Sot njerëzimi është më i kërcënuar nga terrorizmi, sepse është pjellë e oligarkisë

1183
11 shtatori I 2001, është dita që ndryshoi rrjedhën historike të shekullit të 21. Aktet terroriste mbi Kullat Binjake në Nju York, si edhe sulmi terrorist mbi Pentagon, tronditën gjithë ndërgjegjen njerëzore, duke dëshmuar edhe përmasat e frikshme që mund t’I sjellë Njerëzimit terrorizmi. Veç kësaj, tragjedia e madhe e terrorizmit mbi simbolin e Demokracisë në Botë, në SHBA, ndërgjegjësoi edhe personazhet e politikës së Botës, se cilat ishin shkaqet politike, sociale, fetare, historike që lindën terrorizmin. Mirëpo, pas 14 vjetësh, sa ka ndryshuar Bota dhe Njerëzimi përballë rrezikut të terrorizmit? Nëse deri në 2001, terrorizmi ishte një ide, që udhëhiqte njerëz e forca të caktuara në akte terroriste, sot, fatkeqësisht, në Lindjen e Mesme, kemi një shtet terrorist, që vetëquhet “Kalifat”, ku nëpërmjet dhunës, forcës, krimeve më çnjerëzore kërcënon haptazi, me ushtri, se do të përhapet gjithandej, në Afrikën Veriore, në Europën Juglindore dhe Perëndimore, në Lindjen e Mesme. 

Gazeta “Telegraf” në forumin për 14 vjetorin e tragjedisë të 11 shtatorit 2001, ka intervistuar ish ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Prof. Dr. Paskal Milo, ish ambasadorin e Shqipërisë në OKB Abdi Baleta, lektoren e Shkencave Politike në UT Majlinda Keta dhe ballkanologun Dr. Koço Danaj, duke pyetur:
-Cili është meshazhi që përcillet nga 11 shtatori i 2001?

-Po sot, a përbën kërcënim serioz terrorizmi për Njerëzimin?

Prof. Dr. Paskal Milo, duke fokur për gazetën “Telegraf” shprehet se sot, më shumë se kurrë duhet vigjilencë ndaj ekstremizmit dhe terrorizmit ndërkombëtar, veçanërisht atij që vjen nga Lindja e Mesme. Prof. Milo thotë se Ballkani është e ekspozuar ndaj rrezikut të terrorizmit, ngaqë është ura lidhëse e Lindjes së Mesme me Europën. Ish ambasadori Baleta shprehet për “Telegraf” se deri tani ka dështuar lufta kundër terrorizmit, derisa e kanë bërë terrorizmin palë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe se terrorizmi është pasojë, jo shkak. Në luftën kundër terrorizmit u imitua për të keq, kualicioni Antifashist i Luftës së Dytë Botërore. Dr. Danaj thotë për “Telegraf” që terrorizmi është pjellë e oligarkisë së Brukselit, për të mbajtur nën zgjedhë dhe frikë popujt. Ndërsa lektorja e shkencave politike, Majlinda Keta, pohon për gazetën “Telegraf” se terrorizmin e lindin mospranimi I tjetrit të të qënit ndryshe, mungesa e demokracive të konsoliduara, qeveritë e korruptuara dhe kur humania diskriminon humane. 
Prof. Dr. Paskal Milo: Ballkani i rrezikuar nga terrorizmi, është ura lidhëse e Lindjes së Mesme me Europën
11 shtatori më tepër se kurrë në rrethanat aktuale na bën thirrje dhe na tërheq vëmendjen për vigjilencë përkundrejt ekstremizmit dhe terrrorizmit ndërkombëtar, veçanërisht atij që vjen nga Lindja e Mesme. Ballkani është kontakti i parë dhe ura lidhëse midis Europës dhe Lindjes së Afërt dhe të Mesme dhe çdo përpjekje për të kërcënuar Europën, përmes kontigjenteve terroriste, patjetër, që këtë urë të natyrshme dhe historike midis Lindjes dhe Perëndimit, e shfrytësojnë të gjithë ato forca që deri ëm sot me veprimet e tyre kanë tronditur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ballkani me qeveritë respektive duhet që luftën kundër terrorizmit dhe strategjinë e Sigurisë të mos e kenë vetëm pjesë të axhentave të takimeve, konferencave të tyre, port a kenë aksion të përditshëm gjithëpërfshirës dhe intensive. Vetëm në këtë mënyrë dhe me këtë angazhim të të gjitha vendeve mund të përballohet ky rrezik global, që gjithnjë e më shumë po bëhet kërcënues. 

