Prof. Qemal Lame: Telefonata e fundit mes Enverit dhe Mehmetit. Ja pse nuk e prit në darkë pak orë para vrasjes

792
Sigal

 

Situata e krijuar kundër kryeministrit Mehmet Shehu ka qenë e rëndë dhe vrasëse

Cila ishte telefonata e fundit mes Enverit dhe Mehmetit dhe çfarë biseduan

Enver Hoxha refuzoi ta presë Mehmetin me arsyetimin se: “kam njerëz për darkë

– Nëse Enver Hoxha e priste në takim atë natë Mehmet Shehun, dyshohet se kompromentohej i gjithë plani i tij për ta eliminuar

Në këtë pjesë tregohet se si Mehmeti me karakterin e tij dallohej pasi kishte dëshmuar gjithë jetën e tij trimëri dhe vendosmëri për të përballuar dhe kaluar situata të rënda. Por, në këtë rast ai do të ishte nën presionin direkt të udhëheqësit që ai i shërbeu gjithë jetën, të luftës politike nga të gjithë pjesëtarët e udhëheqjes që mbështesnin në kor udhëheqësin

Situata e krijuar kundër kryeministrit ka qenë e rëndë dhe vrasëse

Mehmeti me karakterin e tij dallohej pasi kishte dëshmuar gjithë jetën e tij trimëri dhe vendosmëri për të përballuar dhe kaluar situata të rënda. Në këtë rast ai do të ishte nën presionin direkt të udhëheqësit që ai i shërbeu gjithë jetën, të luftës politike nga të gjithë pjesëtarët e udhëheqjes që mbështesnin në kor udhëheqësin, nën kërcënimin e drejtpërdrejtë e të dukshëm të izolimit hermetik, të pamundësisë për të manovruar, të ndodhjes para faktit të vënies në lëvizje me gjithë forcën të çasteve të fundit me qëllimin vdekjeprurës të mekanizmit të eliminimit, të cilin ai e njihte aq mirë dhe ishte i bindur se do të vendoste fatin e tij përfundimtar.

Mbledhja, siç ndodhte përherë në rastet e ndëshkimeve, kuptohet natyrshëm se ka qenë e parapërgatitur.

Këtë e tregojnë edhe diskutimet e anëtarëve të Byrosë Politike për qëndrimet që do të mbanin dhe mbajtën realisht. Disa anëtarë të rinj e përmendnin thjesht me emër, “Mehmet”. Të tjerë, të cilët kanë pasur marrëdhënie më të ngushta dhe ruanin akoma respektin, e përmendnin si përherë duke i thënë “shoku Mehmet”. Fjala “shoku” ose “shoqe” përdorej si etikë e moralit komunist, por edhe si shenjë e respektit të veçantë në marrëdhëniet zyrtare. Këto personalitete me pozitën më të lartë në partinë-shtet ishin njëherësh edhe më të nënshtruarit ndaj pushtetit absolut, më të frikshmit në raport me vetveten dhe me udhëheqësin autoritar nga i cili varej edhe fati i tyre i mëtejshëm. Mehmeti, viktima e paragjykuar, ka ndjekur me vëmendje qëndrimet e rrepta të shokëve, ka kuptuar e ndier distancimet, sulmet agresive vdekjeprurëse dhe fundin e dramës së tij. Ngjarjet e mëvonshme janë pasojë e vazhdimësisë me gjykim të hekurt të dënimit të tij.

Akuzat për dualizëm të Mehmetit përkundrejt Enverit vihen në qendër të kritikave për të nxitur edhe më shumë reagimet dhe dënimin e tij. Ka rëndësi të vlerësohet fakti se vetë Enveri e ka mbështetur Mehmetin, e ka vënë në qendër të propagandës si pasardhësin e tij etj. Instituti i Marksizëm-Leninizmit, i drejtuar nga Nexhmija, me miratimin e Byrosë Politike, botoi veprat e Mehmet Shehut e më pas të Hysni Kapos. Me të drejtë del përfundimi se akuza për dualizëm është e qëllimshme për të shtuar gabimet, fajet dhe dënimin e Mehmetit. Këto akuza mund të jenë rënduar edhe nga qëndrimet e Mehmetit, i cili thuhet se ka dashur të lërë detyrën e kryeministrit dhe të marrë detyrën e Sekretarit të Komitetit Qendror pas vdekjes së Hysniut. Kjo do të rrezikonte konkretisht pushtetin e Enverit, që ishte i sëmurë dhe vinte rrallë në zyrën e tij në Komitetin Qendror. Akuzat e rënda dhe diskutimet me tonë të ashpra kanë qenë të mjaftueshme për përfundimin e mbledhjes. Nuk ka pasur arsye për t‘u shtyrë për të nesërmen. Nuk do të zbutej qëndrimi ndaj Mehmet Shehut. Ai ishte realisht i paragjykuar dhe i dënuar politikisht.

