Goditet organizata që transportonte drogë me skaf nga Shqipëria në Itali

701
Një organizatë kriminale që transportonte me super skafe sasira të mëdha droge nga Shqipëria në Itali, është asgjesuar pas një bashkëpunimi midis policisë bregdetare greke dhe Guardia di Financia-s italiane.

Ministria greke e marinës njoftoi të shtunën pasdite se janë arrestuar dy shtetas grekë dhe pesë shqiptarë.

Sipas komunikatës zyrtare, pjesëtarë të organizatës kriminale kishin kryer përgatitjet e nevojshme për një skaf i cili ruhej në një zonë të Athinës dhe më 6 prill, u nis pa ngarkesë për në brigjet e Shqipërisë. Aty, pas një qëndrimi prej një ore, skafi u ngarkua dhe nisi lundrimin për në brigjet e Italisë.

Për këtë u informuan Guardia di Financia italiane, dhe mbrëmjen e të njëjtës datë skafi u lokalizua në bregdetin e Italisë së jugut, duke shkarkuar drogën e llojit kanabis. Menjëherë pas kësaj u largua me shpejtësi.

Fillimisht në ndjekje të skafit u vunë mjetet lundruese të rojeve financiare italiane dhe pastaj, kur hyri në ujërat greke, njësitë e policisë bregdetare vendase.

Në operacion merrnin pjesë edhe helikopterë si dhe një skuadër snaiperësh, të cilët qëlluan për paralajmërim, pas ekipazhi i skafit, i përbërë nga tre persona, nuk iu bind sinjalit për të ndaluar.

Përfundimisht skafi u kap në brigjet e Peloponezit, në jug të Greqisë, në vendin e quajtur kepi i Tainaros.

Si rezultat i gjithë operacionit u sekuestruan dy skafe, një shumë prej 1.800 eurosh, 13 telefona celularë, dokumente të shumta që lidhen me veprimtarinë e organizatës kriminale.

Në Itali, Guardia di Financia sekuestroi drogën që kishte çuar skafi, që pas peshimit rezultoi në 1,49 tonë.

Sipas autoriteteve greke, shtatë të arrestuarit, janë pjesë e një organizate me strukturë profesionale dhe veprimtari të vazhdueshme. Qëllimi ishte transportimi i sasirave të mëdha të drogës nga Shqipëria për në Itali dhe prej andej ne Europe. Transporti realizohej me super skafe që arrinin shpejtësi shumë të mëdha dhe kishin autonomi të plotë në karburante.

Fitimi monetar i organizatëls nga gjithë aktiviuteti, përllogaritet në miliona euro.

Ministria greke e marinës vë gjithashtu në dukje se e njëjta organizatë implikohet në tentativën për trafikimin e më shumë se dy tonë kanabis, që ishin sekuestruar në 4 shkurt të këtij viti në një operacion bashkëpunimi midis policive greke, shqiptare dhe italiane.
Sigal