Renzi: Europa aktuale që nuk i hap dyert Shqipërisë, Serbisë, Ballkanit është shumë pak…”

54
“Shpejt o vonë duhet të shtrojmë pyetjen nëse Europa e sotme me 28 vende është shumë, o është shumë pak? E pra Europa aktuale që nuk i hap dyert Shqipërisë, Serbisë, Ballkanit është shumë pak…”
Kështu ka deklaruar kryeministri italian, Matteo Renzi, në Konferencë e Ambasadorëvve italianë në botë, që prej dy ditësh po zhvillohet në selinë e Ministrisë së Jashtme në Romë.
Italia, Europa, Mesdheu, Emigracioni, terroizmi qenë pikat kryesore të fjalimit të tij.
Europa pa Ballkanin është shumë pak- “Politika e jashtme italiane, u shpreh Renzi është elementi themelor në politikën italiane. Në Itali ashtu si në të gjithë Bashkimin Europian po përjetohet periudha e ndryshimeve të mëdha. Europa po kalon një fazë shumë të vështirë, sot sulmohet për çështje teknike, por mos harrrojmë se Europa e Bashkimi Europian është fitues i çmimit Nobel për Paqen.
“Europa po kalon një fazë shumë të vështirë, u shpreh ai. Jam i dashuruar me idealin e Europës, që kur isha adoleshent, tek shihja nënën time të qante ndërsa në Gjermani po shëmbej muri i Berlinit. Ideali i Europës së brezit të sotëm ka ndryshuar shumë… Aktualisht për Europën po hapet një periudhë e re përbërëse, jo vetëm e lidhur me situatën në Greqi, por dhe me referendumin anglez, me zgjedhjet në Francë, Portugali, Spanjë, me një fazë të re të shkrimit të rregullave… Europa nuk duhet parë si një njerkë, Europa është krijuar nga ne e kurrë më shumë se sot është i nevojshëm ndryshimi i mentaliteti nga ana e politikanëve, ambasadorëve e nga të gjithë specialistët e fushës së diplomacisë.”
Italia e emigracioni- Duke u ndalur në problematikat lidhur me emigracionin, Kryeministri italian theksoi se Italia është një urë lidhëse mes Europës e rajonit të Mesdheut, një urë lidhëse mes Europës e kontinentit të Afrikës. “Mesdheu është zemra e politikës së Europës. Investimi në Mesdhe, u shpreh Renzi, është shumë i rëndësishëm. Italia në Mesdhe nuk është vetëm për të patrulluar ujërat, Italia është në Mesdhe për të mbrojtur idealet e disa vlerave të caktuara njerëzore. Asnjë konsesus elektoral nuk vlen sa një jetë njerëzore në mes të detit…”
Lufta kundër terrorizmit- “Sulmet terroriste kundër vendeve simbol të civilizimit, u shpreh kryeministri Renzi, janë një sulm kundër vlerave të qytetërimit tonë. Vendet simbol të atentatave janë shprehje të identitetit tonë kulturor që nuk duhet ti nënvlerësojmë. Në jetën e përditshme jemi nën sulmet e terrorizmit e jo vetëm si komunitet europian”, u shpreh Renzi. “Lufta kundër terrorizmit është lufta për të mbrojtur vlerat për të cilat vazhdojmë e duhet të jetojmë..”
E ardhmja e Italisë- Sido që të shkoj debati politik i brendshëm, deklaroi në Konferencën e Ambasadorëve Italianë në Romë, kryeministri Matteo Renzi, jam i bindur se Italia do të ketë një të ardhme të jashtëzakonshme. Pas 20 apo 30 vitesh Italia do të jetë lider në Europë e në Botë.