Formalisht Enveri do të fliste dhe do të jepte vendimin përfundimtar të nesërmen. Kështu do të mbyllej edhe epilogu i dramës së kryeministrit.

Qëndrimi i ashpër dhe goditja e krenarisë e personalitetit të Mehmet Shehut, nuk mund të linin vend për iluzione për ndonjë ndjenjë sentimentale të zbutjes së qëndrimit dhe dënimit. Është e njohur se Enveri ishte i paparashikueshëm për shkak të pushtetit absolut. Por në këtë rast ai do të ishte edhe më i rreptë se asnjëherë më parë. Duke goditur trashëgimtarin e tij, ai demonstronte forcën edhe në gjendjen e sëmurë që ishte. Kur goditej pasardhësi, secili e kishte të qartë se nuk kishte shanse që të mbijetonte në rast se vihej në shënjestrën e pushtetit vdekjeqëllues të udhëheqësit.

Mehmeti do të dënohej e eliminohej si kundërshtar i rrezikshëm politik. Nuk kishte më falje si në rastet e gabimeve të mëparshme, të vrasjeve të civilëve, ekzekutimit pa gjyq të partizanëve apo robërve italianë. Ishte kaluar me kritikë takimi me Titon në ‘Queen Elisabeth’, rrugës për në Nju Jork, për në OKB. Edhe dashuria dhe marrëdhëniet demonstrative me rusët nuk kishin arritur të lëkundnin pozicionin e Mehmetit.

Këto faje janë diskutuar me rreptësi në kohën kur kanë ndodhur, por vendimet kanë qenë të buta. Në të vërtetë, ka rëndësi të kuptohet se ato nuk kanë qenë shenja sentimentalizmi apo diskutime shokësh në parti. Mehmeti nuk bënte asnjë veprim pa pyetur më parë Enverin. Kur ato gjykoheshin më vonë si gabime, atëherë do të gjendej faji jo tek udhëheqësi që nuk gabon asnjëherë, por tek të tjerët.

Pushteti absolut i udhëheqësit ndihej konkretisht me anë të urdhrit dhe frikës që ai impononte tek të gjithë për t‘iu nënshtruar të bindur dhe pa asnjë rezervë.

Këtë parim dhe këto raporte me udhëheqësin i kishte pranuar që në fillim Mehmeti, prandaj kishte arritur të mbijetonte aq gjatë në krah të tij. Kishte marrë përsipër gabimet e bëra nga Komandanti. Komandanti e kishte kritikuar rëndë dhe në fund i kishte dhënë dorën si shok dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë. Kështu ai largonte edhe dyshimet për përgjegjësitë e tij. Në këtë rast kishte ardhur fundi i Mehmetit dhe ai duhej të shkonte me të tjerët.

Ramizi, Kadriu dhe gjithë anëtarët e tjerë të Byrosë Politike ishin të bindur dhe nuk kishte asnjë iluzion tjetër. Mehmeti do të ndëshkohej përfundimisht.

Eliminimi i tij hapte rrugën për Ramizin. Rivaliteti i Kadriut bëhej edhe 224 më i dobët për vetë faktin se nuk kishte mbështetjen e Enverit si kushti kryesor për pushtet më të madh. Edhe vendin e Mehmetit nuk mund ta arrinte po për këtë arsye.

  1. Telefonata e fundit mes Enverit dhe Mehmetit

I lodhur nga atmosfera terrorizuese- që zotëronte në mbledhjen e Byrosë Politike, Mehmet Shehu ka mbërritur në mbrëmje në shtëpi. Të gjithë atë mbrëmje kishin qenë kundër tij. Ndryshe nga herët e tjera, anëtarët e Byrosë Politike ishin të gjithë në garë se kush ta sulmonte më parë. Secili kërkonte të dëshmonte para udhëheqësit se ishte besnik, e mbështeste pa rezerva dhe dënonin me ashpërsi Mehmetin, ashtu siç mendonte ai dhe ashtu siç kërkohej prej tyre. Enveri e kishte të përfunduar dhe fituar betejën ndaj Mehmetit. Mbledhja do të ishte ceremonia zyrtare e gjyqit politik për të dokumentuar qëndrimet për të ardhmen, ashtu siç kishte vendosur vetë Enveri.

