Greqi, plagosi të ëmën me thikë, zbardhet dëshmia e 14 vjeçares shqiptare

100

Pak ditë më parë një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kaminia në Greqi, ku një 14 vjeçare ka sulmuar nënën e saj me thikë.

Mediat greke raportojnë se ishte ora 02:00 e mëngjesit të së enjtes së kaluar, kur vajza 14-vjeçare shkoi në kuzhinë ku mori një thikë 23 centimetra, për t’u drejtuar më pas në dhomën ku flinte mamaja e saj dhe nisi ta godiste me thikë.

E ëma e tmerruar ka bërtitur, britmat e së cilës kanë sjellë reagimin e vajzës tjetër. Kjo e fundit vrapoi drejt sallonit dhe i hoqi thikën nga dora motrës së saj binjake. Vajza tjetër ka njoftuar menjëherë policinë e cila ka mbërritur në vendngjarje bashkë më të edhe ambulanca.

Gruaja u dërgua me urgjencë në spital me 12 plagë thike; 3 në krahun e majtë, 1 në shpatull, 2 në gjoks, 4 në pjesën e barkut dhe 2 në shpinë. Ajo qëndroi në spital për disa ditë ku u mbajt në kujdes intensiv, ndërsa aktualisht raportohet se është jashtë rrezikut për jetën.

Në prani edhe të psikologes, policia shoqëroi vajzën 14-vjeçare për ta marrë në pyetje lidhur me këtë ngjarje të rëndë. E mitura e tronditur ka thënë se nuk mban mend asgjë.

Motra e saj binjake u shpjegoi hetuesve se 14-vjeçarja po luante me video-lojëra deri në orët e vona të natës.

Policia e ka lënë të lirë me kusht 14-vjeçaren, ndërsa oficerët e policisë nga Departamenti i të Miturve që po hetojnë ngjarje, thonë se janë të shokuar nga ky rast. Historia e rëndë tronditi opinionin publik në Greqi, kurse 14-vjeçarja vazhdon të insistojë se nuk i kujtohet asgjë nga veprimet e saj.

Mediat greke bazuar në dëshmitë e fqinjëve bëjnë të ditur, se familja është shumë e rregullt, nuk ka shkaktuar probleme.

Edhe pse prindërit janë të divorcuar, babai i vajzave mban kontakte të vazhdueshme dhe ka marrëdhënie të shkëlqyera me to.

Për më tepër, 14-vjeçarja që goditi me thikë të ëmën, është nxënëse me rezultate të larta në shkollë.