Dossier/ Flet ish-zbuluesi politik i Shqipërisë në Francë

365

Dr. Hasan Luçi: Si e takova në Paris, Leo Montbyran, ish drejtori i parë i Liceut francez të Korçës dhe Gjirokastrës. Ç’më tha për Enverin, netët në rezidenca me rusët dhe biseda me avokatin që mbrojti Shqipërinë në Gjyqin e Hagës

Intervista/ Flet Dr. Hasan LUÇI, ish-zbulues politik i Shqipërisë në Francë

 

01-Si  takova  në Paris, z. Leo Montbyran, ish drejtori i parë i liceut francez të Korçës e të Gjirokastrës

 

02-Ai më kërkoi fjalën e sh. E.Hoxha, në Kongresin e IV-t, të PPSH nëntor 1961 

 

-03-Çudia  me  gjeneralin Tyber ish- zv. shef i zbulimit ushtarak francez gjatë Luftës së Parë Botërore, më dha materiale që hidhnin dritë për vrasjen e Thimostokli Gërmenjit nga grekët e francezët

04- Befasia me avokatin Pier Kotin, intelektuali që mbrojti vendin tonë në Gjyqin e Hagës, të  gjithë  e kundërshtonin

 

Albert  Z.  ZHOLI

 

Ka lindur në Rrëzë të Luçe, afër qafë Shkallës së Kuçit, ku janë zhvilluar luftëra të njëpasnjëshme, siç dëshmon historia që prej romakëve të Çezarit deri në LANÇ. Filloi shkollën fillore pa u çliruar ende Atdheu në një dhomë shtëpie fshati duke u ulur në një trung ose në një arkë druri. Shkollën fillore e shtatë vjeçare i bëri dy orë e ca larg shtëpisë, nëpër terren malor Kuç qendër-Grashec. Mori pjesë në ditën e parë, kur u sollën eshtrat e dëshmorëve në fshat më 1945. Mësonte mirë dhe babai e pa se nuk i bëhej krah pune i fortë në fshat, prandaj e ndihmoi të ndiqte gjimnazin “Asim Zeneli” në Gjirokastër me bursë si konviktor. Gjatë atyre viteve mori pjesë në aksionet lokale e kombëtare verore të rinisë, sidomos në hekurudhë Peqin-Elbasan, në rrugën e Dritës etj.  Pasi mbaroi shkollën e mesme me rezultate të mira, kërkoi të ndiqte studimet e larta për letërsi, mjekësi dhe kinematografi. Studimet e larta i bëri në Moskë, ku u njoh më mirë me Luftën e Madhe Patriotike, me Stalingradin, kanalin Vollga .

Kur  e more  emërimin  për herë të parë  si  diplomat  karriere  në  Francë  dhe   si e  kishe  menduar  dhe si  e gjete Parisin?

 

Ishte muaji korrik 1961, kur mora emërimin si diplomat në Paris. E prita me kënaqësi, por kuptova qartë edhe përgjegjësinë e kësaj detyre të re dhe tensionuese për mua.

E gjeta Parisin e vjetër siç e kisha lexuar në libra dhe e kisha parë në filma, sidomos lagjet Kartie Laten, Monparnasin, Pigalin, Shanzelizen, sheshet Etual, Konkord, shetitoret e mëdha, Bastijen dhe rrethinat e varfra të Parisit, ku ishin edhe bidonvilet (barakat) e të mërguarve e romëve. Por, ndërkohë kishin filluar ndërtimet e reja mbi trojet e vjetra dhe krijim i qyteteve satelitë rreth Parisit, Lionit etj. Kështu ngriheshin kullat në Portë d’Itali, Nëji, Bijankur, Shapel, Sen Klu etj. dhe në lagjet e jashtme si Kartie de Defans etj. Kafenetë e Parisit, sidomos në Parisin 16, lagja kryesore e ambasadave, në pyllin e Bulonjës, rreth Shanzelizes, në shëtitoret e mëdha, në sheshet kryesore etj., po riparoheshin duke vendosur mobilie të mira, por çmimi i shërbimit po ngrihej, kurse bakshishi luhatej nga 10-15 % të konsumit, që shënohej në faturë, të krijonte idenë e lirësisë. Lufta e Algjerisë po shkonte drejt fundit, paçka se OAS – i bënte ende kërdinë me atentatet e tij, edhe në Paris.

–  Cila   ishte  situata   në  Shqipëri kur  shkove në Paris?

