Opozitarët e Kosovës: Nesër nuk do të ketë dhunë, edhe fëmijët tanë në protestë

482
Liderët e tri partive të opozitës janë takuar për të diskutuar lidhur me protestën e nesërme kundër Asociacionit dhe Demarkacionit. Në përfundim të takimit, kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka thënë se ky takim është zhvilluar për t’u koordinuar me manifestimin e nesërm. Ai e ka akuzuar Qeverinë se nëpërmjet alarmeve të rreme për mjete shpërthyese po përpiqet t’i frikësojë qytetarët që të mos marrin pjesë në protestë.

“I bëjmë apel qeverisë që të ndërpresë këtë lojën për shpërthime të rrejshme. Të sillen si burrështetas”, -ka thënë Limaj. Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar qeverinë për alarmet për mjete shpërthyese. “Shpresojmë që prej ditës së nesërme do të stabilizohet situata. Nesër çdo gjë do të shkojë mirë, e kjo puna me alarme të rrejshme është përrallë me mbret. E kam në plan t’i marrë edhe fëmijët e mi”, – ka thënë Haradinaj.

Ndërsa kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se nesër do të bashkohen në sheshin ‘Zahir Pajaziti’ për të manifestuar kundërshtimin për marrëveshjet. “Qytetarët nesër do ta kenë të qartë se Republika e Kosovës nuk cenohet dhe territori nuk falet”, – ka thënë Ymeri.
Sigal