Bashkim Koçi/ Qetsor Kaltanji, kolonjari që la shpirtin në Skrapar

1072
Në vitin 1971, në muajin shtator, më kujtohen vajtje-ardhjet, gati të përditëshme, në Çorovodë, me merakun e marrjes vesh të emërimit për të filluar punë. Ishim katër apo pesë studentë që sapo kishim mbaruar Institutin e Lartë të Bujqësisë, të specialitetit të agronomit. Si të rinj që ishim, të pa rrahur nga jeta, na duhej të pyesnim, të merrnim informacion për “të mëdhenjtë” që drejtonin punët në Skrapar, për ata që në fakt kishin, në një farë mënyre, edhe fatin e sejcilit prej nesh. Mund të të degdisnin, fjalavjen, në “fund të Botës”, në kooperativën e Dobrenjit, por edhe mund të qëndroje aty, rreth e rreth Çorovodës, që të ishe me fat për ta pirë kafen e mëngjesit tek lokali buzë Osumit, tek “Sorkadhja”.
Në atë kohë, pra kur nuk isha ende as student, e as specialist bujqësie, në ajër, si i thonë fjalës, kam dëgjuar për herë të parë të flitej për një kuadër, i cili kish qënë në detyrën e Kryetarit të Komiteti Ekzekutiv të rrethit, Qetsor Kaltanji. Në ato biseda, krejtë të rastësishme, emri i tij përgojohej vetëm për mirë, sillej si shembull i drejtuesit korrekt e diplomat, zëmërgjerë, fisnik, si një nëpunës që e përfaqësonte denjësisht zyrën e shtetit. Madje, për të tregonin dhe “qyfyre” që paraqesnin rrezik, që nuk shkonin fare, nuk kishin asnjë “pikë takimi” me vijën dhe porositë e Partisë. Ai arrinte të bënte për vete njerëzit e thjeshtë, t’u zgjidhte hallet, të të gjitha kategorive, duke i sajdisur si të parin, pra të birin apo bijën e familjes të komunistit, apo të lidhurin me Luftën; edhe tjetrin, kulakun, të njollosurin politikisht.
Nëse nuk i kupton karakterin e një njeriu – shiko miqtë e tij, studjo të kaluarën, ndiq hapat që ka hedhur në kohëra të ndritura, të vështira. Tek Qetsori rridhte gjak nga fisi i Dinove të fshatit Kaltanj, fshat nga më të njohurit në Kolonjë e më tutje Kolonjës, nga mori edhe mbiemrin. Gyshi, Jaupi, u vra në përpjekje me andartët grekë të ’14-ës. Ka mbetur me emër. Ishte trim i çartur. Edhe pse ka kaluar plot një shekull nga ai mot i mallkuar për gjëmën që bënë grekërit në Jug të vendit, Panarit, Kolonjë, Skrapar, Përmet e gjetkë, Jaup Kaltanji zë radhë tek ata trima të cilëve u shkruhen emrat me fije ari.
Këtë fat pati dhe i ati i Qetsorit, Tekiu. Ky u vra, aty në fshat. gjatë përpjekjes që bëri për të shpëtuar të birin, Jaupin, i cili mbante emrin e gjyshit. I biri, Jaupi, u shpëtoi plumbave, i ati, Tekiu, u vra.
Në mirëqënie miqtë tanë na njohin neve; në mjerim i njohim ne ata. Qetsorit çilimi, vetëm 14 vjeç, i ndriti fati të vinte në Tiranë dhe të punësohej në shtypshkronjën “Tomorri”, pronë e deputetit të atëhershëm Sabri Kaltanji, mik shtëpie i të atit, Tekiut. Nuk dimë hollësira sesi e qysh u lidh djaloshi kolonjar me lëvizjen komuniste, por sipas kujtimeve të mikut të Qetsorit, Bari Murati, nismëtare është bërë e bija e deputetit, Hysnija, vërsnike me të, e cila merrej gjoja me shpërndarjen e gazetës “Tomorri”, por edhe veprimtare dhe aktiviste për të propaganduar Luftën partizane. U bë sebep gazeta që, bashkë me të, të shpërndaheshin trakte, materiale që nxisnin dhe inkurajonin Luftën Nacionalçlirimtare, gjithçka që lidhej me organizimin dhe ngritjen e strukturave antifashiste.