Pak minuta para se të futej në dhomën e tij, Mehmet Shehu i ka telefonuar Enver Hoxhës, të cilit i ka kërkuar takim të menjëhershëm dhe të shkurtër në mënyrë që mbledhja e nesërme e Byrosë të dilte një “gjë e pjekur”.

Enver Hoxha ka refuzuar ta presë Mehmetin me arsyetimin se: “kam njerëz për darkë”.

Përgjigjja e dhënë me një argumentim fals, të gënjeshtërt tregonte nënvleftësim në krahasim me miqësinë e traditën e marrëdhënieve të tyre. Kuptohet se jepej mesazhi që ky ishte një refuzim, poshtërim dhe ndarje përfundimtare.

Në asnjë material apo të dhënë nuk vërtetohet se cilin ka pasur atë natë “për darkë” Enver Hoxha.

Nëse e analizojmë me objektivitet këtë moment, del se Mehmet Shehu, po të kishte ndër mend të vriste veten, nuk kishte pse t`i telefononte Enver Hoxhës dhe t`i kërkonte takim. Nga ana tjetër, nëse Enver Hoxha e priste në takim atë natë Mehmet Shehun, dyshohet se kompromentohej i gjithë plani i tij për ta eliminuar atë natë. Familjarët kanë shpjeguar se atë mbrëmje Mehmeti, pasi është përshëndetur me pjesëtarët e pranishëm të familjes, është futur në studion e tij dhe ka filluar të shkruajë autokritikën e kërkuar për ditën e nesërme.

Në interpretim të këtyre të dhënave dhe mbi praktikën e njohur të vetëvrasjeve, nuk mund të ndodhë kaq thjesht që një njeri, i cili ka ndër mend të vrasë veten, të merret me autokritika, por me gjëra të tjera më të rëndësishme për të dhe familjen. Po kështu, thuhet se ai ka shkruar për disa orë atë që do të thoshte të nesërmen para “shokëve të Byrosë”. Lëvizjet brenda shtëpisë së Mehmet Shehut kanë vazhduar deri në orën 1.30 të mëngjesit. Kjo do të thotë se vrasje para kësaj ore nuk ka pasur. Këtë e provon edhe fakti se djali i Mehmetit, Vladimiri, ka kaluar pranë derës së Mehmetit në këtë orë dhe ai ka qenë akoma duke shkruar dhe me dritën e dhomës të pashuar. Mehmet Shehu kishte vite që flinte veç bashkëshortes së tij Fiqiretit. Mbase kjo gjë është shfrytëzuar me mjaft mjeshtëri edhe nga ata që i sollën vdekjen.148

Gjendja ndërgjegjësore, situata politike e krijuar, si dhe kushtet në të cilat ai jetonte kanë rëndësi për t‘u thelluar në analizën e dramës së kryeministrit. Këtë përfundim e gjejmë edhe në publikimet mediatike.

Pas Mehmetit do të niste skenari për Kadriun. Do të ndodhte edhe stuhia politike e goditje së shpejtë të tij, pasi mbetej pretendenti i vetëm me potencë që konkurronte Ramizin e përzgjedhur. Kadriu qëndronte si përherë në krah të Enverit, reagonte me rreptësi kundër Mehmetit dhe nuk ndiente ndonjë rrezik për veten e tij. Por besnikëria dhe bindja e padiskutueshme që kishte dëshmuar në gjithë karrierën politike nuk do të kishin më vlerë. Kishte ardhur radha e tij për t‘u ndëshkuar. Kadriu nuk arriti ta vlerësonte mundësinë e rrezikut që e kanoste, me gjithë përvojën e gjatë të bashkautorësisë në eliminimin e kundërshtarëve të Enverit. Megjithatë, theksojmë se fakti i largimit të tij nga Ministria e Brendshme ishte sinjal i qartë se nuk do të ishte më i mirëbesuar. Nga analiza e qëndrimeve të Kadriut dhe mënyra se si reagonte ai në veprimtarinë e tij si ministër i Mbrojtjes, linte të kuptohej se nuk ndihej komod në atë detyrë. Ai duhet të ketë ndier në brendësi të ndërgjegjes rrezikun, pasi Enveri ishte i paparashikueshëm. Ndaj Kadriut qëndronte fajësia për ngjarjet e mistershme të pasqaruara. Ai ishte prova tjetër pas Mehmetit që mund të dëmtonte Enverin. Për këto arsye duhet ta ketë ndier rrezikun, nuk ka pasur mundësi për ta mënjanur dhe do të ketë shpresuar të shpëtojë të paktën jetën dhe familjen

