiruar, dhe ky armatim dallohej për një përzierje markash të ndryshme. Arsenali i armatimit përbëhej  nga marka të ndryshme pushkësh, duke filluar nga prodhimet greke, serbe, italiane, belge, franceze etj. Kryesisht baza e armatimit ishte italiane. Çdo skuadër kishte nga një mitraloz të lehtë italian dhe çdo kompani kishte nga një mitraloz të rëndë të markës “Breda”. Veshmbathja përbëhej nga ngjyra të ndryshme dhe nuk mund të imagjinoje një formacion të rregullt, për arsye se uniformat ishin me mundësitë personale të çdo partizani.

Drejtuesit kryesorë të Brigadës së Parë

Brigada e Parë Sulmuese pati 49 kuadro dhe drejtues të saj që e udhëhoqën nga fillimi deri në fund. Por ata që shkëlqyen më tepër dhe që dhanë kontribut të çmuar për të janë, Mehmet Shehu e Muhamet Prodani, komandantë të brigadës. Komisar të brigadës kanë qenë Tuk Jakova dhe Arif Hasko. Todi Naço ka qenë komandant i Artilerisë së Brigadës. Aleks Verli ka qenë ekonomist, përgjegjës i prapavijës. Andrea Konomi ka qenë përgjegjësi për shëndetësinë së bashku me mjekët italianë që ishin në brigadë. Dhori Panariti ka qenë përgjegjës për organizmin e rinisë. Ndreko Rino, komandant i Batalionit të Parë të Brigadës. Xhelal Staravecka, Ferid Radovicka, komandant të Batalioni II Sulmues. Gjeli Argjiri ka qenë komandant i Batalionit III Sulmues. Gjok Doçi e Feti Smokthina, komandantë të Batalionit IV Sulmues. Muhamet Prodani e Xheladin Beqiri, komandantë të Batalioni V Sulmues. Terciolio Antoni ishte ndër trimat italianë që u bashkuan me Brigadën e Parë dhe drejtonte batalionin italian “Antonio Gramshi”. Ndërsa Fiqiret Sanxhaktari ishte përfaqësuese e Seksionit Politik të brigadës, një detyrë jo pak e rëndësishme kjo. Më pas lista vjen me një sërë kuadrosh dhe drejtuesish të aftë të brigadës. Porosia e Shtabit të përgjithshëm ishte që në radhët e kësaj brigade të mblidheshin djemtë më të mirë të zonës. Dhe komandantët ishin ajka e ushtrisë shqiptare. “Luftëtarët të zgjidhen nga të gjitha krahinat. Të kenë qenë anëtarë të çetave sulmuese dhe territoriale, të vendosur një qind për qind për Luftën Nacional Çlirimtare. Luftëtarët të jenë trima dhe të kenë marrë pjesë në aksione, të bindur dhe të disiplinuar”, thuhet në një nga dokumentet e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Betejat e para

