Itali/ Shqiptarët me plantacion kanabisi, njëri zbulohet gjatë arratisjes

Një shqiptar 34-vjeçar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur nga autoritetet italiane, është shpallur në kërkim pas një operacioni policor në parkun natyror Stupinigi në provincën e Torinos.

Gjatë një kontrolli territori për garantimin e sigurisë publike në këtë park që në fundjavë mirëpriti një event kulturor, forcat italiane të rendit zbuluan një plantacion marijuane me një sipërfaqe rreth 2700 metra katrorë.

NOA

Në këtë plantacion u gjetën 256 vazo me fidanë kanabisi, 60 vazo me bimë kanabis në rritje e gati për t’u mbjellë në tokë si dhe 600 rrënjë kanabis të lulëzuar e gati për t’u mbledhur.

Gjatë operacionit policor, dy persona të pranishëm në plantacion janë larguar drejt zonës pyjore duke humbur gjurmët. Gjatë largimit njëri prej tyre ka humbur dokumentet , karta e identitetit të të cilit zbardhi se ishte një shqiptar 34 vjeçar.

Autoritetet italiane e kanë shpallur person në kërkim, ndërkohë patrulla policore vazhdojnë “krehjen” e territorit për kapjen e tij.

Ndërkohë tre italianë të moshës nga 20 deri në 33 vjeç janë vënë në pranga nga policia e Rivolit pasi në banesën e tyre është gjetur një serë bimësh kanabis si dhe instrumente për përgatitjen e dozave të drogës.