Abdi Baleta: Apeli: Mos e bëni terrorizmin palë në marrëdhëniet ndërkombëtare

11 shtatori I 2001 ka marrë një simbolikë në gjithë Botën si Dita e Luftës kundër Terrorizmit. Por terrorizëm ka patur edhe para 11 shtatorit, edhe pas 11 shtatorit 2001. Kjo natyrisht, tani ka zënë vend në mendimin ndërkombëtar, në përgjithësi, si ngjarja më tronditëse. Në ato kohë unë kam thënë: Mos e bëni terrorizmin palë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Dhe sot, mund të them, për fat të keq, kjo u vërtetua. Terrorizmi, më nuk është punë e një grupi, e një rryme, por konsiderohet palë e marrëdhënieve ndërkombëtare, përderisa sot ka një shtet që quhet terrorist, si i ISIS. Është apo nuk është shtet, unë nuk e di. Sidoqoftë terrorizmi nuk u luftua me mjetet që luftohet terrorizmi, por u shpall si një armik ndërkombëtar që duhet luftuar me ushtri, me koalicione, etj. Dhe kjo strategji nuk bëri gjë tjetër, veçse se e shtoi terrorizmin. Me një fjalë, lufta kundër terrorizmit devijoi. Kjo është fatkeqësi për gjendjen ndërkombëtare sot. Devijoi sepse u nis për qëllime politike. Pas rënies së komunizmit, kërkohej një armik, kundër të cilit duhej të mobilizohej gjithë bota. U imitua keq koalicioni antifashist i Luftës së Dytë Botërore dhe kjo pastaj devijoi luftën kundër terrorizmit real, sepse terrorizmi, nuk është gjë tjetër, veçse formë dhe metodë e krimit, shfaqje e kriminalitetit. Krimi nuk zhduket dhe do të jetojë bashkë me Njerëzimin. Dhe në vend të luftërave me mjete policore, u bë luftë me koalicione ndërkombëtare. Tani nuk largohen më nga kjo rrugë. Sot ka më shumë kërcënime nga terrorizmi, sepse terrorizmi është përhapur gjithandej. Bota rrezikohet. Por, terrorizmi në vetvete, është pasojë dhe jo shkak. Terrorizmin e ushqejnë shumë faktorë. E ushqejnë kontradiktat e vjetra, e ushqjnë ambicjet e reja, qofshin këto shtetërore, koalicione, popujsh, kombesh. E ushqen edhe varfëria. Ka një karakteristikë, se terrorizmi nuk është vepër vetëm e të varfërve. Ata që thuhet se e drejtuan aktet terroriste në Nju York e Uashington, ishin bijë pasanikësh. Edhe në vendet e tjera po kështu është. Ka një sërë shkaqesh historike, psikologjike, aktuale, politike. 

Dr. Koço Danaj: Terrorizmi është pjellë e Oligarkisë europiane

Është shumë e thjeshtë për ta kuptuar. Terrorizmin e ka krijuar Europa. Terrrorizmi është pjellë e Europës. E oligarkisë europiane. Me përjashtim të oligarkëve, të gjithë ne të tjerët, jemi të pasigurtë dhe të rrezikuar nga terrorizmi. Për popujt, terrorizmi është kërcënim i madh, por për oligarkët, jo, sepse ata janë krijues të terrorizmit. Oligarkët e krijuan terrorizmin që të mbajnë popujt të nënshtruar në të gjitha kontinentet dhe kështu këta oligarkë ushqejnë të gjitha format e terrorizmit, kudo. Çdo organizmën terrorist krijohet nga oligarkët e botës. Deri tani në Ballkan, oligarkët nuk kanë krijuar dot organizata terroriste, por përpiqen që ta shdërrojnë edhe Ballkanin në një qëndër terrorizmi. Janë përsëri oligarkët e Bruksesit frymëzuesit dhe ushqyesit dhe nxitësit e terrorizmit edhe në Ballkan. Edhe emigrantët e sotëm që vijnë nga qëndrat e luftës, që ka hapur terrorizmi, drejt Europës përbajnë rrezikun, që të penetrojnë me emigrantët edhe terroristët në Europë. Dhe kjo varet nga ata që kanë krijuar qëndrat e terrorizmit. Nëqoftëse ata kanë interest ë hedhin në erë ndonjë objektiv të Europës, edhe do të infiltrojnë terroristët mes emigrantëve. Nëse nuk kanë interes, nuk do infiltrojnë. Çdo gjë varet nga oligarkët. Ata janë zotërit e paqes dhe zotërit e luftës. 

Majlinda Keta: Varfëria, mungesa e demokracisë, qeveritë e korruptuara lindin terrorizmin

Akti terrorist i 11 shtatorit 2001, kjo pasojë nuk vjen nga 1 sekondë çmenduri individuale… Vjen e akumulohet nga mënyra se si edukohemi për të pranuar tjetrin e ndyshëm në besim, status social, kombësi e gjini. Nga padrejtësia e thelluar mes popujve dhe ekonomive, nga pabarazia në trajtim e mundësi për integrim dhe pasojat që ato shkaktojnë mes nesh, kudo që jetojmë e marrim frymë. Mos e harroni 11 shtatorin e 2001, atë ditë vdiq edhe koha e internetit, pasi humania e vërtetoi degjenerimin e saj. Për sa kohë do kemi varfëri, për sa kohë nuk do kemi të drejta të Njeriut, akoma nuk do kemi demokraci të konsoliduara, qeverisje të mira dhe transparente, për sa kohë nuk do kemi arsimim cilësor të fëmijve tanë, po kaq kohë do të ekzistojë mundësia e terrorizmit dhe e lindjes së elementit terrorist ashtë dhe pavarësisht cilësimit të nacionaliteteve. Për mua terrorizmi nuk ka të bëjë as me terrorizmin, por me të gjitha ato raste kur humania diskriminon humanen, bazuar në ndryshesat tona. Për sa kohë nuk do bëhen detyrat ndaj këtyre çështjeve madhore të Botës sot, po kaq kohë, do të kemi mes nesh terrorizmin dhe terroristët. 
Sigal