Ligjvënësit britanikë votojnë në favor të Brexit

474
Britania pritet të fillojë procesin e daljes nga Bashkimi Evropian në fund të marsit. Anëtarë të Dhomës së Komuneve votuan dje për të mbështetur legjislacionin e njohur si Brexit dhe më pas paketa shkon në Dhomën e Lordëve. Projekt-ligji siguroi mbështetje të fortë në dhomën e ulët të parlamentit.
Në votimin përfundimtar për projekt-ligjin Brexit, anëtarët e parlamentit ranë dakord me shumicë dërrmuese për të filluar procesin e shkëputjes së Britanisë nga BE-ja.
“Votat ‘pro’ nga e djtathta, 494, ‘kundër’ nga e majta – 122. Projektligjit miratohet.”
Paketa do të debatohet në Dhomën e Lordëve pasi anëtarët e saj të kthehen nga pushimi, më 20 shkurt. Ajo pritet të miratohet, duke i hapur rrugën kryeministres Theresa May që të fillojë bisedimet zyrtare për shkëputjen, ashtu siç kishte planifikuar, në fund të marsit. Ajo do ta bëjë këtë duke u mbështetur tek neni 50 i Traktatit të Lisbonës, që Britania e nënshkroi në vitin 2007 së bashku me 26 vende të tjera evropiane. Më pas Britanisë do t’i jepet një hapësirë dyvjeçare për të negociuar marrëdhënien e ardhshme me Bashkimin Evropian.
“Ne besojmë se është e mundur brenda dy muajve të arrihet marrëveshja, jo vetëm për daljen nga Bashkimi Evropian por edhe për marrëveshjet tregëtare që do të garantojnë një partneritet të fortë, strategjik me Bashkimin Evropian në të ardhmen”.
Britania mbajti një referendum në qershor të vitit të kaluar për të dalë ose për të mbetur në Bashkimin Evropian. 52 për qind e votuesve ishin dakord për t’u larguar, ndërsa 48 për të qendruar. Rezultati befasoi shumë njerëz dhe shkaktoi protesta, veçanërisht në rajone ku Brexit nuk kishte shumë mbështetje, si në Skoci.
“Ne po punojmë nga afër me qeverinë skoceze dhe me administratat e tjera ndërsa vazhdojmë këtë proces. Do të doja vetëm t’i rikujtoja zotërisë se Gjykata e Lartë është shprehur shumë qartë se parlamenti skocez nuk ka të drejtën e vetos përsa i takon nenit 50”.
Valët e imigrantëve drejt Evropës Perëndimore dhe problemet ekonomike në disa vende anëtare të BE-së, u kanë dhënë hov lëvizjeve populiste në gjithë Evropën. Tani vëmendja është tek Britania për të parë se çfarë do të ndodhë pas lëvizjes Brexit.
Sigal