 

 

Vajta në Paris, kur u shpall prishja e PPSH – së me ish kampin socialist, pasi u mbajt raporti i E. Hoxhës në Kongresin e IV, nëntor 1961. Më parë diplomatët tanë kishin ndihmesën e selive të vendeve mike socialiste për çështje diplomatike e teknike – administrative të funksionimit të përfaqësive. Po kështu, ata kërkonin ndihmesën edhe në fushën informative, duke vajtur secili diplomat te kolegu i vet sovjetik apo të ish Demokracive Popullore. Selitë e Traktatit të Varshavës organizonin edhe festa të përbashkëta, piknikë, mbrëmje vallëzimi, vizita turistike, ditë pushimi në oqeanin Atlantik, gjueti etj. Kishte jo pak raste, që diplomatët tanë kalonin edhe natën në të ashtuquajturat kala – rezidenca ose vila të sovjetikëve brenda e jashtë Parisit. Veç kësaj, u prishën edhe marrëdhëniet e PPSH  me PKF dhe me shoqatën e miqësisë Francë – Shqipëri, që ishte nën tutelën e PKF. Kështu, mua si i ri, m’u desh të kërkoja dhe të zija miq të rinj pa harruar ata që mbeteshin miq të Shqipërisë pas prishjes, por sidoqoftë duheshin miq pluralistë e jo vetëm ideologjikë. Prishja me Kinën krijoi tensione të reja me një pjesë të miqve dhe të shoqatës së re franko – shqiptare, por unë përjetova vetëm fillimin, se u ktheva në atdhe. Konventa e Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike më 1961, nën drejtimin e OKB, për ne diplomatët e rinj, ishte  një ndihmesë në labirintin e të drejtës së ambasadave.

 Si   e  kujton  dhe  kush  ishte  pritja e parë  që bëtë   në ambasadë  kur ju  ishit pjesë e  ambasadës?

 

Mbërrita në Paris më 19 nëntor dhe më 28-29 nëntor 1961 u dha pritja e parë për të huajt dhe e dyta në dhjetor për koloninë shqiptare në Francë, me rastin e festave të nëntorit, festat tona kryesore. U njoha me punën përgatitore qysh më 19 nëntor kur mbërrita në Paris. Por, që në pritjen e parë në seli, në vend që të njihesha me miqtë e ftuar, siç porosiste MPJ- ja, më vunë në grupin e kontrollit të të ftuarve në hyrje të portës kryesore, së bashku me kafazin Ymer Berberi dhe shoferët. Ne edhe ndërronim njëri-tjetrin pak nga pak, dhe njiheshim me miqtë, herë duke parë ftesën, herë duke dëgjuar emrin e mbiemrin që thoshte i ftuari, herë nga shokët e tjerë, herë nga tellalli, që paraqiste të ftuarit tek titullari në hyrjen e sallonit të pritjes. Kështu, puna eci disi, o Mete për vete!

Një kohë u ndodha vetëm në korridor, kur hynë dy zonja të pispillosura të moshuara, të veshura me peliçe, trupmëdha që ngjanin si pela dhe si mushka italiane, i ironizova unë më vonë. Ato nuk kishin ftesa dhe kur i pyeta, ato i ranë shkurt fare : Ne nuk jemi në listat tuaja, po jemi të ftuara të selive diplomatike, na njohin kudo! E kuptova, se qenë mike të paftuara, që vinin me lugë në brez! Kisha dëgjuar se edhe në kohën e mbretit Zog kishte dy persona në Tiranë që bënin këtë punë dhe thuhej se rrinin një javë pa ngrënë që të hanin në pritjen e radhës. Këto s’kishin nevojë të prisnin aq disa ditë se Parisi kishte pritje gati çdo ditë.

-Po në festat  e  nëntorit?

Më 29 nëntor, pritëm në përfaqësi diplomatët dhe miqtë e ftuar  me rastin e festave të nëntorit, mes të cilëve edhe ata të shoqatës së miqësisë Francë-Shqipëri, e cila kryesisht drejtohej nga PKF. Meqenëse, marrëdhëniet PPSH – PKF kishin pësuar çarjet e para, atje morën pjesë miqtë më të afërt të vendit tonë. Ky qe dhe rast i mirë për t’u njohur me miqtë e të tjerë, prandaj edhe u dërgova para festave të nëntorit në Paris.

-Kush  të ra  në sy  ndër ta?

