Besnik Velaj: Namik e Mynevere Osmani nga Ballkoni i Vlorës

2190
Sigal

Myzeqeja ishte ndezur nga urrejtja dhe kërkonte që Hamit Matjani të kapej i gjallë e të dënohej rëndë

Namik dhe Mynevere Osmani nga ballkoni i Vlorës

Kalaja e Kaninës shtrihet mbi një kodër 377 metra mbi nivelin e detit dhe 5 kilometra në juglindje të qytetit. Zotëron bregdetin si dhe fushat në lindje të qytetit Vlorës. Kjo kala shkëmb graniti kundra armiqve ruan historinë e saj të qindra e qindra vjetëve për gratë, burrat kaninjotë, qysh nga shekulli IV , ku banohej nga fisi ilir i Amantëve, në Mesjetën e Vonë. Fshati i Kaninës nën të është ballkoni i Vlorës ku shihet deti Jon si pasqyrë, Karaburuni dhe Sazani. Në këto gjurmë sot – po sot, ka ecur dhe Vera Osmani, bija e respektuar e familjes Velaj, e cila ndërroi jetë para do kohësh. Ajo lindi në Kaninë më 1-3-1912. Fëmijërinë dhe rininë e kaloi në gjirin e familjes së saj. Këtu u edukua me ndjenja të larta atdhedashurie dhe patriotike. Ne ato vite të zjarrta, kur në qytetin e Vlorës lëvizja patriotike anti-turke ishte në nivele kulmore, familja e Myneveres (Verës) e në mënyrë të veçantë, xhaxhai i saj, i madhi Beqir Velaj ishte ndër pishtarët e parë që ndriçonte stan me stan, kasolle më kasolle e shtëpi më shtëpi të trevave të Vlorës e të Labërisë duke tejçuar në to mësimin e gjuhës shqipe, në themel të së cilës ishte vepra e rilindësve të mëdhenj. Ai e kryente ketë punë heroike në bashkëpunim me patriotë të tjerë të Kaninës e të Vlorës, e në mënyrë të veçantë me Musa Berberin apo Musa Çakërrin, i cili berberhanën e tij e kishte vënë në shërbim të lëvizjes për mësimin e gjuhë shqipe. Ndoshta ky bashkëpunim atdhetar e patriotik i familjes Çakërri nga njëra anë dhe familjes Velaj nga ana tjetër – ku hynë dhe bashkëpunimi i babait të Verës, Imer Velaj nga ana tjetër, nxiti patriotin Laver Hamit Velaj që të bëjë lidhjen e një miqësie të pazgjidhshme midis tyre. Ajo u arrit vite më vonë, kur Vera në kulmin e rinisë saj u martua me djalin e vajzës së Musa Çakërrit, e cila ishte martuar po në Kaninë me djalin e Musa Osmanit. Martesa e Verës me Namik Osmanin ishte një arritje e goditur. Çifti i ri, vitet e para të martesës i kaloi në krahët e stuhisë së Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Vera përkrah bashkëshortit Namikut kreu detyra tepër të vështira dhe heroike. Ajo së bashku me vjehrrën e saj, Naile shqiponjën, çau disa herë rrethimin e hekurt të pushtuesve fashistë e nazistë për të çuar në bazat e Luftës Nacional Çlirimtare materiale të një rëndësie të veçantë. Shtëpia e saj ishte një nga bazat e rëndësishme të Luftës. Aty ajo përkrah të shoqit merrte pjesë aktive për organizimin dhe drejtimin e veprimtarive të Luftës kundër okupatorit. Hallet dhe dertet e Luftës rënduan mbi të shoqin dhe mbi tërë familjen e saj. Më se dy herë u dogjën shtëpitë e Namik Osmanit. Kjo e detyroi Verën dhe vjehrrin e saj të mërgonte dhe të strehohej diku tjetër. Madje në një nga këto raste Vera ishte në muajin e fundit të shtatzënisë. Në një nga dhomat e Tahir Myftarit lindi Velesien, vajzën e saj më të vogël. Aty në prani të nënë Havasë, Vera u nda nga dhimbjet e lindjes edhe kur gjuhët e flakës së shtëpisë nuk ishin shuar, dëgjoi klithmën e ëmbël të zërit të vajzës së porsalindur, Velesies. Pra, Vera i dha Luftës rininë e saj, ndërsa lufta nxori në pah karakterin e saj trimëror dhe patriotik. Ajo i përshkoi ato si shqiponjë dhe fitoi. Edhe më tej pas çlirimit së bashku me të shoqin i përballoi më përkushtim dallgët e jetës. Lufta për ta nuk kishte mbaruar. Ishin djemtë dhe vajzat që e rrethonin si unazë këto diamante të çmuar që i rezistuan kohës me heroizëm. Në buzëqeshjen e të shoqit, vetë Zotit, ajo gjente shpresën dhe forcat për të rritur dhe edukuar fëmijët që hidhnin shtat dhe shkëlqenin si yje nga dita në ditë. Ata ishin dhe mbetën gëzimi dhe krenaria e saj. I shoqi Namiku e vazhdoi luftën për të siguruar pranverën që sapo kishte çelur në Shqipëri, po me pseudonimin e Luftës Nac.Çlirimtare: “Proletari i Kaninës”. Ai është një nga dhjetëra luftëtarë që ka dhënë kontribut në luftë me bandat e kriminelët, tradhtarë e diversantë. Komunist i vitit 1942. Luftëtar i ditëve të para për çlirimin e Atdheut. Pas çlirimit, triumfit të një epoke të re, caktohet me detyra të rëndësishme në organet e sigurimit të shtetit. Në dhjetor 1946-s kryetar i degës së punëve të brendshme në Lushnjë. Në këtë kohë ai shkruante: “I kërkoj tradhtarët të na japin llogari. Djersën dhe gjakun na pinë. Atdheun e deshën në “zi”. Sa mirë i njeh dhe sa fort i urren ai kriminelët, tradhtarët. Ja si e përshkruan rënien e tij heroike shkrimtari i madh, Petro Marko, shoku i tij që nga Tregtarja e Vlorës dhe miku i Kaninës. 

