Trimëria dhe bujaria janë në gjakun e skraparlinjve

941
Sigal

Hekuran Hysaj

Skrapari në dimër i ka malet të mbushura me dëborë, kurse në pranverë malet mbushen me lule shumëngjyrëshe e të shumëllojshme. Grupi polifonik i shtëpisë së Kulturës këndon një këngë të bukur:

O Skrapar, mali me lule kurrë kokën ti s’e ule

ti në gjunjë nuk re kurrë vetëm se kur puth flamurë.

Kur dëgjon emrin Skrapar në mendje të vërtitet një vend i ashpër me natyrë të sertë, por brenda zemrës së skrapalinjve është betonuar, patriotizmi, trimëria. Një bukuri të veçantë u jep bujaria dhe mikpritja, respekti për shokun dhe mikun për çdo njeri që i troket skrapaliut në derën e shtëpisë. Në rast se vjen në Skrapar dhe të zë udha, trokit në çdo portë shtëpie dhe je i mirëpritur, pavarësisht se të njohin apo jo. Skrapari e ka ëmbëlsinë dhe buzëqeshjen në zemrën e njerëzve. Ndonëse malet janë më të lartë se njerëzit, njerëzit qëndrojnë më lartë se malet. Janë njerëzit e këtyre viseve që i kanë punuar e gërmuar malet me dhëmbë dhe me thonj dhe i kanë vënë në shërbim të tyre. Skraparasit kanë punuar dhe janë robtuar për ta kthyer krahinën e tyre në burim pasurie dhe të ardhurash. Skrapari ishte i pari rreth që u çlirua, më 5 Shtator 1942, i pari rreth në Evropë. Skrapari ka një popull mikpritës që kur e ka dashur puna ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e njerëzve. Për këtë flasin shumë fakte, por le ta ilustrojmë me ndonjë shembull konkret.

Veterani, Lake Dingo na tregonte një histori nga koha kur ishte prokuror. Një bakërpunues nga Përmeti punonte në Çepan ku kallajiste enë, në muhabet e sipër me njerëzit e fshatit ai ishte shprehur se “një qen në Amerikë rron më mirë se një shqiptar”. Një fshatar e denoncon në degën e brendshme. Në bazë të ligjit prokuroria e çon në Gjykatë dhe e dënojnë me 5-vjet heqje lirie. Bakërpunuesi e bëri apelin në Gjykatën e Apelit në Vlorë. Për këtë arsye vjen një gjyqtar nga Vlora për të shqyrtuar çështjen dhe bashkë shkuan në Çepan. Si me të qeshur gjyqtari i pyeti: Si e keni dënuar 5 vjet bakërpunuesin, pse a do të na rrëzojë pushtetin ne, pse çfarë u bë pushteti kokë kaposhi? Si përfundim gjyqi u bë në Çepan dhe bakërpunuesi u dënua me kusht. Kur mbaroi gjyqi vajti shumë vonë. Po tani ku do na çosh se u bë shumë vonë? – më pyeti gjyqtari i Vlorës. Tani do të të çoj te një miku im, Shuaip Panariti (Shuaipi ishte kryetari i Gjykatës së Lartë të vendit). Shkuam te Medi Zabërzani, vëllai i Mediut kishte marrë për grua motrën e Shuaipit. Shtëpia e tij ishte shtëpi patriotike dhe e lidhur me LANÇ. Metja, Saliu dhe Fejziu ishin partizanë, trima në Luftë, kurse Mediu ishte anëtar i Këshillit të Komunës. Mediu jetonte në fshat në Zabërzan, kurse Metja, Fejziu dhe Saliu punonin në Ndërmarrjen shtetërore si kuadro. Kur ne shkuam në shtëpi Mediu na priti me gëzim sikur ne ishim miq për të parën herë.

-Shyqyr që më erdhët tha. Na bëri një zjarr të madh me dru lisi dhe u largua. Shkoi dhe mori një qengj të mirë dhe e poqi në hell dhe erdhi te ne të bënim muhabet.

