Burri i kuvendeve, Zaçe Xhelo

116

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Veprimtaria politike e atdhetare

Qysh me fillimin e shekullit XX e deri sa mbylli sytë, ndër figurat e shquara të Smokthinës e të Labërisë, dallon Zaçe Xhelo, si burrë krahine e trim gjykimi. Ai njihet si veprimtar dhe mendimtar i gjykimit zakonor për zgjidhje me drejtësi të konflikteve, grindjeve për sinorët e tokave, kullotave dhe problemeve të tjera familjare, por dhe të fshatrave të Labërisë etj. Në shtëpinë e tij kanë bujtur Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Mehmet Pashë Tetova, Osman Haxhiu, Ibrahim Abullahu, Kristo Karbunara, Beqir Velo, Tol Arapi etj. Ai u bë mik i Avni Rustemit dhe antizogist i fuqishëm. Zaçe Xhelo ka këngë, por, përveç shkrimeve të studiuesit Idajet Jahaj, ende jo një libër të botuar. Ai mund të quhet dhe burri i kuvendeve të Labërisë. Më 12 mars 1900 u krijua në Vlorë klubi atdhetar “Lumi i Vlorës” me synim për hapjen e gjuhës shqipe në të gjithë fshatrat e Mesaplikut dhe të Labërisë. Anëtar i tij ishte dhe Zaçe Xhelo. Klubi kishte përhapje të gjerë, ku bënin pjesë dhe patriot si Hamit Lumit, Murat Tërbaçit, etj., që punonin dhe luftonin për përhapjen e gjuhës shqipe. Ndërsa më 11 tetor 1908 bëhet ndër anëtarët më aktivë të Klubit “Labëria” dhe ndikoi fuqishëm për formatimin e këtij klubi atdhetarësh në Lumin e Vlorës. Klubi atdhetar “Labëria”, e shtriu veprimtarinë e tij dhe në Mesaplik, ku anëtar qysh nga themelimi ishte dhe Zaçe Xhelo. Ai u bë një mbështetje dhe strehë e fuqishme e Ismail Qemalit si në tetor 1908 dhe në korrik 1913. Ndër atdhetarët që mbështetën kandidaturën e Ismail Qemeli për deputet në parlamentin turk, ishte dhe Zaçe Xhelo, që e priti I. Qemalin në Kuvendin e Mesaplikut më 1908, duke e pritur mik në shtëpinë e tij. Sipas kujtimeve të Ali Asllanit cilësuar nga prof. Bardhosh Gaçe “…në Smokthinë në shtëpinë e Zaçe Xhelos në vitin 1909 ishin strehuar shumë nga paria e Vlorës për të shpëtuar represioneve të turqve”.

 

