Sulmi në Kaliforni, sulmuesja pakistaneze mbështetëse e ISIS

54
Tashfeen Malik, sulmuesja në qendrën sociale në Kaliforni ku më 2 dhjetor kanë mbetur të vdekur 14 persona, ishte mbështetëse e grupit militant Shteti Islamik, thonë zyrtarët amerikanë. Televizioni CNN ka cituar zyrtarët federalë amerikanë, të kenë thënë se pakistanezja Malik kishte postuar një deklaratë në internet, përmes së cilës u kishte dhënë mbështetje udhëheqësve të ISIS-it.

Malik dhe burri i saj, Syed Farook, dyshohet se kanë qenë sulmuesit e vetëm në qendrën në San Bernadino në Kaliforni ku më datën 2 dhjetor janë vrarë 14 persona e janë plagosur 21 të tjerë. Të dy sulmuesit janë vrarë disa orë pas sulmit, gjatë shkëmbimeve të zjarrit me policinë. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se sulmuesja mund të ketë qenë e frymëzuar nga grupi militant, por se nuk ka dëshmi që thonë se ajo kishte qenë e udhëzuar për ta kryer sulmin.