Kriza e emigrantëve, “mollë sherri” në qeverinë Italiane

164

Moment i vështirë për qeverinë Conte. Kriza e emigracionit po vë përballë një prove të vështirë koalicionin qeverisës Lega-5 Yje.

Fluksi i emigrantëve që përmes Mesdheut tentojnë çdo ditë të mbërrijnë në brigjet italiane është një nga pikat më kritike të politikës së qeverisë Conte.

Ministri i Brendshëm, njëherësh zëvendëskryeministër, Matteo Slavini, vazhdon të ndjekë politikën e hekurt të porteve të mbyllura, duke i kërkuar Bashkimit Europian të marrë përgjegjësi për administrimin dhe shpërndarjen e drejtë e të barabartë të emigrantëve në vendet anëtare.

Por anijet humanitare të organizatave ndërkombëtare vazhdojnë të sfidojnë politikën e ministrit Salvini duke shpëtuar emigrantët në det e duke kërkuar t’i zbarkojnë në portet italiane.

Ministri Salvini drejton gishtin tek marina ushtarake italiane: “E gjitha kjo mund të ishte evituar”, thotë ai.

“E kisha parashikuar se pa operacioni Sophia, në det do të ktheheshin anijet e OJQ.”

Operacioni europian “Sophia” i drejtuar nga marina ushtarake italiane që patrullonte në Mesdhe, u ndërpre pak muaj më parë me kërkesë të qeverisë italiane.

Por ndaj akuzave të ministrit Salvini ka ardhur sot përgjigjja e Ministres italiane të Mbrojtjes, Elisabetta Trenta, e cila në një intervistë për të përditshmen “Corriere della Sera” shprehet se “është e çuditshme që ministri Salvini ankohet sot për marinën ushtarake italiane, kur ne si Ministri e Mbrojtjes i kemi kërkuar ta mbështesim në përballimin e këtij problemi, por që ai nuk ka pranuar.”

“Fakt mbetet, deklaron ajo, se situata është përkeqësuar shumë. Së bashku me shtabin e përgjithshëm të ushtrisë po përgatitemi për çdo skenar të mundshëm e qe të mos gjendemi të papërgatitur.

Ndërkohë janë 4 anije ushtarake italiane që vazhdojnë patrullimin pranë brigjeve libiane.”

Nga Ministria e Brendshme italiane dalin të dhënat zyrtare mbi numrin e mbërritjes së emigrantëve nga 1 janari 2019 deri më 5 korrik 2017.

Sipas tyre në Itali kanë zbarkuar 2869 emigrantë, shumica e të cilëve nga Tunizia, Pakistani, Irak, Bregu i Fildishtë etj.

Në krahasim me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, numri i tyre ka pësuar një reduktim me – 82.87%, e në krahasim me 2017 fluksi i emigrantëve është ulur me -96.63%.

Shqetësuese shfaqen dhe të dhënat mbi minorenët e pashoqëruar që zbarkojnë në Mesdhe drejt Europës.

Numri i tyre i mbërritur në Itali përgjatë 2019 është 369.