Kosovë: Opozita nuk pranon dialog me kryeministrin Mustafa

516
Liderët e tri partive opozitare në Kosovë kanë bërë me dije se nuk pranojnë që të dialogojnë me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, por ia kanë ripërsëritur kërkesën që të heqë dorë nga dy marrëveshjet e nënshkruara. Mustafa gjatë një konference të mbajtur sot ka ftuar në takim më 7 dhjetor liderët e tri partive opozitare në Kuvendin e Kosovës: Visar Ymerin nga Lëvizja Vetëvendosje, Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limajn nga Nisma për Kosovën, si dhe zëvendëskryeministrin e parë, Hashim Thaçi.

Ymeri, Haradinaj e Limaj, gjatë një konference të përbashkët të mbajtur pas një takimi të zhvilluar në mbrëmje, kanë thënë se nuk e pranojnë ftesën e pozitës për dialog. Lajmin për radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, i cili gjithashtu ka qenë pjesë e takimit. “Sapo ka përfunduar takimi i liderëve opozitarë. Që të tretë nuk e kanë vlerësuar ofertën e kryeministrit ngase e kanë konsideruar vetëm formale dhe jo serioze. Ata kanë shprehur keqardhje pse një ftesë për dialog nuk ka ngjarë më herët”, ka thënë Nitaj. Pos që nuk e kanë pranuar ftesën për dialog, Nitaj ka thënë se liderët opozitarë kanë dalë me një kundër-kërkesë.

“Liderët opozitarë ia kanë bërë kryeministrit një kundër-kërkesë, që të hiqen të dy marrëveshjet që e kanë shkaktuar krizën politike në vend dhe gjithçka tjetër do të bie në binarët e vet”, ka thënë Nitaj.
Ftesa e kryeministrit Mustafa është bërë në kohën kur është thelluar kriza politike në Kosovë. Opozita kundërshton fuqishëm marrëveshjen që ka nënshkruar Kosova me Serbinë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe marrëveshjen me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit.
Sipas opozitës, marrëveshja e parë çon në ndarje të Kosovës, ndërsa e dyta bën që një pjesë e territorit të Kosovës, pa të drejtë, t’i takojë Malit të Zi.
Për rrjedhojë, opozita, tash e disa muaj, është duke penguar punën e Kuvendit të Kosovës. Përfaqësuesit opozitarë kanë organizuar edhe protesta në rrugë, ndërsa një të tillë e kanë paralajmëruar edhe për të shtunën në Gjakovë.
Sigal