Frank SHKRELI/ Ndikimi i pavarësisë Amerikane në botë

454

GËZUAR DITËLINDJEN AMERIKË!

Më 4 Korrik, 1776, Kongresi i dytë Kontinental,  miratoi Shpalljen e Pavarësisë të 13 kolonive amerikane, duke shpallur kështu ndarjen, njëherë e mirë,  të kolonive nga Britania e Madhe dhe shënon ditën, ku iu shpallë mbarë botës se: “Të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta.”   Në thelbin e revolucionit amerikan, ishte ideja e vetëqeverisjes, d.m.th., e drejta e një populli për të ushtruar vet të gjitha kompetencat e pushtetit pa ndërhyrje nga dikush tjetër.  Tomas Xhefersoni, kryeautori i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara ka thënë se vetëqeverisja është një e drejtë që njerëzit e kanë, në bazë të “ligjeve të natyrës dhe të  Perëndisë”.

Historia e kombit të ri amerikan ishte plot e për plot konflikte të brendshme, por edhe të jashtme, me vendet që kërcënoheshin nga krijimi i një sistemi republikan të qeverisjes, siç ishte sistemi i republikës së re amerikane. Por pas shumë debatesh dhe argumentesh, Deklarata e Shpalljes së Pavarësisë, 237 vjet më parë nga kolonitë amerikane, vendosi bazën e një kombi të ri,  që sot quhet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një dokument ky, që ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si një frymëzim për  mbrojtjen e të drejtave të njeriut si edhe për sovranitet dhe pavarësi.   Anë e mbanë botës, për ata që duan t’i dëgjojnë dhe për ata që nuk duan, gjithnjë  bën jehonë deklarata e Kushtetutës amerikane se: “Perëndia  i ka pajisur të gjithë njerëzit me disa të drejta të patjetërsueshme, ndër të cilat janë Jeta, Liria dhe e Drejta për të ndjekur mundësinë për  të qenë i kënaqur në jetë”.  Fjalët e para të Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, se, “ne besojmë në këto të vërteta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta”, kanë  bërë jehonë gjatë historisë së tre shekujve të kaluar, duke nxitur bërjen e ndryshimeve  për të siguruar barazi  për të gjithë, duke filluar nga zhdukja e skllavërisë e deri tek miratimi i ligjeve për sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të barabarta për burrat dhe për femrat.  Dokumenti i  Shpalljes së Pavarësisë Amerikane, që zyrtarisht zyrtarizoi Pavarësinë nga Britania e Madhe,  është në të vërtetë një përmbledhje e 10-amendamenteve të Kushtetutës amerikane, dokument ky, që njihet si ”Bill of Rights”, që sot njihen si të drejtat bazë të njeriut, përfshirë lirinë e fjalës, lirinë e shtypit dhe të fesë, ndër të tjera.

Në Filadelfia të shtetit Pensilvania, 56 burra nga të gjitha kolonitë hodhën votën e parë për Pavarësi nga Britania e Madhe duke nënshkruar  Shpalljen e Pavarësisë së Amerikës  më 4 Korrik, të vitit 1776 dhe njëkohësisht duke i shpallur  edhe botës  së atëhershme parimin radikal për kohën, se qeveria duhet të bazohet në pëlqimin  dhe miratimin e saj nga  populli.   Ndonëse natyrisht  4 Korriku është një festë amerikane,  parimet e Shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara  janë bërë bazë, gjithashtu, edhe e kushtetutave të shumë vendeve të botës, por mbi të gjitha, ato janë përfshirë edhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Andaj si e tillë, kjo ditë mund të konsiderohet si një ditë feste e të drejtave të përbashkëta dhe universale të njerëzimit.   Shpallja e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara ka ndikuar dhe ka bërë jehonë në zhvillimet historike të shumë vendeve, përfshirë edhe Francën.   Në dokumentet e Revolucionit Francez mund  lexohet se: “Njerëzit janë lindur të lirë dhe mbeten të tillë, me të drejta të barabarta”.

Historianët thonë se, ndikimi i Shpalljes së Pavarësisë amerikane ishte i drejtë për drejtë, në valën e shpalljeve për pavarësi të shumë vendeve pas Luftës së Parë Botërore me shembjen e Perandorisë Osmane, Ruse dhe Austro-Hungareze, si dhe gjatë periudhës deri në fund të shekullit të kaluar, me shpartallimin e perandorive të tjera,  përfshira ato komuniste, kur nga shpartallimi i  këtyre perandorive lindën një numër shtetesh të pavarura anë e mbanë botës.
   