Rënia e Dragoit për Atdhe

Kur “Proletari” priste në zyrë, në pyllin e dendur të Shegasit, afër Matjanit, në atë shi e në mjegull, lëvizte një gjarpër me dymbëdhjetë kokë, duke pasur në krye kokën e Hamit Matjanit. Kodra e pyllëzuar ishte si një urith i murrmë dhe shtigjet e atij pylli nuk kaloheshin lehtë. Hamiti i regjur në jetën e kriminelit ishte i shpejtë dhe dinte ku e hidhte këmbën. Gjarpri me dymbëdhjetë kokë -se 12 kishte me vete Hamit Matjani – shkelte pa lënë gjurmë. Ishin të uritur, të pa rruar, të çjerrë, sepse s’kishin më baza, s’kishin më ku të qëndronin pak minuta të sigurt. Toka u shkiste dhe i përvëlonte. Agjenturat e huaja me të cilët ishin lidhur i detyronin të bënin krime të tjera aty ku ishin. Myzeqeja ishte ndezur nga urrejtja dhe kërkonte që Hamit Matjani të kapej i gjallë e të dënohej rëndë, mu në mes të fushës së lirë. Ecte gjarpri me 12 kokë në atë pyll të dendur. Fytyrat e njerëzve të tij ishin të panjohura nga lemeritë që kishin vuajtur gjithnjë ferrave, pa ngrënë e kurdoherë në ndjekje të vazhduara. Vazhdonte zvarritja mes shtigjeve plot driza e ferra të pyllit, në kodrat e Shegasit. Vendi ishte mbuluar me mjegull dhe shiu i imtë binte pa pushim. Kohë shumë e përshtatshme për zvarritjen e gjarpërinjve për tek pylli tjetër, sepse Hamit Matjani ishte një bandit, i cili kurrë nuk qëndronte në një vend, e dinte që ndiqej këmba-këmbës.

