Jonathan Moore: Qeveria dhe opozita duhet të punojnë për të ndërtuar shtetin ligjor!

516
Sigal

“Të luftosh korrupsionin nuk do të thotë që, ata që kanë pushtetin sot të ankohen për ata që kishin pushtetin më parë”

Kreu i Zyrës për Europën Juglindore në Departamentin e Shtetit, Jonathan Moore, në një diskutim për Ballkanin në Uashington u shpreh se qeveria dhe opozita në Shqipëri duhet të bashkëpunojnë në drejtim të procesit të integrimit euroatlantik. Në komentet e tij ai gjithashtu vlerësoi procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Zoti Moore tha se, ishte shumë e rëndësishme që rotacioni politik në Shqipëri u bë në një mënyrë të rregullt dhe tha se, qeveria aktuale, ashtu si edhe ajo e kaluara janë të angazhuara drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian: “Ishte e rëndësishme që krerët e të dyja palëve, opozitës dhe qeverisë së atëhershme e bënë të qartë që do të respektonin rezultatin e zgjedhjeve dhe pikërisht kjo ndodhi, megjithëse u harxhua gjithë ajo energji duke spekuluar se votat do të vidheshin nga njëra palë ose nga tjetra”. Kjo, tha zoti Moore, dërgon një mesazh të rëndësishëm jo vetëm për Shtetet e Bashkuara, por edhe për Bashkimin Europian. Ai tha se, Shtetet e Bashkuara shpresojnë që vendimi, i cili nuk u mor dot, për statusin e kandidatit rekomanduar nga Komisioni Evropian, të merret këtë vit. “Ka shumë arsye për një gjë të tillë dhe shumë opinione të ndryshme se pse ndodhi, kush votoi në favor dhe kush kundër në BE, por thelbi është se qeveria që sapo kishte ardhur në pushtet, nuk kishte kohë të bënte shumë nga mesi i shtatorit e deri kur Këshilli Evropian mori vendimin”. Duke pasur parasysh se Këshilli Evropian do ta diskutojë këtë çështje përsëri në qershor, zoti Moore tha se, në muajt në vazhdim, qeveria së bashku me opozitën, ka shansin që të punojë intensivisht për çështjet që kanë të bëjnë me shtetin ligjor. “Të luftosh korrupsionin nuk do të thotë që, ata që kanë pushtetin sot të ankohen për ata që kishin pushtetin më parë. Të luftosh korrupsionin dhe të konsolidosh shtetin ligjor bëhet përmes ngritjes së akuzave nga prokurorët, nëse ka nevojë për ngritje akuzash. Nuk duhet të bëhet fjalë thjesht për fajësim të paraardhësve”. Zoti Moore tha se kjo duhet të bëhet përmes ngritjes së çështjeve nga institucionet ligjore dhe juridike. “Në Shqipëri ka shumë prokurorë dhe gjykatës të zotë dhe ata mund të merren me rastet që u parashtrohen atyre, apo kur i ngre organi i akuzës. Por këto çështje nuk duhet të diskutohen vetëm në arenën politike”. Zoti Moore tha se shteti ligjor do kohë të ndërtohet, por se duhen ndërmarrë hapat fillestarë. Ai përmendi si shqetësim për shqiptarët dhe komunitetin ndërkombëtar, Lazaratin, duke thënë se shteti duhet të vërë të gjithë territorin nën kontroll. 

“Pika e rëndësishme, që u vu në pah edhe nga tranzicioni i qetë dhe demokratik, është se këtu nuk ka rol vetëm qeveria, por edhe opozita, pra për të gjetur mënyra për të mbështetur procesin jo vetëm duke u përpjekur të sigurohet mbështetje në BE, drejt së cilës kanë bërë një punë efektive, por ta vënë theksin tek mënyrat e bashkëpunimit”. Ai tha se qeveria e sotme, kur ishte në opozitë, jo gjithmonë i ka mbështetur hapat që duheshin marrë nga parlamenti. “Opozita e sotme ka premtuar se do t’i mbështesë hapat e nevojshme në parlament. Kjo duhet të vazhdojë. Qeveria duhet të gjejë një mënyrë të bashkëpunojë me opozitën, të forcojë mesazhin, që të mos shihet si një parti ose koalicion kundër tjetrit. Dhe ka një farë kohe për ta bërë një gjë të tillë, por jo edhe aq. Pra duhet vepruar së më shpejt”.
Ai theksoi se gjithsesi vendimi do të merret nga Bashkimi Evropian, por Shtetet e Bashkuara e mbështesin atë plotësisht. “Ne jemi dakord me Parlamentin Europian dhe struktura të tjera se Shqipëria e ka merituar statusin e kandidatit, por ne nuk kemi të drejtën ta marrim këtë vendim”.
Zoti Moore vlerësoi ecurinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithsesi ai thotë se do të ketë ende punë për detajet dhe zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Ai vlerësoi zgjedhjet komunale dhe shprehu shpresën për një proces të rregullt për zgjedhjet në komunën e Mitrovicës. Zoti Moore tha se, populli i Kosovës duhet të jetë krenar për sukseset që ka arritur, përfshirë marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që, siç tha ai, po e afron Kosovën me Bashkimin Evropian

Stefan Fyle dhe 5 pikat e integrimit në BE

Këshilli i Europës në axhendën e saj ka piketuar dhe përcaktuar pesë kushte që Shqipëria duhet të plotësojë për t’u bërë sa më shpejt vend kandidat i Bashkimit Europian. Pesë kushtet, të njohura mirë tashmë nga të gjithë, të cilat shërbejnë për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në BE janë: 1. Të vijojë reformën në administratën publike; 2. të forcojë pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e institucioneve gjyqësore; 3. Të bëjë përpjekje të mëtejshme të vendosura në luftën kundër korrupsionit, përfshirë drejt vendosjes së një bilanci solid; 4. Të bëjë përpjekje të mëtejshme të vendosura në luftën kundër krimit të organizuar; 5. Dhe të forcojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë të romëve dhe politikat kundër diskriminimit, si dhe të zbatojë të drejtën e pronës. Përveç këtyre pesë fushave të mëdha Këshilli i Europës duke kritikuar disa politika dhe vendimmarrje të qeverive shqiptare, indirekt ka këshilluar që të përmirësohen edhe disa pika të tjera të cilat japin rezultat pozitiv për integrimin e Shqipërisë në BE. Kështu është sugjeruar që të bëhet kujdes me retorikën nacionaliste, e cila shqetëson disa prej fqinjëve të Shqipërisë dhe bashkësinë ndërkombëtare. Është shumë e nevojshme që Ministria e Brendshme të ristrukturohet, pasi policia ende ka nevojë për një ndryshim në kulturën e udhëheqjes dhe për të fuqizuar vendimmarrjet operative. Reforma territoriale dhe administrative duhet të garantojë pavarësinë politike, financiare dhe administrative të qeverisjes vendore. Gjithashtu riintegrimi i plotë në shoqëri i ish të përndjekurve mbetet shqetësim. Qeverisë shqiptare tashme i mbetet vetëm të ndjek këto sugjerime dhe rruga drejt anëtarësimit nuk do të jetë aq e vështirë sa mendohet.