Ligjvënësi republikan: FBI të dorëzojë dokumentin e ish-drejtorit Comey

532
Një ligjvënës repubikan me peshë i ka kërkuar FBI-së që të dorëzojë çdo dokument që mund të ketë në lidhje me pohimin e ish-drejtorit James Comey se Presidenti Donald Trump i kishte kërkuar që të ndërpriteshin hetimet për ish këshilltarin e sigurisë kombëtare, Michael Flynn.
Në një letër për drejtorin në detyrë të FBI-së, Andrew McCabe, kreu i Komisionit të Mbikqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, Jason Chaffetz kërkoi që të gjitha materialet që kishin të bënin me zotin Comey dhe Presidentin Trump të viheshin në dispozicion të komisionit deri më 24 maj. Gazeta “The New York Times” ishte e para që njoftoi mbrëmë se se zoti Comey në shënimet e tij për takimin me presidentin Trump kishte shkruar se presidenti i kishte kërkuar një ditë pasi zoti Flynn dha dorëheqjen në shkurt që FBI-ja të mbyllte hetimet.
“Nëse është e nevojshme, unë mendoj se duhet t’i thërrasim me detyrim ligjor që t’i dorëzojnë, por shpresoj që t’i japin vullnetarisht materialet. Por kur presidenti mesa duket e ka pranuar vetë që ishte folur për këtë temë, kur u diskutua nëse drejtori i FBI-së do të vazhdonte të ishte në detyrë, ndërsa zoti Flynn ishte subjekt hetimi, në kontekstin e njoftimeve nga ish drejtori i FBI-së dhe kolegët e tij se atij i ishte kërkuar të tregonte besnikëri ndaj presidentit dhe tani me akuzat e fundit se presidenti në thelb i ka kërkuar që të ndërpresë hetimin për Michael Flynn-in, kupa duket se është mbushur.”
Presidenti Trump e shkarkoi papritur zotin Comey javën e kaluar duke shkaktuar debate të shumta politike dhe thirrje për një prokuror të posaçëm apo komision të pavarur që të hetojë ndërrhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, veçanërisht lidhjet e mundshme mes Rusisë dhe zyrtarëve të fushatës së presidentit.
Zoti Flynn dha dorëheqjen pas njoftimeve se Departamenti i Drejtësisë kishte paralajmëruar Shtëpinë e Bardhë se ish-gjenerali mund të ishte i ekspozuar ndaj shantazheve për kontaktet e tij me ambasadorin rus Sergey Kislyak para se zoti Trump të merrte detyrën.
Disa analistë ligjorë kanë argumentuar se një kërkesë e tillë nga presidenti mund të konsiderohej pengim i drejtësisë, një shkelje që mund të sjellë si rezultat kërkesën për fillimin e procedurave të shkarkimit të presidentit nga Kongresi.
Shtëpia e Bardhë nxorri një deklaratë dje ku mohonte që zoti Trump t’i kishte kërkuar zotit Comey apo dikujt tjetër që të ndërpriste hetimin e zotit Flynn.
Ky është i fundit mes debateve që kanë shoqëruar admnistratën e re që është përballur gjithashtu me pasojat e njoftimeve që lënë të kuptohet se zoti Trump u kishte dhënë informacion sekret zyrtarëve rusë javën e kaluar, përfshirë ambasadorin Kislyak.
Sigal