Në ndjekje të Hamit Matjanit

“Proletari” rrinte në dritare. E merrte me mend se Hamit Matjani me shokët e tij rrëshqisnin diku. Po ku? Atje ku…Ta shohim. Pres, “Bandë e mallkuar”!- tha me zë. -Por dije se…” Dhe lëvizi e nisi të shëtiste në zyrë. Nuk i rrihej. Ai ishte i sigurt se njeriu që priste do të vinte. Patjetër do të vinte. Fijet e profesionit të tij janë të shumta, por të drejta:të gjitha mbarojnë aty ku duhet. Ra telefoni. “Proletari” ngriti receptorin. Ai që fliste ishte komandanti i kompanisë së mbrojtjes. Kërkonte ndonjë lajm të ri. –Pres… –Po më duket se… –Tani për tani nuk të them asgjë. – Ashtu? -Por dije se diçka luan: More vesh?_ -Mos u largo! Si kurdoherë në gatishmëri. –Mirë. – Po mos kujto se kemi diçka këtu në rrethin tonë. Jo. Larg përtej malit nga ana e …(Këtij i tha me kuptim)- dhe e mbylli telefonin. Nisi të shëtiste. Ishte bërë nervoz. Trokiti dera. Hyri brenda një fshatar i mbytur në baltë. Dukej shumë i lodhur dhe mezi foli -Vij nga ana e shokut… -Ku është? -Ai tani është në bregun e djathtë të fshatit Shegas dhe më tha… “Proletari” e dëgjoi. Pastaj i tha të ulej. I dha një cigare dhe përsëri e pyeti. U sigurua mirë. Menjëherë mori në telefon kapitenin dhe në pak minuta më mjetet që kishte vuri në dijeni dhe ministrinë: “Hamit Matjani me 12 vetë është dukur në pyjet e Shegasit…”. U vumë në dijeni edhe forcat e policisë, si dhe…Për pak çaste të gjitha forcat ndjekëse ishin në lëvizje për tek pikat e caktuara. Në atë marshim të shpejtë morën pjesë dhe të tjerë. Plani i studiuar mirë po vihej menjëherë në zbatim. Shiu nisi të binte me gjyma. Horizonti ishte i mbyllur dhe kodrat e përrenjtë e shumtë nuk dukeshin. “Proletari”, në krye të shokëve të tij, shpejtonte për tek vendi i caktuar. Arritën vonë. Atë shok e gjeti tek vendi. Ishte bërë i panjohur nga shiu dhe nga lodhja. -Jam i sigurt se janë brenda në pyll. Dymbëdhjetë vetë. Nuk kanë dalë. Ata do të shkonin këtej, por nuk janë dukur. “Proletari” e përqafoi. Dukej se nata e gjatë e pritjes po mbaronte, siç mbaron çdo natë. Namik Osmani nga Kanina e kaloi në pritje e kontrolle. Grupet e shokëve të shpërndarë në pika të shumta, e dëgjonin të fliste si komisar, si ushtar i Atdheut dhe sigurimit të tij. Pastaj ulej në një pikë, nga dominonte një sektor të gjerë dhe as vetë nuk e kuptonte dot pse i kishte hipur një dëshirë e çuditshme: Të bëhej prokurori i gjyqit të popullit po të shtinte të gjallë në dorë kriminelin Hamit Matjanin. -Shoku toger!-dëgjoi zërin e shokut pranë. Namiku ndërpreu mendimet: -Ç’është? -Më duket se atje…Ja shiko atje… Namiku ishte i bindur se organizimi i rrethimit ishte kryer me shumë kujdes, prandaj priste me ankth nisjen e përpjekjes. Shikonte me vëmendjen e njeriut të profesionit të tij dhe nuk shquante asgjë. Plaku nga Hysgjokaj priste me padurim dhe i tha me zë të ulët Namikut që ishte pranë: -Kësaj radhe nuk na shpëton!- i tha -Jo or shoku Rustem, i tha Namiku. (E njohu Rustemin nga Hysgjokaj ashtu siç i njihte të gjithë ata fshatarë që tërë natën, në shi e në baltë, prisnin orën të ndesheshin me një nga kriminelët më të rrezikshëm).- me çdo kusht duhet ta kapim të gjallë e ta gjezdisim të lidhur në të gjithë ato fshatra ku ka kryer krime të shëmtuara. Arma e sigurimit të popullit, Atdheut je ti, jam unë, janë të gjithë ata trima atdhetarë që e kanë rrethuar, prandaj s’ka se si na shpëton, o Rustem. Flisnin me zë shumë të ulët, barkas një korie që ndahej prej pyllit të dendur të rrethuar prej një përroi, faqet e të cilit ishin të zhveshura. Frynte era e agimit, që nisi të shpërndante mjegullën. Shiu ishte rralluar. Një heshtje e madhe. Tutje, në largësitë të rrugës u dëgjua uturima e largët e një makine. U dëgjua një krismë! “Proletari”, i regjur me ndjekjen e kriminelëve, dinte shumë gjëra. Dinte ç’diversion mund të bënte Hamiti. U gëzua, pasi tani u sigurua që banditi ishte aty, i rrethuar.

