Ali Kuqo/ Kujtesë për pionierin dhe pishtarin e neuro-psihiatrisë Shqiptare dr. Miti Vokopola

329
Në fillimet e shekullit kaluar, kur Shqipëria sapo kishte fituar pavarësinë, nuk ka pasur mjekësi të organizuar, përveç disa mjekëve, të diplomuar në vende të tjera, që shërbenin si mjekë të përgjithshëm dhe shumë radhë ndonjë okulist, otorinolaringolog, gjinekolog etj. Ndërsa në fushën e shërbimit neuropsihiatrik nuk ka patur asnjë mjek.
Në vitet 1920-1930 është kthyer në atdhe si mjek psihiatër dhe neurolog dr. Mit Vokopola në Durrës. Në vite e fillimit ai punoi si privat. Të sëmurët mendorë dhe ata me probleme neurologjike nuk mjekoheshin. Përkundrazi ata mendor përçmoheshin, denigroheshin dhe mbeteshin jashtë shoqërisë. Shumë të radhë ishin të sëmurët, që gjenin ndonjë mundësi për të shkuar për mjekim jashtë Shqipërisë.
Me punën e kryer nga dr. Mit Vokopola filloi trajtimi i shumë prej tyre me mjetet e kohës. Por kuptohet që një pjesë e mirë e të tjerëve mbetej preh e paragjykimeve denigruese.
Me nismën e këtij mjeku, në Durrës u hap një repart shërbimi psihiatrik, ku shtroheshin, izoloheshin dhe mjekoheshin të sëmurët psihikë. Ky repart qëndroi i hapur për një kohë të shkurtër dhe më vonë në Vlorë u hap një “Koloni” psihiatrike që për ironi të fatit në popull u emërtua si “Çmendia e Vlorës”. Aty kujdesej për të sëmurët dr. Ali Mihali..
Dr. Miti Vokopola vazhdoi të punojë pranë spitalit civil Durrës dhe në ambulancën e Durrësit dhe fitoi simpatinë dhe respektin nga të sëmurët. Me krijimin e klinikës së neurologjisë në Tiranë ai u integrua në veprimtaritë shkencore të saj duke marrë pjesë në të gjitha sesionet, konferencat shkencore edhe me referate, paraqitje rastesh klinike interesante. Ai ka botuar në shtypin mjeksor artikullin “aura panoramike” si dhe ka botuar një libër me titullin epilepsia.
Gjithë këtë veprimtari kliniko-shkencore jo të vogël të kryer në kushte fare të papërshtashme ai nuk arriti të merrte vendin e merituar në neuropsihiatrinë Shqiptare, për arsye të smirës dhe faktit që ai punonte privat. Kështu mund të thuhet se ai u la në harresë dhe le të vlejë kjo kujtesë për brezat e tanishëm dhe të atyre që do të vinë si një fill i kuq në historikun e neuropsihiatrisë Shqiptare për këtë “Mit” që përkon edhe me emrin e tij dhe për emërtimet e cilësuara në titullin e këtij shkrimi. Gjithsesi ai ka qenë themelues dhe do të mbetet pishtari i pashuar i neuropsihiatrisë Shqipatre.