Qetsor Kaltanji ishte ndër ata të rinj zemërzjarrtë që nuk e “hiqte krraba” të bëhej njeri “i suksesshëm”, por ndjehej më mirë të bëhesh i vlefshem, të linte mënjanë punërat e vogla dhe të merrej me gjëra më të mëdha. Eshtë koha kur ai të radhitej në Batalionin “Hakmarrja” me komandantin tjetër kolonjar, po kaq atdhetar e të zotë, gjeneral Petrit Dumen. Petrit Dume, sipas kujtimeve të tij dhe të mikut “për kokë”, Bari Murati, ishte trim i madh. Batalioni “Hakmarrja” i drejtuar prej tij ishte tmerr i armiqve. Ai dinte ta fuste në luftim, por dhe ta mbronte batalionin. Edhe ne, si më i vogll që ishim, mundohej të na mbronte, madje një herë, në një luftim shumë të përgjakshëm që u bë në Selenicë të Pishës, ku trupat e batalionit u ndeshën trup më trup me forcat armike, ai më ngarkoi një detyrë tjetër, vetëm që të mos merrja pjesë në luftime. Si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Petriti Dume i vishte çizmet në orën 00.05 të mëngjesit dhe i hiqtë në 12.00 të natës. Ishte gjatë gjithë kohës në lëvizje. Gjeneral Dume ishte i rreptë në kërkesë llogarie, por mjaft i dashur dhe komunikues ndaj të tjerëve. Në këtë klimë dhe mjedis luftëtarësh u rrit e u kalit Qetsor Kaltanji. Nuk ishte rastësi, por logjikë e njeriut të palëkundur për të luftuar e çuar deri në fund idealin antifashist. Ai u bë pjestar dhe kuadër drejtues i rëndësishëm i rinisë, menjëherë pas themelimit të Brigatës së 18-të Sulmuese.
Mos ndiq vetëm rruget e shtruara, por shko edhe në një rrugë të pashkelur dhe ler një gjurmë pas. I riu kolonjar, Qetsor Kaltanji, ashtu si në luftë, me pasionin e energjitnë që e karakterizonte, iu desh të përballej me detyra, të cilat për nga rëndësija, kërkonin mendjen dhe gjakftohtësinë e plakut. Madje të plakut të urtë e të mençëm. Sepse Qetsor Kaltanji, si kolonjar i zgjuar që ishte, e dinte shumë mirë se dashuria për punën ose është, ose s’është! Nuk ka patur dhe nuk do të ketë kurrë, madje nuk ekziston të thuhet “dashuri e pakët”. Ai ishte dhe mbeti njeri i fjalës së mbajtur. Ai kishte dhe i qëndroi parimit se mënyra më e mirë për të mbajtur fjalën është të mos e japësh atë. Për një kohë relativisht të shkurtër në detyrën e Sekretarit të parë të Durrësit, por për më shumë vite në detyrën e Drejtorit të Sektorit të letrave në KQ, Qetsor Kaltanji e lidhi jetën jo me familjen, me problemet dhe hallet “për vete”, por të njerëzve në nevojë, të atyre që rrojtën me shpresën për të ngrënë “më lugë të florinjtë”. Janë me djetra, në mos me qindra e mijra që ku burrë me zemër të dhimsur t’u jetë gjendur njerëzve pranë. Në Skrapar, për shembull, nuk mbeti njeri qejfmbetur, për aq sa punoi e drejtoi në kohën kur buka e gojës, buka e fëmijëve, ndahej me racion. Qetsori “ishte” edhe nga Tomorrica, edhe nga Poromi, edhe nga Çepani e Prishta, njihte të gjithë Skraparin. Në një rast në qytetin e Çorovodës, shitsja i paskej dhënë bukë pa listë një qytetareje, të cilës i kishin vajtur miq për darkë në shtëpi. Sekretari i Parë kur e kish marrë vesh “dhunimit” që i ishte bërë porosisë të Partisë, kish urdhëruar drejtorin ta pushonte menjëherë shitësen nga puna. Qetsori, në atë kohë Kryetar i Komitetit Ekzekutiv, kur mori vesh këtë marrëzi të Sekretarit të Parë, i erdhi rasti të bënte “marrëzinë” e tij: të thërriste drejtorin, t’i jepte dajakun që meritonte, “dajak”, të cilin e mori edhe sekretari që e mbante veten si “të parin e vendit”, të rrethit ku drejtonte.