-Andej shoku toger, i thirri një fshatar, andej u dëgjua krisma! -Po. E dëgjova! Mos kujto se nuk e dëgjova krismën. E di, por ai ka për të dalë këtej ose prapa bregores. Dhe ashtu ndodhi. Një batare e shpejtë krisi nga ana që e priste. Namiku u dha urdhër shokëve të kishin mendjen e të mos nxitoheshin. Kaloi nga një sektor në tjetrin. Kuptoi që Hamit Matjani i kishte parë dhe do të kërkonte të çante rrethimin nga kjo anë. Vendosi mirë mitralierin dhe vetë me “valterin”në dorë thirri: “Hamit Matjani, je i rrethuar! Dil në shesh të burrave ose dorëzohu!” Batareja tjetër u dëgjua dhe ndjeu fishkëllimën e predhave t’i kalonin pranë kokës. U hodh në pozicionin tjetër. Bataretë u ndezën nga të dy anët. Drita kishte zbardhur mirë dhe shiu ishte rralluar. Namikut i bëhej zëmra mal kur shihte ata myzeqarë të ndezur nga urrejtja të qëllonin dhe të hidheshin nga posti në post duke iu afruar pyllit. Krisi pushka në shumë pika. Edhe banda ishte ndarë në grupe dhe përpiqej të gjente një shteg për t’u hedhur në anën tjetër të përroit. Luftë! Luftë e vërtetë! Namikut këto krisma të dendura i ndiznin gjakun dhe i sillnin ndërmend betejat legjendare të Brigadës së tij V Sulmuese në ndjekje të gjermanëve dhe të tradhtarëve. I bëhej sikur gjithë Shqipëria oshtinte nga krismat e kësaj beteje, që patjetër do të mbaronte me fitoren e popullit,me fitoren e Armës së tij të dashur të sigurimit të atdheut. -Të gjallë Të gjallë e duam!- thërriste dhe hidhej nga një sektor në tjetrin. Mitraljeri i tij u godit, por nuk e la mitralozin. Namiku i pa gjakun t’i rridhte i tha: -Ma lër mua mitralozin! -Jo shoku toger. Nuk kam asgjë. Por ki mendjen se plumbi erdhi nga ai drejtim, nga ai drejtim… “Proletari “ nga Kanina u kthye andej nga vinin plumbat dhe thirri: -O Hamit Matjani, e di kush të ka rrethuar? Populli i këtyre fshatrave, që i ke terrorizuar! Të ka rrethuar arma e sigurimit dhe s’ke si del i gjallë, prandaj më mirë dorëzohu!