Mesnata e vdekjes makabre të kryeministrit

Në mesnatën e datës 17 dhjetor 1981, duke aguar 18 dhjetori 1981, ka ndodhur ngjarja e mbetur mister e fatit tragjik të kryeministrit në detyrë  dhe në kulmin e karrierës së tij.

Horrori kishte ndodhur në Bllokun e blinduar dhe fortifikuar, në kushtet e ruajtjes dhe sigurisë maksimale.

Publikisht u njoftua oguri i vdekjes së Mehmet Shehut, duke u komunikuar si vetëvrasje.

– Marrja dijeni dhe përhapja e lajmit të vdekjes!

E vërteta ka mbetur në mendjen e urdhëruesit, e ekzekutorëve dhe e fotografuar vetëm nga muret e ftohta të skenës së dramës së vrasjes makabre!

18 dhjetor 1981

Rreth orës 8:00

Fiqiret Shehu:

„Mbrëmjen e datës 17 dhjetor Mehmeti erdhi në shtëpi i mërzitur, më tregoi fare shkurt për mbledhjen e Byrosë Politike. Nuk deshi të hajë darkë dhe tha se do të shkonte lart në studio, do të përgatitej për mbledhjen e Byrosë, që do të vazhdonte të nesërmen. I thashë që të flinte, se të nesërmen kishte kohë për t‘u përgatitur, por Mehmeti nuk deshi. Shkoi lart në studio, që ishte ngjitur me dhomën e tij të fjetjes. Kur shkova unë rreth orës 22.30 lart, për të fjetur në dhomën time, që është pranë dhomës së Mehmetit, pashë që kishte dritë në dhomën e tij. Në mëngjes u ngrita rreth orës 07:30, por Mehmeti nuk ishte ngritur. Kur vajti ora rreth 08:00 dhe pashë se Mehmeti nuk po ngrihej, hyra së bashku me djalin, Ladin, në dhomën e tij për ta zgjuar, por pamë se ai kishte vrarë veten. Thirrëm Ali Çenon dhe doktorin, ata erdhën lart dhe panë Mehmetin të vdekur. Mehmeti kishte lënë një letër, të cilën e mori Kadriu kur erdhi për ngjarjen në mëngjes. Kadriu me nervozizëm tha: ‚Çfarë bëri ky njeri kështu? Byroja kishte vendosur t‘i jepte vetëm një vërejtje‘. Nuk i bëra pyetje për më gjatë për këtë çështje.“149

Marjeta Shehu:

“Në mëngjes, si zakonisht, pa ditur kurrfarë gjëje mbi ndodhinë tragjike në dhomën e tim vjehrri, shkova në shkollë. Rreth orës 08:30 erdhën më morën e më thanë se djali ishte pak pa qejf. Kur vajta në shtëpi, gjeta kujën, po qanin. Në atë çast mësova se Mehmeti kishte vrarë veten.“150

Ish-komandanti i Gardës së Republikës, koloneli në pension Xhafer Peçi:

Në deklarimet e tij publike ai ka deklaruar se ka bindje të plotë në vetëvrasjen e Mehmet Shehut natën duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981. Ai e argumenton bindjen e tij me njohjen personale, si dhe me provën e gjetur në vendin e ngjarjes që vërteton këtë fakt: “letër-testamenti” prej 19 faqesh që ai kishte lënë mbi komodinën e dhomës së gjumit…

Armatimi personal. Arma e përdorur në ngjarjen e deklaruar si vetëvrasje.

Zyrtari i lartë ushtarak jep të dhëna për armatimin dhe argumenton edhe mendimin e tij për armën me të cilën është kryer vetëvrasja. Ai thekson, po në mënyrë bindëse, faktet e njohura edhe më parë, se Mehmet Shehu kishte disa armë zjarri në vilën e tij; çifte gjuetie dhe pushkë automatike, trofe nga lufta.

Por ka preferuar që për largimin e tij nga jeta të përdorte një pistoletë “Makarov”, të cilën e kishte dhuratë të veçantë nga Zhukovi.151

Marrëdhëniet e komandantit të Gardës së Republikës me Mehmet Shehun.