Komandant çete patriotike

Në vitin 1909, ai ishte në mbështetje të Muharrem Rushiti dhe Spiro Ballkamenit për organizimin e forcave popullore në mbrojtjen e kufijve jugor të vendit dhe mori pjesë në mbledhjen e organizuar në Mavrovë. Zaçe Xhelo u përfshi në udhëheqje të shoqërisë “Dora e Zezë”. Shoqëria “Dora e Zezë” për Shqipërinë kishte objekt të punës së saj çlirimin nga pushtuesi turk, ku ngriti edhe në Vlorë çetën me emrin “Ja vdekje, ja liri”. Veprimtaria e kësaj shoqate u shtri në Mesaplik, ku burrat e shquar që ishin në udhëheqje të saj nga Smokthina përfaqësoheshin nga Zaçe Xhelo dhe Shero Emini. Gazeta “Liria e Shqipërisë” që botohen në Sofje të Bulgarisë në numrin e saj të datës 30 shtator 1909, ndër të tjera do të shkruante për luftimet që zhvilloheshin në Shqipërinë e Jugut. “Në orën 6.00, alla turka, krisi pushka në të dy anët. Habitej njeriu kur shikonte shqiptarë që luftonin me trimëri, si në kohën e Skënderbeut. Habitej si luftonte Zaçe Xhelo nga Smokthina dhe Shuko Dalipi nga Rexhini”. Në një shkrim tjetër shtypi i kohë do të shkruante se “Katër janë çetat që i kanë krijuar më dëm ndaj ushtrisë turke, ato me komandant Alem Mehmeti, Zaçe Xhelo, Namik Delvina, dhe Marko Qypin”. Me çetën e tij ai mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës, më korrik 1911, ku mbështeti memorandumin e Greçës për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ndër smokthinjotët që morën pjesë në ngritjen e Flamurit më 28 nëntor 1912 dhe shpalljen e pavarësisë ishte edhe miku i Ismail Qemalit. Mori pjesë në ngritjen e flamurit, në kuvendin e Kuçit më 26 dhjetor 1912, për mbrojtjen e kufijve jugor nga sulmet e grekëve, organizator ishte Halim Xhelo, drejtues i kuvendit Arif Mëhilli. Ndërsa Synimet e kuvendit i zbërtheu Eqerem bej Vlora. Në këtë kuvend u vendos që Lumi i Vlorës për çdo derë do të nxirrte një luftëtar të armatosur për luftë. Në përkrahje të kuvendit ai organizoi në shtëpinë e tij dhe themeloi shoqërinë “Opinga” për përparimin kombëtar. Zaçe Xhelo ishte pjesëmarrës aktiv, komandant dhe drejtues luftimesh në mbrojtje të qeverisë së Vlorës nga sulmet shoviniste greke gjatë viteve 1911-1912 dhe në Luftën e Bregdetit të vitit 1913 së bashku me shumë smokthinjotë. Në Luftën e Parë Botërore kur trupat italiane pushtuan Vlorën, në Lumin e Vlorës, për kundërshti të ngritjes së postave ushtarake në fshatrat e arrestojnë së bashku me 50 patriotë, ku e mbajtën 5 muaj në burg.