Edhe shqiptarët kudo kanë të drejtë të festojnë sot 4 Korrikun, Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, pasi ishin parimet për të drejtat universale të njeriut dhe për vetëvendosje dhe sovranitet të shteteve që rrjedhin nga kjo deklaratë, ato që shtynë Presidentin amerikan Uilson të mbronte Pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris në fillim të shekullit të kaluar —  dhe ishte  besimi në këto parime dhe si rrjedhim, detyrimi moral,ai që detyroi Shtetet e Bashkuara, me në krye Presidentin Klinton, të  ndërhynin ushtarakisht në Kosovë, në fund të shekullit që kaloi,  për të  ndaluar shfarosjen dhe shpërnguljen e shqiptarëve nga ushtria dhe policia terroriste serbe.  Politika uillosniane, “Se çdo popull ka të drejtë të zgjedhë sovranitetin nën të cilin dëshiron të jetojë dhe të veprojë”, u çua në vend.

Në të vërtetë, ishin parimet që rrjedhin nga deklarata e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, se qeveritë duhet të kenë pëlqimin dhe miratimin e popullit, ato që çuan në prishjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kur në vitin 1945, Enver Hoxha refuzoi të lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të lira, gjë që  përfundoi në mbylljen e misionit diplomatik amerikan në Tiranë.  Me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis tyre në vitin 1991, dy vendet kanë zhvilluar marrëdhënieve të mira, në bazë të parimeve të përbashkëta për respektimin e të drejtave të njeriut dhe për të drejta të barabarta për të gjithë. Dhe duke u bazuar në parimin mbi sovranitetin dhe pavarësinë e shteteve — Shtetet e Bashkuara, sipas zëdhënësve amerikanë, vazhdojnë të jenë të angazhuara dhe të vendosura seriozisht që Shqipëria  dhe Kosova, si shtete sovrane dhe të pavarura, të realizojnë aspiratat e tyre për integrimin e plotë të kombit shqiptar në organizmat euro-atlantike, dhe në një Europë, “të lirë, të tërë dhe në paqe”, aty ku e ka vendin dhe karrigen e vet.

Mesazhi i kësaj dite të rëndësishme për kombin amerikan,  por edhe për të gjithë ata që vlerësojnë dhe besojnë në parimet e Shpalljes së Pavarësisë amerikane  është i thjeshtë, por edhe i rëndësishëm sa vet jeta. Është një mesazh që jehon sot e kësaj dite anë e mbanë botës, se të drejtat tona bazë, si qenie njerëzore, e “që janë Jeta, Liria dhe e Drejta për të ndjekur mundësinë për të qenë i kënaqur në këtë jetë “, vijnë nga Perëndia dhe jo nga ndonjë autoritet qeveritar ose shtetëror i kësaj bote. Dhe si të tilla, qeveritë ekzistojnë me pëlqimin dhe miratimin e popullit, për t’i mbrojtur këto të drejta, dhe jo për t’i shkelur ato. Në të vërtetë ky ishte një mesazh radikal  për kohën, por është i tillë edhe sot në shumë vende autoritare të botës ku shkelen të drejtat e njeriut dhe ku nuk merret parasysh dëshira e shumicës. Prandaj, mesazhi i kësaj dite është se, qytetarët kudo kanë jo vetëm të drejtë, por edhe detyrë  të  heqin qafe cilindo regjim që përpiqet t’i dhunojë këto të drejta.

 Sot, në këtë ditë të shenjtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo vetëm amerikanët, por edhe popujt anë e mbanë botës, duhet të jenë krenarë dhe të kujtojnë  ata që shpallën  pavarësinë e Shteteve të Bashkuara, sepse ata hodhën në veprim një forcë pozitive  që solli dinjitet, dhe njëherazi çimentoi idenë e të drejtave të barabarta për të gjithë njerëzit jo vetëm sot, por edhe për breznitë e ardhshme anë e mbanë botës.  Ishin këto parime morale dhe jehona e tyre, nevoja pra për lirinë dhe respektimin e të drejtave bazë të njeriut , që çuan më në fund në shembjen e komunizmit në Europë, duke bërë që qindra miliona njerëz të gëzojnë jetën në liri. Ishin idetë e themeluesve të kombit amerikan, Xhorxh Uashingtonit, Tomas Xhefersonit, Xhon Adamsit, Benjamain Franklinit e shumë të tjerë, por dhe të vërtetat morale të tyre, ato që edhe sot vazhdojnë të frymëzojnë të shtypurit e botës.