Xhafer Peçi, tashmë 87 vjeç, thotë se e kujton fare mirë se ç’ndodhi ditën që mori vesh se kryeministri shqiptar Mehmet Shehu ishte vetëvrarë. Madje ai shprehet se me këtë ngjarje është i lidhur edhe largimi i tij nga drejtimi i Gardës së Republikës. Donte apo s’donte ai, nën zë flitej se Xhafer Peçi ishte njeri i Mehmetit, përderisa kishin qenë së bashku në Brigadën I Sulmuese.

Shërbimet në Bllokun e udhëheqjes vazhdonin normalisht edhe pas mbledhjes së Byrosë Politike.

Natën e 17 dhjetorit 1981 shërbimet në Bllokun e udhëheqjes vazhdonin normalisht dhe s’kishte asgjë për t’u shqetësuar.

Mbledhja e Byrosë Politike kishte përfunduar vonë, por se çfarë ishte diskutuar në të futej në cilësimin “top sekret”. Në mënyrë të përgjithshme dihej vetëm se ish-kryeministri ishte vendosur në shënjestër të kritikave. Ishte koha kur kundër tij ishin hedhur edhe ata, si Lenka Çuko apo Simon Stefani, që, edhe pse anëtarë të një forumi të lartë siç ishte Byroja Politike, nuk ishin ndier kurrë më parë. Por vetëm kaq. Askush nga personeli i shërbimit nuk e merrte me mend se vetëm pak orë më vonë gjithçka do të ishte ndryshe.152

– Lajmi për vdekjen e kryeministrit ka qenë i papritur dhe tronditës

Për sa i përket marrjes vesh se kryeministri shqiptar kishte humbur jetën nga një akt vetëvrasjeje, ish-komandanti i Gardës së Republikës, kolonel Xhafer Peçi, kujton: “Lajmin e vetëvrasjes unë e mora vesh të nesërmen në mëngjesin e 18 dhjetorit. Më mori në telefon zëvendësministri i Brendshëm, Xhule Çiraku, i cili përgjigjej drejtpërdrejt për Gardën.

Sapo u mor vesh lajmi i vetëvrasjes së Mehmet Shehut, të parët që shkuan aty ishin Kadri Hazbiu dhe Ramiz Alia.

Njerëzit që përgjigjeshin për jetën e tij kishin vënë re vonesën e shefit të tyre, gjë që nuk kishte ndodhur më parë. Atëherë ata kishin hyrë në dhomën e tij të fjetjes dhe kur kishin vënë re tragjedinë, kishin bërë njoftimet e duhura”.153

Njoftimi, reagimi dhe kontaktet e para te vila e kryeministrit

Xhafer Peçi thotë se, për sa kishte ndodhur, ai ishte tronditur shumë, sepse me Mehmetin ishin të njohur të vjetër, kishin luftuar së bashku dhe, për më tepër, kishte marrëdhënie shumë të mira me të. Me makinën e tij shkon urgjent përpara vilës së kryeministrit, ku fillimisht takohet me Kadri Hazbiun, Xhule Çirakun dhe Llambi Ziçishtin, që në atë kohë ishte ministër i Shëndetësisë.

Fillimisht Kadriu me Xhulen e porositën që të mos njoftonte asgjë për ngjarjen derisa të sqarohej gjithçka. Menjëherë pas kësaj Xhafer Peçi jep urdhër që të përforcohej shërbimi i brendshëm dhe të kalohej në gatishmëri të lartë.

Ai kujton se gjatë kohës që po priste në oborrin e vilës, e pyet shefin e grupit të shoqërimit të kryeministrit, Ali Çenon, se si kishte ndodhur ngjarja dhe nga ai merr këtë përgjigje: “Ne nuk kemi dëgjuar gjë, asnjë krismë, por po presim se çfarë do të na thonë dhe se si ka ndodhur puna”.154

“Para ikjes, Kadriu na tha që të forconim shërbimet e të vazhdonte ekspertiza mjekësore-ligjore. Ai sakaq ishte shumë i tronditur. Në ato çaste ne pamë Enver Hoxhën që doli nga vila e tij dhe po shkonte për në mbledhjen e Byrosë Politike. Brenda në vilë, ku ishte kryeministri i vdekur, u futën Llambi Ziçishti me njerëzit e tij. Kur dolën prej andej, ata na thanë se vetëvrasja kishte ndodhur rreth orës 3:00 të natës.”