Anëtar i Këshillit të Luftës së Vlorës të vitit 1920

Në vitin 1919 në Vlorë është krijuar dhe ka operuar me degët e tij në gjithë krahinën e Lumit të Vlorës, por dhe në Mesaplik, Komiteti Kombëtar i Mbrojtjes. Ndër 27 pjesëmarrësit e tij, i njëmbëdhjeti në listë ishte dhe Zaçe Xhelo. Lëvizja për zgjerimin dhe organizimin e luftës kishte filluar. Në takimin e Armenit, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kazasë, më 23-24 shkurt 1920 u dha fjala dhe u lidh besa për të luftuar pushtuesin italian. Smokthina u përfaqësua nga Zaçe Xhelo. Në konakët e Zaçe Xhelos në Mesaplik, patriotët Qazim Ademi, Rexhep Sulejmani, etj., organizuan dhe mbas përgatitjeve të duhura më 20 maj 1920, zhvilluan një mbledhje mbarëkrahinore ku u fol dhe u vendos për kryengritjen e ardhshme që do të njihej me emrin “Lufta e Vlorës e vitit 1920”. Ndërsa parinë e Vlorës, sipas një shkrese të firmosur nga Osman Haxhiu “Më datë 24 maj 1920 piqemi në katundin Ramicë, në konakët e Zaçe Xhelos për kuvendin dhe pasdite tek “Rrepet e Ismail Qemalit”. Aty u bë një mbledhje mbarë popullore ku sipas kujtimeve të bashkëkohësve “… foli edhe Zaçe Xhelo, ky atdhetar i flaktë. Aty u vendos për mbledhjen e Kuvendit të Barçallasë më 29 maj 1920. Zaçe Xhelo, Shero Emini nga Smokthina shoqëruan Osman Haxhiun së bashku me kryepleqtë e fshatrave dhe morën pjesë në Kuvendin e Barçallasë. Në komitetin për drejtimin e luftimeve të Vlorës midis 38 burrave nga Kazaja e Vlorës ishin dhe tre smokthinjotë Zaçe Xhelo, Boro Miftari, Shero Emini. Më 30 maj 1920 Komisioni i Luftës me Osman Haxhiun në krye shkuan në Mesaplik tek konakët e Zaçe Xhelos ku diskutuan për planin e luftimeve. Ndërsa më 1 qershor 1920 anëtarë të këtij komisioni të shoqëruar nga smokthinjotët Zaçe Xhelo, Bajram Qamili, Zigur Lelo, Arif Rushani, Zoto Rakipi u ngjitën në Ramicë për të marrë pjesë në mbledhjen e Beunit, ku dhe do të jepej sinjali i luftimeve. Gazeta “Mbrojtja Kombëtare” e shoqatës me të njëjtin emër më 22 nëntor 1920 lajmëronte se në Mesaplik u mblodh parësia e 11 fshatrave dhe për të konsoliduar fitore e Luftës së Vlorës krijuan edhe këtu degët e shoqatës duke zgjedhur nga një anëtar nga çdo fshat. Nga Smokthina ishin Zaçe Xhelo për Ramicën, Boro Miftari për Matogjinin, Zyber Musai për Bashin. Gazeta “Mbrojtja Kombëtare” datë 9 dhjetor 1920 shkruan Nga Mesapliku “Në të 4 të këtij muaj në fshatin Ramicë (Kaza e Vlorës) u festua lirimi i Avniut (Rustemit) me entuziazëm të madh. Kur dëgjoi populli i fshatit u mblodh lart 100 vet nën kryesinë e Zaçe Xhelos dhe Bajram Qamilit dhe përçan rrugët e fshatit duke kënduar këngë kombëtare dhe valle labërishte”, shkruar nga Halim Xhelo me pseudonimin, Opinga.

Përsëri në protesta, në kuvende dhe në përkujtime

Në mitingun e protestës më 22 mars 1923 kundër Zogut që udhëhiqej nga Halim Xhelo të zhvilluar në komunën Brataj të Vlorës, morë pjesë 56 smokthinjot që udhëhiqeshin nga Zaçe Xhelo. Veprimtarinë luftëtari i mjaft kuvendeve e zhvilloj më tej, ku u bë dhe luftëtar i Kuvendit Zakonor i Labërisë, të mbajtur në Kuç të Kurveleshit, nga 28 nëntori deri më 4 dhjetor 1924 dhe që ndryshe u quajt dhe Kongresi i Labërisë. Në këtë kuvend do të merrte pjesë dhe kryeministri Fan Noli, por për shkak të ngjarjeve që po rrokulliseshin me shpejtësi, nuk mundi që të shkonte. Kuvendi i Labërisë ishte një hap përpara i pjekurisë politike të këtyre burrave që saktësuan mjaft nga normat dhe kodet e shoqërisë demokratike për të cilën luftonin. Zaçe Xhelo është firmëtari i dokumentit përfundimtar të Kuvendit të Kuçit të vitit 1924. Me ri-ardhjen në fuqi të Ahmet Zogut, në vitin 1925, atij si shumë patriotëve dhe luftëtarëve të tjerë ju bë izolim politik. Ai do të ndërronte jetë në vitin 1928 në moshën 55 vjeç, në konakët e tij në Mesaplik të Vlorës. Në vitin 1962, në kuadrin e 50 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë do të nderohej me dekoratën “Për veprimtari patriotike” nga Kuvendi i Shqipërisë. Ndërsa në kuadrin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, në Mesaplik, tek “Rrepet e Ismail Qemalit” do të ngrihej një memorial me kontributin e disa figurave të shoqërisë civile, ku është vendosur dhe një bust i Zaçe Xhelos, midis figurave të Lumit të Vlorës.