Negociatat me kreditorët, Tsipras i kushtëzon me lehtësimin e borxhit publik

494
Kreditorët ndërkombëtarë kanë filluar në Athinë një raund të ri negociatash me qeverinë greke, ne përpjekje për të finalizuar raportin përfundimtar mbi ecurinë e reformave.

Misioni i kreditorëve përbëhet nga ekspertë të Komisionit Europian, Bankës Qendrore Evropiane, Mekanizmit të Stabilitetit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Misioni u rikthye në Athinë pas një pauze të gjatë, për shkak të mosmarrëveshjeve me qeverinë greke, që përfundimisht u sheshuan në takimin e fundit të ministrave të financave të eurozonës.

Në fokus të negociatave do të jetë kyçja e masave të reja për periudhën 2019-2020, që parashikojnë kursime me vlerë 3,6 miliardë euro. Këto kursime do të burojnë nga reduktimet e mëtejshme të pensioneve si dhe ulja e limitit të të ardhurave të patatueshme.

Por edhe këto negociata parashikohen të jenë të vështira, pasi parlamenti grek duhet të votojë një paketë masash të reja, në shkëmbim të ndihmës financiare nga kreditorët.

Kryeministri Aleksis Tsipras deklaroi se Athina e kushtëzon zbatimin e masave me ofrimin nga ana e kreditorëve të një zgjidhjeje për lehtësimin e borxhit grek.

“Masat që janë dakorduar do të votohen që të marrim zgjidhjen për borxhin. Në rast se nuk jepet zgjidhje për borxhin, masat nuk do të zbatohen. Një qeveri sovrane mund t’i tërheqë masat që ka votuar”, deklaroi Tsipras në një intervistë televizive, të martën në mbrëmje.

Gjithsesi, Aleksis Tsipras theksoi në mënyrë kategorike se marrëveshja përfundimtare do të kyçet deri më 22 maj.

“Kemi një marrëveshje politike, ju flas me siguri, deri më 22 maj do të kemi edhe marrëveshjen teknike dhe së shpejti do të kemi edhe marrëveshjen për borxhin”, tha kryeministri grek.

Të martën shërbimi statistikor helen njoftoi se borxhi publik i Greqisë ka arritur në 314,897 miliardë euro.
Sigal