Na mungon vërtet shumë, Mir Hakani!

625
Sigal

Nga Adriatik Riza Dosti

Kampioni i madh i Peshëngritjes shqiptare, qytetari model i Tironës sonë, rekordmeni i pa limit i shtangës sonë. 17 vjet më i miri ndër më të mirët. Nderi i Sportit shqiptar e krenaria e SK Tiranës. 17 vjet kampion absolut, 10 vjet radhazi ndër 10 sportistët më të mirë të vitit në Shqipëri. Mbajtës i 164 rekordeve kombëtare. Fitues i 8 Medaljeve të Arta për Shqipërinë në aktivitete ndërkombëtare të dorës së parë. Mjeshtër i merituar i sportit shqiptar dhe Mjeshtër i Madh, Mësues i Merituar, organizator e drejtues i pa lodhur, i talentuar, punëshumë e fjalëpak. Miku i mirë i të gjithëve dhe shoku, kolegu e njeriu ynë sa i thjeshtë aq edhe fisnik. Babai e prindi shembullor, mëhalleliu i dashur e i respektuar prej gjithkujt. Gojëmbli, hokatari e mjeshtri i rrallë i batutave plot lezet, kripë e humor brilant. Kaluan pak më shumë se tre vjet pa ty i shtrenjti ynë dhe malli sa vjen e shtohet…

Na mungon vërtet por të garantoj se vetëm fizikisht pasi për çdo gjë tjetër jeton me ne gati çdo ditë pse e tillë qe jeta e historia jote që jetove e shkrove dhe le pas me aq dinjitet, personalitet e krenari qytetaro-sportive edhe pse fatkeqësisht aq e shkurtër. Nder dhe respekt jetës, karierës sportive , qytetarisë e punës tënde i dashur Miri. Historia sportive shqiptare të ka ulur tashmë me plot meritë në vendin e në fronin që të takon…aty mes Mjeshtrave e Kampionëve të mëdhenj të saj…mes legjendave dhe ikonave të sportit tonë kombëtar. Ashtu sikurse Tirona jonë e dashur të ka përjetësisht në gjirin e vet si një prej qytetarëve model e të respektuar të saj të cilën e deshe dhe të donte aq shumë. Mes nesh miqve, shokëve e kolegëve të tu të hershëm, që na respektoje e të respektonim aq shumë i dashur Miri. E sigurisht edhe mes familjes tënde të nderuar që e doje si sytë e ballit je i pa vdekshëm por edhe i përjetshëm ..sado vite që të kalojnë …