Luftimin e parë të ashpër e të përgjakshëm , Brigada e zhvilloi më 17 Gusht 1943 kundër nazistëve gjermanë, në kthesat e Barmashit të Kolonjës dhe vargu i luftimeve e i betejave të saj nuk u ndërpre. Deri në çlirimin e plotë të Atdheut ato arritën mbi 200, një pjesë e mirë e të cilave përmenden si betejat më të shëndosha të UNÇSh. Të tilla janë: Lufta e Vithkuqit, goditjet e ashpra në Xyrë, në Derven, në rrugën Elbasan-Peqin, luftimet në Mallakastër, Mesaplik, Kurvelesh, Kiçok , Dëshincë, beteja e Tendës së Qypit, operacioni armik i Dimrit 1943-1944, marshimi heroik i tre batalioneve në Veri, në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm në Tomorricë, Dumre, Pogradec, Mokër , operacioni i qershorit 1944, Vërçë, Shpat, Sulovë, tek ura e Moglicës, në Qafën e Gjarpërit, e Gurin e Prerë, Shënbërdhenj, Qafë Dardhë, Çërravë, Gollobordë, Peshkopi, Dibër, Mat, Krujë, Prezë, beteja e ashpër për çlirimin e Tiranës etj. Brigada e I “S’ përshkoi një rrugë luftarake prej më 2260 km, luftoi në 52 krahina të Shqipërisë, duke dalë edhe tej kufijve shtetërorë dhe kudo krijoi imazh të shkëlqyer në popull dhe besim absolut tek ai në fitore, u shkaktoi okupatorëve nazistë dhe kolaboracionistëve humbje të ndjeshme që arrijnë mbi 3500 të vrarë fashisto-nazistë, rreth 5000 të plagosur dhe më se dhe më se 4000 robër, duke nxjerrë jashtë luftimit mbi 12000 nazifashistë e kolaboracionistë. Brigada e I “S” i ktheu pozicionet e luftimit në pozicione zjarri e flake që dogjën e përvëluan nazifashistët dhe shërbëtorët e tyre vendës. Rruga e saj luftarake u përflak dhe u skuq me gjakun e mbi 370 dëshmorëve që dhanë jetën heroikisht për çështjen e madhe të çlirimit të Atdheut kundër shkelësve të huaj dhe kolaboracionistëve. Midis të rënëve janë katër komandantë batalioni Gjok Doçi, Xheladin Beqiri (Karadaku), Fejzi Micoli (Vullneti), Tercilio Kardinali, dy komisarë batalioni Myslym Shyri e Leo Dalponte, një zv.komisar batalioni Irakli Tërova, 31 komandantë kompanish. Ndër dëshmorët 76 ishin anëtarë të P.K.SH, ndërsa 1000 partizanë morën plagë plumbi. Për heroizmin masiv të luftëtarëve të saj, Brigada e I “S” është dekoruar “Hero i popullit” si dhe me urdhra e medalje të tjera. Ndër luftëtarët e saj 14 janë dekoruar “Hero i Popullit” dhe 16 të tjerë kanë merituar gradën e Gjeneralit.

