Ura-Vajgurore, bashkia padit firmat që shkatërruan kurorën e re të pishave

544
Sigal

Flet zëdhënësi Mihal Bardhi: “U shfrytëzua fushata zgjedhore për t’u zaptuar sipërfaqe të reja pyjore”

Firmat e gurores që kryejnë aktivitetin e tyre në Urë-Vajgurore kanë shfrytëzuar fushatën zgjedhore për të zgjeruar aktivitetin e tyre. Firmat kanë zaptuar sipërfaqe të reja toke, të cilat kanë qenë të mbjella me pisha. Kjo tokë është brenda sipërfaqes që administron bashkia. Pronarët e firmave duke përfituar nga fushata kanë zgjeruar territorin me shpresën se nuk do t’i shqetësonte askush. Por duke parë shtrirjen e aktivitetit përtej asaj që ka caktuar ligji është bllokuar puna nga ana e bashkisë nëpërmjet Policisë Bashkiake. Lajmin e ka bërë të ditur për gazetën “Telegraf”, zëdhënësi i Bashkisë së Urës- Vajgurore, z.Mihal Bardhi, i cili është shprehur se, pronarët e minierave të gurores, në momentin që zhvillohej fushata elektorale kanë vepruar kundër ligjit, duke zgjeruar sipërfaqet e tyre të gurorëve, duke shkatërruar kështu sipërfaqet e mbjella me pisha. “Bashkia me t’u njohur me situatën menjëherë ka marrë masa duke shkuar në vend për të parë nga afër gjendjen. Më pas nëpërmjet Policisë Bashkiake, ka ndaluar veprimtarin e tyre që ishte shtrirë në sipërfaqet e mbjella me pisha”, tha Bardhi.

Rastet e tjera

Burime nga bashkia bëjnë të ditur se menjëherë është hartuar një proces verbal nga ana e bashkisë për sipërfaqen e shkatërruar me pisha. Sipas zëdhënësit të kësaj bashkie, Mihal Bardhi bëhet e ditur se, pas verifikimit të dëmit të shkatërrimit të kurorës me pisha bashkia ka bërë një proces verbale dhe më pas ka përgatitur dosjen për ta dërguar në Prokurori për ndjekje penale. “Nuk është hera e parë që pronarët e disa firmave veprojnë në kundërshtim me ligjin. Disa herë ata i kanë vënë zjarrin sipërfaqeve me pisha dhe më pas kanë zgjeruar sipërfaqen e gurorëve të tyre. Edhe pse janë bërë hetime nga ana e Prokurorisë kanë kaluar shumë kohë dhe autorët e vënies së zjarrit, ende nuk janë identifikuar. Ne si bashki do të marrim të gjitha masat, për ruajtjen e sipërfaqes së kurorës me pisha, pasi ato janë mushkrit e një qyteti me 12 mijë banorë. Bashkia disa herë është përplasur me pronarët e firmave të minierave për shkelje të ligjshmërisë në lidhje në sipërfaqen e guroreve, por nga ana e drejtësisë ende nuk është marrë asnjë masë ndëshkimi”, tha Bardhi.

Shqetësimi

Zëdhënësi Bardhi gjithashtu u shpreh, se, “gjendje në këtë qytet është shumë e rënduar nga ndotjet e minierave, pasi pronarët e këtyre firmave nuk zbatojnë rregullat e sigurimit teknik gjatë punës, madje të gjitha minierat punojnë pa indrante që shërben për njomjen e tymit në momentin që ai del nga përpunimi gurit. Kjo procedurë nuk zbatohet, sepse hidrantët janë të shtrenjtë dhe pronarëve nuk i intereson që t’i blejnë ato”, -tha Bardhi.