Fundoset naftëmbajtësja, vdesin 32 marinarë

30
Është fundosur anija iraniane që po digjej prej javësh në detin lindor të Kinës. Autoritetet kanë theksuar se 32 anëtarët e ekuipazhit kanë vdekur. Ndërsa është dhënë edhe alarmi për katastrofë mjedisore, pasi anija transportonte naftë të papërpunuar.
Mediat e Kinës bëjnë me dije se naftëmbajtësja, që po digjej prej më shumë se një jave në detin lindor, është fundosur. “Sanchi” dhe një anije mallrash u përplasën 260 km larg Shangait më 6 janar. Anija me naftë po udhëtonte për në jug-lindje drejt Japonisë. Zyrtarët iranianë pranojnë se 32 anëtarët e ekuipazhit- 30 iranianë dhe dy shtetas të Bangladeshit-kanë vdekur.
Anija po transportonte 136 mijë tonë naftë të papërpunuar. Për këtë është dhënë edhe alarmi për katastrofë mjedisore. Megjithatë, zyrtarët nga qeveria e Kinës thonë se nuk ka rrjedhje të mëdha në det.
Televizioni Qendror i Kinës tha se “Sanchi” është fundosur rreth mesditës të së dielës, 4 e mëngjesit me orën tonë lokale. 13 anije dhe një njësi komando iraniane kanë marrë pjesë në operacionet e shpëtimit, pavarësisht motit të keq. Një zëdhënës i ekipit të Teheranit, Mohamad Rastad, tha se tashmë nuk ka asnjë shpresë për të gjetur të mbijetuar.
Të shtunën, ekipet e shpëtimit rikuperuan trupat e pajetë të dy anëtarëve të ekuipazhit. Ndërsa gjatë javës ishte gjetur edhe një tjetër trup i pajetë. Mësohet se gjatë operacioneve të shpëtimit ëshë marrë nga naftëmbajtësja edhe kutia e zezë. Nga ajo pritet të zbulohet shkaku i përplasjes, i cili ende nuk dihet.