Çastet dhe orët kalonin me shpejtësinë e batareve që nuk pushonin. Kryebanditi Hamit Matjani e pa që e kishte pisk punën. E pa si binin njeri pas tjetrit banditët e tij dhe me marifetin e njeriut të stërvitur, kërkonte të rezistonte deri sa të mbaronte ajo ditë. E pastaj ai vetë, duke lënë shokët e tij të çante rrethimin. Nuk i dhimbseshin shokët. Përkundrazi, ai me armë në dorë i shtynte të hidheshin nga shtegu në shteg, gjersa të vriteshin. Vetë ruhej si djalli dhe dëgjonte thirrjet e Namikut: “Dil në ta mban, mos qëndro mbas banditëve të tu! Ju, o banditë pse e dëgjoni? Pse kërkoni t’i shtoni krimet tuaja? Nuk e njohët ç’kriminel keni mbi krye? Dorëzohuni! Asnjë s’ka për të dalë i gjallë!” Proletari e kuptoi manovrën e Hamitit: “Ai kërkon të rezistojë gjersa të erret. Por unë nuk do ta lë t’i shohë më yjet e natës, se ai vetëm yjet e natës sheh”. U ngrit dhe thirri: – Në sulm para se të erret! Ta zëmë të gjallë!- dhe u hodh në sulm, ashtu siç hidhej në sulm kur ishte komisar, në këmbë, duke thirrur: “Para partizanë!”. Shokët u ngritën dhe sulmuan pas tij. Fshatarët e Shegasit e të Matjanit, të Garunjasit e të të gjithë fshatrave për rreth e rreth gjithë ditën e prisnin me ankth lajmin e vrasjes ose të kapjes së kriminelit. Po atë ditë dhe natë të gjatë të përpjekjes ai nuk u vra. Ra Namiku që sulmonte në këmbë duke i thirrur kriminelit që të dilte nga vrima ku ishte futur. Ai deshi ta kapte të gjallë dhe ta gjykonte në sallë të hapur e të madhe, ku të merrnin pjesë të afërmit e viktimave të shumta të Hamit Matjanit. Namiku thirri: ”Ja sot, ja nesër ti do të kapesh i gjallë! Ne s’kemi lënë këmbë banditi dhe s’kemi për të lënë asnjë që ta shkelë me gjak partizani!” Krismat bëheshin më të dendura kur dëgjohej zëri i Namikut. Dhe një çast, kur ky ushtar besnik i atdheut dhe i popullit nisi të depërtonte në zonën e rrezikshme të banditëve u godit. Dhe para se të binte përsëri foli me zë të lartë: “Dije se ai nuk shpëton, siç nuk do të shpëtojë asnjë armik i Shqipërisë trime! Ju jini bastardët e fundit, që do të jepni llogari!” Dhimbja për Verën ishte e madhe, por gjindja që e rrethonte si kulpra lisin e thatë ia lehtësonte atë. Po ashtu fëmijët e që i pati pranë gjatë gjithë jetës së saj iu bënë melhem për plagën. Ata u rritën, u arsimuan dhe zunë vende të nderuara në shoqëri. Më tej nipërit dhe mbesat çelën dhe buzëqeshjen tek Vera, tek ajo Verë për të cilën Namiku punoi, luftoi dhe ra heroikisht për lulëzimin e saj. Jeta dhe vepra e Namik Osmanit dhe shoqes së tij të armëve partizane dhe shoqe e jetës Myneveres (Verës) do të mbetet shembull krenarie dhe edukimi për familjen dhe brezat! Në Kaninë, ku kanë vendin e tyre fisi Osmanaj, quhet vendi birinxhi ose vendi i të parëve në Ballkonin e Vlorës. Të parët qofshin! Respekt e nderim të parëve! Të parëve për atdhe dhe Shqipërinë e lirë me Kosovë e Çamëri!