Kosova votoi! Thaçi me “tre yje”

481
Sigal

PRISHTINE  – Hashim Thaçi është drejt marrjes së mandatit të tretë në krye të qeverisë së Kosovës. Kur janë numëruar mbi 96 % të votave nga zgjedhjet e parakohshme të së dielës nga mbi 750 mijë votues, Partia Demokratike e Kosovës është drejt fitores me 30.94 % të votave.

Kështu, Thaçi ka mundur rivalin e tij direkt, Isa Mustafën, me një diferencë prej pothuajse 5% të votave. Partia e këtij të fundit, LDK sipas rezultateve të deritanishme ka marrë 25.85 %, e ndjekur nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit me 13.58 % të votave. Megjithatë, LDK-ja ka rikthyer Prishtinën për nga numri i votave krahasuar me zgjedhjet e fundit lokale, e cila humbi bastionin e saj nga partia e Albin Kurtit.

Në këtë mënyrë, Thaçi siguron fitoren për herë të tretë, por mbetet për të parë se me cilat parti do të krijojë koalicionin për të siguruar mandatin e tij të tretë 4-vjeçar në krye të vendit. Sipas një artikulli të Reuters, ka shumë gjasa që kryetari i PDK të formojë koalicion me partitë e vogla dhe me serbët etnikë.

Partitë e tjera, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka deri më tani 9.54 % të votave dhe Nisma për Kosovën e fatmir Limajt e Jakup Krasniqit 5.29 % të votave, duke fituar mundësinë për t’u futur në Kuvendin e Kosovës. Kurse Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacolli dhe Lista Serbe nuk mundën të kalonin pragun minimal prej 5%, duke marrë respektivisht 4.68 % dhe 3.79 %

Shënohen incidente, 8 të arrestuar, futen fletë në kutitë e votimit nga perona të paautorizuar

Kosovë, përfunduan zgjedhjet parlamentare, pjesëmarrja 43 %, priten rezultatet në mesnatë

Në orën 19:00 të mbrëmjes së djeshme përfunduan zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë. Deri në mbylljen e vendvotimeve, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 43 për qind, e afro një milion e 800 mijë qytetarë me të drejtë vote shfrytëzuan mundësinë të zgjedhin ndërmjet 30 subjekteve politike të regjistruara që me mbi 1 mijë e 200 kandidatë synojnë të sigurojnë përfaqësim në parlamentin 120 vendesh të Kosovës. Që në orën shtatë të mëngjesit u hapën rreth 800 qendra votimi me rreth 2 mijë e 400 vendvotime në 38 komuna të Kosovës. Autoritetet thanë se, përgatitjet e mira ndihmuan mbarëvajtjen e procesit dhe mbrojtjen e votës së qytetarëve të Kosovës, të cilët janë përballur me një proces të parregullt në zgjedhjet e vitit 2010. Rreth 100 prokurorë gjatë tërë ditës qëndruan në terren për të ndjekur çdo parregullsi dhe deri tash tetë persona janë arrestuar në ndërlidhje me shkeljet e rregullave gjatë procesit zgjedhor. Për sigurinë janë kujdesur policia e Kosovës, ajo e Misionit të Bashkimit Europian, për sundimin e ligjit dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, të cilët thanë se, nuk është regjistruar ndonjë incident për t’u raportuar. Autoritetet vendase e ndërkombëtare gjatë gjithë ditës kanë bërë thirrje për një proces të qetë e të lirë, duke vlerësuar se, zgjedhjet e ishin udhërrëfyes edhe për të ardhmen evropiane të Kosovës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar mbi 30 mijë vëzhgues, përfshirë ata vendës e ndërkombëtarë, në mesin e të cilëve edhe ata të misionit të posaçëm të Bashkimit Evropian, si dhe vëzhguesit e angazhuar nga ambasadat e vendeve euro perëndimore. Shefi i vëzhguesve evropian, Robero Gualtieri tha se, -të hënën do të publikohen gjetjet e misionit të tij që është shtrirë në tërë vendin. Vëzhguesit e koalicionit të organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” thanë se, gjatë ditës janë regjistruar parregullsi, siç janë votimet familjare, që nuk e dëmtojnë procesin, por në orët e mbrëmjes janë regjistruar disa raste të mbushjes së kutive të votimit nga persona të paautorizuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka paralajmëruar për në mesnatë publikimin e rezultateve paraprake. Zgjedhjet e djeshme shihen si një sprovë për synimet e shtetit të ri për të përparuar drejt integrimeve evropiane, por edhe e zotimeve të partive politike për të ndryshuar gjendjen aktuale në vendin më të varfër dhe më të izoluar të Europës. Kosova ka një shkallë të lartë të papunësisë dhe është vendi i vetëm i Evropës Juglindore, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Bashkimit Europian. Votimet e djeshme shihen edhe si sprovë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nëpërmjet të cilave synohet zgjidhja e situatës në veriun e Kosovës të banuar më shumicë serbe. Partitë politike nga radhët e komunitetit serb do të kenë dhjetë vende të garantuara në parlamentin e Kosovës, sikundër edhe partitë e pakicave të tjera etnike jo shqiptare.

