Vrau të dashurën, policisë i tha se vdiq duke lozur ‘ruletën ruse’

169
Sigal

Është burgosur sot për 30 vjet një burrë i mbrapshtë që qëlloi për vdekje të dashurën e tij dhe tentoi të justifikohej duke thënë se vdiq duke luajtur ‘ruleta ruse’ me armën.

31 vjeçari Leonardo Pereira dos Santos, qëlloi për vdekje 18-vjeçares Gabrielly da Silva Miranda sepse ajo donte të ndahej prej tij, thanë prokurorët në Brazil.

Gjykata tha se incidenti fatal ndodhi në zonën Samambaia të kryeqytetit Brasilia, më 14 janar.

Gjykatësja Viviane Kazmierczak tha se dos Santos ‘kontrollonte, manipulonte e përndiqte të renë duke e abuzuar fizikisht e verbalisht gjatë marrëdhënie së tyre thuajse pesë-vjeçare.

Kohëzgjatja e marrëdhënies së tyre do të thotë se vajza fatkeqe kishte qenë minorene kur nisi të shoqërohej me të.

I akuzuari u përpoq të mbrohej duke thënë se besonte se arma nuk ishte e mbushur dhe se tragjedia ndodhi aksidentalisht, por kjo nuk e bindi jurinë.

Ai u dënua për vrasje, zotërim ilegal armësh dhe u dënua me 30 vjet burgim.

Raportimet vendase thonin se dos Santos kishte të dhëna të shumta kriminale për vjedhje, trafik drogash dhe tentativë vrasjeje.

Zhvillimi vjen pas një rritje të krimeve dhe dhunës shtëpiake në kryeqytetin brazilian të nxitur nga efektet e pandemisë dhe rënies ekonomike.