-Pse u vonove? -e pyetëm ne. ne kemi ardhur për t’u llafosur. Ai na e ktheu:

-Unë iu bëra zjarr që të ngroheshit dhe të rrinit pa teklif, se mos nga unë iu vinte zor që të ktheheshit si të donit. Erdhi dhe shtroi darkën plot me meze dhe raki ballë kazani, e regjur në damixhane si ar i kulluar, meze nga të gjitha llojet; salcë ,gjalpë, patate të skuqura etj. Nderimi më i madh i takonte gjyqtarit të Vlorës me të cilin atë natë bëmë muhabet si kurrë më parë. Në mëngjes kur na përcolli na mbushi dhe trastat plot më mish dhe me raki. Sa ishte gjallë gjyqtari i Vlorës mua më merrte në telefon dhe ma kujtonte përherë se atë pritje që ta bënte skraparliu nuk ta bënte asnjë njeri në botë. Skrapalinjtë janë bujarë dhe mikpritës. Bujarinë e takon kudo në Skrapar. Kur festoheshin përvjetorët e brigadave VII, XVI njerëzit e qytetit dhe të fshatit i prisnin me kënaqësi të veçantë partizanët në shtëpi dhe partizanët kudo që shkonin mbeteshin të kënaqu , se priteshin me dashuri e gëzim. Kur largoheshin mbeteshin miq përjetë me njeri-tjetrin. Ali Ymeri është pasardhës veterani në Çorovodë, ka lindur në fshatin Munushtir. Na tregon se në Munushtir ishte një fshatar i varfër me emrin Muke. Mukja ishte i varfër shumë, por i drejtë dhe me zemër bujare. Na erdhi njëherë Pasho Hysi me dy shokë dhe u ngrysën në fshat. Këshilli i fshatit i caktoi te Mukja në fund të fshatit. Mukja thërret të shoqen dhe e pyet se çfarë do të bënin pa dalë të turpëruar, sepse ishin aq keq sa as bukë për darkë nuk kishin. E shoqja që ishte nikoqire e madhe e dërgoi të therte një qengj se të tjerat do i rregullonte ajo. I kishte hequr mënjanë 5 kg miell dhe 5 litra raki të mirë. Miku nuk dihet se kur vjen dhe turpërohesh kur të duash. Mukja e shkoi qengjin në hell e poqi mirë dhe e shtroi në tavolinë dhe iu bën muhabet deri në mëngjes. Si hëngrën dhe mëngjesin Mukja i përcolli deri në Çorovodë. Miqtë kishin dhe kuaj, por nuk e kalonin dot lumin, Mukja i mori miqtë në krah dhe i kaloi matanë lumit. Miqtë bisedonin me njëri-tjetrin se atë që bëri ai njeri i varfër fshati nuk e bënte njeri mbi tokë. Nxorën nga dy napolonë floriri dhe ia dhanë Mukes me zor të madh, se Mukja nuk pranonte kurrsesi. Kështu miqtë ikën shumë të kënaqur nga Munushtiri. Bajram Çeço ka qenë patriot i nderuar dhe luftëtar i madh. Gjatë luftës LANÇ ka qenë kryetar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Ishte vërtet njeri fisnik dhe me zemër të madhe, bujar sa vështirë t’i gjeje shokun. Kishte dëshirë të madhe qe t’i vinin njerëz në shtëpi dhe shtëpinë e kishte në anë të rrugës. I kthente njerëzit në shtëpi që të llafoseshin dhe iu jepte ndonjë gotë dhallë ose raki. Edhe gjatë Luftës hynin dhe dilnin luftëtarët pa droje. Kjo ishte dhe arsyeja që në shtëpinë e tij u vendos një pllakë me mbishkrimin: “Bazë e rëndësishme e LANÇ”. Gjatë Luftës Bektash Grabocka shkonte me bagëti në Myzeqe dhe Bajrami e kthen në shtëpi për darkë më shumë për t’u llafosur dhe bënë muhabet tërë natën. Në mëngjes Bektashi iku por ata mbetën miq të përjetshëm duke ia lënë trashëgimi edhe fëmijëve këtë miqësi, Myftari (djali i Bektashit shkonte dhe vinte kur kishte sebepe). Një herë ku Bajramit i pushojnë djalin nga puna padrejtësisht i vjen në ndihmë Bektashi për ta vënë në vend drejtësinë e mohuar. Në shtëpinë e Bajramit vinin vazhdimisht të deleguar nga rrethi dhe gjenin aty një ngrohje shpirtërore, jo se ai kishte ndonjë pasuri të madhe. Si këto shtëpi që përmendëm më lart kudo që të shkosh në Skrapar do të gjesh ngrohtësi, bujari dhe mikpritje. Kjo është një traditë e shkëlqyer ë skraparasve dhe këtë traditë ata do të dinë ta përcjellin në breza, duke lënë mbresa të pashlyeshme te cilido person që vë këmbën në Skrapar e troket te dera e tyre.