Atdheu është para së gjithash vendi ku shpirti ndjehet i robëruar. Njeriut në jetë i bje rasti, i qëllon fati të jetë larg tij, larg shokëve e miqëve, larg fshatit, lagjes apo vendit të cilit i përket. Ata që e kanë provuar, që i ka marrë malli në dhe të huaj të dëgjojë fjalë shqip, e dinë më mirë se kushdo çdo të thotë “guri i rëndë në vend të vet”. Sepse Atdheu nuk është dashuri e cunguar, s’mund të harrohet. Qetsor Kaltanji, për të cilin po shkruajmë këto rradhë vlerësuese për figurën e tij, i qëlloi të caktohej ambassador në Kore, në Pehenian. E mori këtë detyrë të fushës së diplomacisë, duke lënë Skraparin, vendin që, sipas tij, e donte ashtu si fshatin e lindjes, Kaltanjin, siç donte krahinën e tij të dashur, Kolonjën. Në bashkëbisedim me shokë e miq, kur u kthye nga Koreja, u paskësh thënë se sëmundja më fisnike është malli për Atdheun. Ai, sa qe atje, nuk i ndërpreu kurrë letrat me miqtë skraparas, lidhjet me telefon dhe të falat që u dërgonte me njerëz që venin e vinin në Pehenian. Ka ngelur shprehje lapidare një thënie e këtij miku të sinqertë e të drejtë për Skraparin: Po të kisha mundësi, fuqinë, që sigurisht nuk e kam, do të hapja një tunel Pehenian-Çorovodë, që të mund të takoja, të llafosesha e të qaja hallet, aty tek “Sorkadhja”, tek kafeneja buzë Osumit. 
Patriotizmi i vërtetë nuk është pronë e atij që ngrefet dhe mburret në çastet solemne, që të heq trutë e kokës nga idiotësitë dhe demagogjitë, të cilat i shet badiava për shkak të karriges apo pushtetit që ka ozurpuar djallëzisht. Burra të nderuar, të cilët bënë Luftën, ndërtuan Shqipërinë dhe në fund morën si shpërblim vetëm dy metër truall, atë copëz tokë sa për t’iu shprehur eshtrat, po na duket sikur nuk do të vijnë më. Një ndër ta është edhe Qetsor Kaltanji, 14 vjeçari kolonjar që shpërndau trakte në Tiranë, Pezë, Durrës e gjetkë kundër nazifashistëve, partizani i Batalionit të “Hakmarrjes” dhe Brigatës së 18-të Sulmuese, organizatori i punëve të mëdha dhe diplomat i zoti që, për aq sa qe gjallë, mbeti simbol i së mirës, apo siç do të thoshte Viktor Hygo: Lumturia supreme e jetës është bindja se të tjerët na duan.
Qetsor Kaltanji e meritoi dhe e meriton këtë lumturi supreme nga njerëzit më të cilët luftoi dhe punoi.
Sigal