Anti-kombtarizmi i Ballit Kombëtar

1069
Sigal

Skënder Mustafaj

Kryetar i Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Beratit

Vlerësimi që Qeveria Shqiptare i bëri krye/ballistit Mit’hat Frashëri, bashkëpunëtorit me pushtuesit fashist, sinqerisht nuk si drejtues i Organizatës të Familjeve të Dëshmorëve të Beratit, jo vetëm që nuk më erdhi mirë por edhe u revoltova. Që eshtrat e tij të rivarroseshin në Shqipëri është normale, dhe këtë veprimtari mund ta bënte Organizata e Ballit, apo edhe çdo forcë politike e djathtë, por jo Qeveria Socialiste, kjo për mua është lajthitje, e papranueshme, dhe vërtet s’di çfarë emri t’i vësh.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e udhëhequr nga PKSH me Enver Hoxhën në krye i solli lirinë popullit shqiptar. Kjo luftë heroike kundër bishës fashiste e tradhtarëve të vendit mbetet në histori si Epopeja më e lavdishme e popullit tonë. Sot në sistemin pluralist, kemi të drejtë të analizojmë qëndrimet e gjithë forcave politike në Shqipëri. Në këtë material kam si qëllim të shpreh se ç’rol luajti Organizata e Ballit Kombëtar në Luftën e Dytë Botërore, kur Shqipëria qe ngritur e tëra në betejën për jetë a vdekje me bishën nazi-fashiste, kjo organizatë bashkëpunoi me pushtuesit e huaj, qëndrim që e njollos me vulën e antikombtarizmit.

Krijimi i forcave politike në Shqipëri, pas vendosjes së sistemit pluralist, pati anën e vet pozitive, pasi çdo grupim politik apo shoqëror gjen veten. Por është sa qesharake, aq dhe revoltuese, kur pinjollët e organizatave, si ajo e Ballit, kërkojnë me insistim t’u rritet vlera sot, duke harruar “bëmat”, që prindërit e tyre bënë në kohën kur Shqipëria ishte e pushtuar nga të huajt, italianët dhe gjermanët. Le ta analizojmë këtë fakt historik.

Vetë termi Balli i Kombit, siç e quante veten kjo organizatë që me krijimin e saj gjatë vitit 1942, është ngritur mbi një mentalitet feudal që i ndan shtresat e popullit në Pari dhe në Raja. Të parët përbëjnë aristokracinë, pra të pasurit, drejtuesit politikë, njerëzit me kulturë, kurse të dytët përbëjnë turmën, të varfrit, të pa kulturuarit, bagëtinë, që janë në shërbim të të parëve. E parë kështu, do të thotë që ky pretendim flet për paturpësinë e tyre, flet për atë ofezë që iu bënë shtresave të gjëra të popullit. A mund të pretendosh kështu për patriotizëm? Kurrsesi. Si mund t’i mbrosh interesat e masave kur i sheh me këtë sy? Sigurisht, ironia e historisë, bëri që Organizata e Ballit Kombëtar, ‘bëmat’ e së cilës përbëjnë një shembull klasik për t’u treguar brezave, se etiketat e mëdha fshehin mall të dobët. Se kush ishin ballistët, themeluesit e tyre, nuk është për t’u pasur zili. Po të lexosh “Klubin e Selanikut” të Çajupit, arrin në konkluzion se ata ishin intelektualë turkomanë, që emri i madh i fisit nuk mjaftooi për të mbuluar defektet e pasardhësve, sepse çdo mostër, pasardhës, në këtë botë e ka llogarinë më vete. Balli Kombëtar mbeti organizata e bejlerëve dhe e agallarëve, e kompromisit dhe e bashkëpunimit me fashizmin, mbeti parti mercenare në interes të fuqive të huaja.

Ballistët e sotëm e mbajnë veten për heronj dhe trumbetojnë me të madhe qëndrimin e tyre konstant, antikomunist, gjoja historia u paska dhënë së fundi edhe të drejtë. Ata, ose nuk e kuptojnë historinë ,ose duan të spekulojnë në mënyrë koshiente me të. Atëherë kur ata ishin antikomunistë dhe Hitleri dhe Musolini ishin të tillë. Në kohën e LANÇ komunistët ishin me popullin, në anën e rezistencës antifashiste, me aleatët e mëdhenj, kështu që antikomunizmi i ballistëve për atë kohë ishte antipopullor, antihistorik. Kjo e çoi Ballin në bashkëpunim me fashizmin dhe kapitullimin e plotë politik. Ballistët donin të luftonin komunizmin, duke harruar kryesoren, luftën për çlirimin e atdheut, ata bënë bashkëpunime të fëlliqura me pushtuesit kundër Lëvizjes Antifashiste, të udhëhequr nga patriotë të vërtetë dhe nga komunistët. Ringjallja e Ballit Kombëtar sot është revanshi i botës së vjetër, që përpiqet të nxjerrë mllefin e dështimit historik të asaj kohe, të fermentuar e të qelbur, gjatë gjysmës së dytë të këtij shekulli. Me të drejtë e them se ringjallja e Ballit Kombëtar nuk sjell asnjë kontribut për interesat e kombit dhe ecjen përpara të shoqërisë shqiptare, ndonëse përpiqet në delir të zhbëjë atë periudhë historike, që përbën turpin e tij dhe pjesën e lavdisë së historisë shqiptare. Balli Kombëtar përpiqet të sakrifikojë interesat dhe nderin kombëtar, për të larë mustaqet e qelbura të baballarëve të tyre të fëlliqura në korbën fashiste, dhe për këtë si të djeshmit dhe të sotmit nuk ngurojnë të njollosin krenarinë legjitime të popullit shqiptar, si pjesëmarrës në koalicionin antifashist, duke e shpallur Epopenë e lavdishme të popullit shqiptar si luftë civile. Turp e faqja e zezë! Mohimi apo tallja me sakrificat sublime të popullit shqiptar, tallja me gjakun e 28 mijë të vrarëve për urrejtje e madhe të mbarë shqiptarëve ndaj tyre. Këto përpjekje të ekstremit të djathtë sot, për këtë periudhë të lavdishme historike, bëhen vetëm e vetëm për të mbjellë e përhapur mjegullën e mosbesimit deri në fshirjen e saj të plotë nga memoria e kombit, dhe pse, sepse në të kanë kontribut komunistët. Kësaj i thonë që interesat politike vihen mbi ato kombëtare. Zotërinj ballistë, jepini Çezarit atë çka i takon Çezarit, larja hesapeve me ish-kundërshtarët tuaj nuk mund të bëhet në dëm të historisë dhe interesave kombëtare. Fushatat antihistorike që keni ndërmarrë e po ndërmerrni, broçkullat që hidhni se gjoja keni luftuar e keni bërë namin, pyes, si nuk kini një të plagosur xhanëm, se për dëshmorë as që behet fjalë. Ky qëndrim i juaj revolton çdo shqiptar të ndershëm dhe patriot dhe ua shton më shumë njollën e turpit e të tradhtisë, ndaj heshtni më mirë, pasi lufta juaj sot i ngjan luftës me mullinjtë e erës, pasi dhe vetë e dini, që patkonjtë tuaj u kthyen më 29 Nëntor të vitit 1944.