Kosova voton, edhe kandidatët për kryeministër votojnë

Kandidatët për kryeministër, kreu aktual i qeverisë dhe kreu i PDK-së Hashim Thaçi, kreu i LDK-së Isa Mustafa dhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe kreu i AKR-së Behgjet Pacolli, si dhe lideri i Vetëvendosjes  Albin Kurti kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar. Gjithashtu, ata i kanë bërë thirrje qytetarëve të votojnë për të ardhmen e tyre. Rreth orës 10:19 minuta ka votuar edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në zgjedhje.

SHBA: Duam sjellje të përgjegjshme nga numëruesit

Para mbylljes së votimit Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson bëri thirrje për sjellje të përgjegjshme nga numëruesit e fletëvotimeve. Ajo ka vlerësuar me nota pozitive dhe procesin e votimit.“Kemi udhëtuar anembanë vendit sot duke vizituar disa komuna. Deri më tani, gjithçka duket të jetë e qetë dhe në rregull, shumë njerëz po vijnë të votojnë”,- tha Jacobson.

Manipulohen votat, futen flet në kutit e votimit

Ndërkaq Koalicioni “Demokracia në Veprim” në konferencën e fundit për media denoncoi mbushjen e kutive me fletë votimi në dy-tri qendra të votimit në Skenderaj. Driton Selmanaj, përfaqësues i Koalicionit Demokracia në Veprim i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Policisë të ndërhyjnë dhe të mos lejojnë prishjen e procesit elektoral në këtë qytet. Ndërkohë, procesi zgjedhor është vlerësuar nga ndërkombëtarët si proces i qetë. Janë shënuar vetëm disa incidente të vogla.

LDK: Nuk pranojmë zgjedhjet nëse ka manipulime

Lidhja Demokratike e Kosovës falënderoi qytetarët për kulturën e treguar gjatë procesit të votimit. Megjithatë, LDK-ja shpreh keqardhjen për përsëritjen e fenomenit të mbushjes së kutive të votimit nga eksponentët e Partisë Demokratikë të Kosovës, që është përsëritur edhe dje në disa qendra të votimit në Skenderaj, raporton gazeta Express. Me këtë rast, LDK-ja u bën thirrje organeve kompetente, KQZ-së, Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës që të ndërmarrin masat e nevojshme për mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.

Partitë politike komentojnë procesin zgjedhor, AAK dhe AKR shprehin shqetësime

Partitë Politike të Kosovës, AAK, VV, LDK dhe AKR kanë bërë një përmbledhje të ecurisë së procesit të votimit. AAK e Haradinajt ka shprehur shqetësimin së ka pasur votime familjare dhe disa postera afër qendrave të votimit. Ndërsa AKR thekson se, subjektet politike dhe përkrahësit e tyre po vazhdojnë të mos e respektojnë Kodin e Mirësjelljes dhe nuk po tregojnë pjekuri në garën zgjedhore.

Prokurorja Laura Pula: 8 persona të arrestuar

“Deri më tani në polici janë paraqitur 7 raste, ndërsa janë arrestuar tetë persona”. Kështu pohoi Laura Pula, në një konferencë për media, ku ka njoftuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Në Malishevë janë arrestuar 4 persona. Arrestimi është bërë pasi një nga këta personat kishte dalë nga qendra e votimit me fletën e votimit në dorë. Për tre prej këtyre personave është caktuar masa e arrestit.

KQZ: Mungesa e fletëve të votimit për shkaqet ekonomike

Një detaj i zbuluar nga Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në konferencën e sotme për shtyp ishte fakti se në të gjithë Kosovën ka mungesë të fletëvotimeve, kjo për arsye të ” shkaqeve ekonomike”.