Tregon Xhafer Peçi, për 15 gushtin e vitit 1943

Shkuam për të bërë një aksion në grykën e Barmashit, pasi gjermanët kishin bërë një masakër në Borovë. Ky aksion na dështoi për arsye se na zbuluan gjermanët. Megjithatë, bëmë një aksion, ku vramë disa gjermanë, si dhe kapëm trofe një armë gjysmë automatike, të cilën ia bëmë si dhuratë komandantit të Brigadës, Mehmet Shehut. Por italianët u informuan se Brigada e Parë u kthye në Vithkuq dhe në 26 qershor filloi një operacion të madh me 10 mijë ushtarë nga Korça dhe Kolonja. Për herë të parë ne u goditëm dhe nga forcat e aviacionit që ngriheshin nga aerodromi i Korçës. Në Vithkuq ne rezistuam pa ndërprerë për rreth 12 orë. Më pas na u dha urdhër të merrnin Pogradecin. Ishte pragu i kapitullimit të Italisë. Fillimisht ramë dakod me komandën italiane që ata të dorëzoheshin. Por në atë kohë nga Ohri erdhi një kompani gjermane, që nuk i la të dorëzoheshin dhe bëmë një luftë të madhe. Aty na u vra dhe komisari i kompanisë, Hasan Mëhilli. Në këtë luftim kemi përdorur dhe artilerinë e Brigadës së Parë që na i kishin dhënë anglezët. Kur kapitulloi Italia, erdhi komunikata e Shtabit të Përgjithshëm. Në Brigadën e Parë u dorëzuan rreth 700-800 ushtarë italianë. Mehmet Shehu u mbajti një fjalim, duke u thënë: “Kush do që të dalë partizan me ne”. Rreth 150 veta pranuan dhe formuan batalionin “Antonio Gramshi”. Të tjerët u shpërndanë nëpër familjet shqiptare. Me këta italianë unë kam patur rastin të luftoj krah për krah. Po ndërsa ne filluam të luftonin së bashku, me gjermanët u bë Balli Kombëtar. Në Berat na sulmuan gjermanët së bashku me forcat balliste të Abaz Ermenjit. Në operacionin e dimrit ata bënë terror, pasi ballistët e Vlorës të komanduar nga Hysni Lepenica njihnin rrugët dhe sugjeronin nazistët për të vrarë e pushkatuar. Pas Kongresit të Përmetit u formua dhe Divizioni i Parë, në përbërje të të cilit ishin Brigadat e 1-rë, e 4-t, e 5-të Sulmuese dhe komandoheshin nga gjeneral Dali Ndreu dhe nënkomandant kolonel Mehmet Shehu. Na u dha urdhër që në qershor të kalonim në Shqipërinë e Mesme e në Veri. Pas disa përpjekjesh me forcat naziste u hodhëm në Maqedoni. Kaluam zonën e Gostivarit, qëndruam në Kërçovë për 20 ditë, ku anglo-amerikanët na hodhën nga ajri ushqime, veshmbathje e municione. Aty sulmuam Dibrën dhe këtë aksion e ka udhëhequr Mehmet Shehu, i cili kishte nën komandë edhe Brigadën e Parë Kosovare dhe Brigadën e Parë Maqedonase. Në 28 tetor na u dha urdhri për të sulmuar Tiranën. Një nga marshimet më të gjata luftarake mbetet inkursioni i Brigadës I-S, me objektiv nxjerrjen nga rrethimi të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, që kryesohej nga Enver Hoxha. Xhafer Peçi, kujton se edhe pse u bënë 360 kilometra udhëtim i sforcuar, Brigada nuk e arriti realizimin e objektivit. “Ishte një udhëtim i gjatë prej 23 ditësh në të cilën mbetën të vrarë 84 partizanë. Nga ana tjetër, po ndodh  që vitet e fundit të rehabilitohen ish-kolaboracionistë që i shërbyen me zell pushtuesit të huaj. Për fat të keq, këta janë të ushqyer nga një ndjenjë urrejtje dhe përçarje krahinore, pasi hedhin baltë mbi luftën e lavdishme antifashiste nacional-çlirimtare, mbi ata që dhanë jetën, mbi dëshmorët e këtij vendi, ndërsa nga ana tjetër ngrejnë në piedestal antiheronjtë dhe ata që bashkëpunuan me pushtuesit fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Shqipëria, për fat të keq, ka shumë pak njerëz me vlerë dhe shumë levantinë pa vlerë, siç ka shumë anonimë që me të padrejtë e në mënyrë të njëanshme, akuzojnë udhëheqësit e luftës antifashiste e mburrin ata ballisto-zogistë. Unë kësaj kategorie i them: “populli ynë me kuadrot drejtues dhe partizanët e tij duhet të krenohet me luftën që ka bërë dhe tradhëtarët e asaj lufte, i kanë bërë asaj atentat për së gjalli dhe për së vdekuri, por tashmë ky atentat po i bëhet historisë kombëtare të Shqipërisë”. Me bindje e them se populli ynë do t’i çojë gjithmonë lart e më lart traditat e lavdishme të luftës nacional-çlirimtare.

 

1

Në Brigadën e Parë u dorëzuan rreth 700-800 ushtarë italianë. Mehmet Shehu u mbajti një fjalim, duke u thënë: “Kush do që të dalë partizan me ne”. Rreth 150 veta pranuan dhe formuan batalionin “Antonio Gramshi”.

2

Në 28 tetor na u dha urdhri për të sulmuar Tiranën. Një nga marshimet më të gjata luftarake mbetet inkursioni i Brigadës I-S, me objektiv nxjerrjen nga rrethimi të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, që kryesohej nga Enver Hoxha. U bënë 360 kilometra udhëtim i sforcuar, Brigada nuk e arriti realizimin e objektivit. “Ishte një udhëtim i gjatë prej 23 ditësh në të cilën mbetën të vrarë 84 partizanë