 

Nga ata që njoha ishte  Z. Leo Montbyran, ish drejtori i parë i liceut francez të Korçës e të Gjirokastrës, të cilin e takova shumë herë edhe më vonë, se banonte afër selisë sonë. Kur i thashë se vija për herë të parë në Paris më uroi suksese, por më vuri në dijeni për rreziqet e Parisit, si duket iu duka fare i ri. E falënderova për kujdesin e këshillën e mirëpritur. Ai më kërkoi fjalën e sh. E. Hoxha në kongresin e PPSH-së, por ne kishim pak kopje. Kur ia thashë titullarit, ministrit Dhimitër Lamani, e shtynte miratimin për t’ia dhënë. Miku qëndroi enkas deri ne orën 22:00 (pritja pati filluar në orën 18:00), pra dy orë pas mbarimit të saj dhe u largua sapo i dhashë një kopje. Ai priti gjatë pa ditur arsyen, por kur më dha dorën, tha me zë të ulët: “Merci bien de ta part, mon vieux, vive la jeunesse!” (Faleminderit shumë prej teje, i dashur mik, rroftë rinia !). Vijoi të vinte në pritjet tona kur e ftonim dhe i dërgonim materialet mbi vendin tonë, me raste ai na jepte mendimet e tij për njohjen e Shqipërisë në Francë, sidomos për miq të Shqipërisë.

Po tjetër  kush  të  bëri përshtypje   dhe   që  lidhe  miqësi?

 

U njoha edhe me gjeneralin në pension, Tyber dhe me gruan e tij, i cili ishte një mik i vjetër i Shqipërisë dhe që nuk mungonte në pritjet tona sa qe gjallë. Ai kishte qenë zv. shef i zbulimit ushtarak francez gjatë Luftës së Parë Botërore me ushtrinë franceze në Korçë. Në kujtimet e veta J. Malo e jep biografinë e tij, por unë do të shënoj vetëm mençurinë e tij dhe miqësinë e thellë për Shqipërinë, pasi më dha materiale që kishte dhe që hidhnin dritë për vrasjen e Thimostokli Germenjit nga grekët e francezët, pjesërisht të botuara në librin për të nga Muin Cami. Meqenëse, kjo ngjarje ruante ende të fshehta kryesore, si shokët e përfaqësisë para meje dhe unë, edhe më vonë kërkuam zyrtarisht nga arkivat franceze për dosjen e duhur, por na u përgjigjën se dosja e Th. Germenjit do të hapej në 2018. Jam i bindur se atë do ta çojnë për hapje në 3018 për të mos dalë dora vrasëse e vërtetë, pasi Franca me gjeneralët e saj dhe Greqia me paudhësitë e saj turpërohen rëndë duke vrarë Th.Germenjin, këtë atdhetar të madh. Ky akt i shëmtuar e bën tym flamurin francez “Liri, vëllazërim, barazi”. Meqenëse, gjeneral Tyberi qe një antifashist i bindur dhe dënoi si avokat kuislingët francezë të Hitlerit, e  nxorën para kohe në pension. Ai nxiti miq të tij ta donin Shqipërinë dhe të shkruanin për të.

U njoha me avokatin Pier Kotin, e kisha njohur nga shkrimet mbi mbrojtjen e tij të dëgjuar për vendin tonë në Gjyqin e Hagës. Më vonë njoha edhe të birin, deputetin e Savojës, Zhan Pier Kotin, kur J. Malo dha një darkë për të dhe Klod Zhylienin, drejtor i “Lë Mond Diplomatik” e autor i “Imperatoria amerikane”, ku merrnin pjesë gratë e tyre dhe tonat. Gratë tona korrën lavdërime për gjellët shqiptare që bënë për miqtë, duke kaluar vërtet një darkë të këndshme. Atë e bir ishin njerëz të qetë, të sjellshëm e të thjeshtë, jo të rëndë si jo pak francezë për t’i dhënë rëndësi vetes. Me deputetin e ri bashkëpunova dhe ai shkroi mbi vendin tonë me simpati. Vinte rregullisht në pritjet tona dhe na rekomandoi persona që u bënë miq të Shqipërisë si ata, që sigurisht kishin ndikuar në këtë drejtim.

 

Nesër   do   të  lexoni:

Çfarë zbulova nga Prof. Zhak Burkar anëtar i Akademisë Franceze. kish bërë studime në Korçë për gjeologji e gjeografi në 1916-1920.

Ai botoi dy libra “Kufijtë shqiptar të administruar nga Franca” dhe “Shqipëria e shqiptarët”

 

Habitesha me dijet  e Prof. Andre Simonar, albanolog  i  cili  mbështeti vendin tonë, kombin shqiptar, për Kosovën dhe Çamërinë,

 

Ksavie De Kurvili, ish drejtori i liceut të Korçës, njëra nga vajzat  Geraldina kishte  lindur  në  Korëë, i  thoshte  Korëës  ‘Parisi  i vogël’

05-E  papritura  e madhe në 1963 arritëm t’u jepnim vizën për në Shqipëri,  Teatrit Arlëken që dhanë shfaqje në Tiranë, Korçë, Shkodër, Durrës, ku binte në sy pjesa me motive shqiptare “Ujku dhe qengji”