Gjermani, kandidatja e plagosur me thikë fiton garën për Bashkinë e Këlnit

166
Kandidatja për Bashkinë e Këlnit në Gjermani, e cila u plagos me thikë të shtunën gjatë fushatës së saj elektorale, ka fituar zgjedhjet dhe tashmë është kryebashkiake e qytetit. Henriette Reker, një kandidate e pavarur, por e mbështetur nga kancelarja Angela Merkel, fitoi 52.7% të votave. 
Aktualisht, ajo gjendet e shtruar në spital, në gjendje të rëndë shëndetësore, por të qëndrueshme. Policia e Këlnit tha se ai që e plagosi me thikë në qafë Rekerin ishte një person i zemëruar me politikën që po ndjek Gjermania me refugjatët. 
Agresori mund ta ketë shënjestruar për shkak të rolit që kandidatja ka luajtur në strehimin dhe përkujdesjen ndaj refugjatëve në Këln. Mendohet se i dyshuari, që nuk kishte dosje penale, ka vepruar i vetëm, ndaj dhe policia nuk po kërkon për bashkëpunëtorë.