Kadri UJKAJ/Prof.Gezim Uruçi, enciklopedia e gjallë e Shkodrës

706
Sigal

Në epokën e hapjes dhe të integrimit, veçmas brenda vetes, për cilido intelektual, krijues apo studiues serioz, shanset e njohjes sa me vetveten, sa me të tjerët, janë nga më brilantet. Dhe, në këtë vështrim, njohja me individë të spikatur, në domethënien e tyre ekzistenciale, për një vullnet dhe guxim permanent, përballë sfidave në fushën e vet, padyshim dhe patjetër artikulohet brenda teje si një kënaqësi e veçantë. E kisha dëgjuar këtë emër përmes shokëve dhe miqve të tij, por asnjëherë nuk më kishte qëlluar rasti të shkëmbenim qoftë edhe dy fjalë me njëri-tjetrin. Në një kontekst sa real, sa sureal do të takoheshim për të mbetur si dy miq dhe për të mos u ndarë deri në ditët e fundit të jetës së tij, me Profesor Gezim My. Uruçin  qytetarin shpirtmadh dhe hulumtuesin serioz, që urrejtjen “nuk e njihte”, edhe pse i dallonte qartë ata që nuk u gëzoheshin sukseseve të shkëlqyera, sfidave të fituara prej tij, si pak kush në Shkodër, Shqipëri dhe në Evropë, në fushën e studimeve speleologjike. Vërtet ai jetonte shpirtërisht me malet dhe shpellat, por po ashtu jetonte edhe me statusin e fjalës si vlerë universale: Gezimi ishte edhe një poet që të mrekullonte. Në studion e tij ruante, si gjëra të shenjta, rreth 200 poezi të  krijuara prej tij, në të cilat spikaste niveli artistik, larmia e strofave dhe vargu klasik deri tek ai modern. Me orë të tëra më ka takuar të ndiqnim, bashkë, në kompjuterin e tij gjithë atë dokumentacion të fotografuar, arshivuar dhe të mbajtur me kujdes, ku mbaheshin model mbi 80 mijë negativa të skeduara sipas sistemit të mirënjohur të Fototekës “Marubi” si dhe afro 100 mijë fotografi të realizuara me aparatin e tij në veprimtari të ndryshme kulturore, patriotike, shkencore.

Profesor Gezimi fliste, mirë, disa prej gjuhëve të huaja, çka kam arritur ta kuptoj sa nga të afërmit e tij, sa nga ndjekja me 3-4 orë rresht në kompjuterin e tij të punës, të veprimtarive të zhvilluara: konferenca shkencore, me dialogje e polemika, deri kongrese jashtë shtetit, me studiues gjermanë, norvegjezë, italianë, rusë, anglezë, serbë, bullgarë etj. Përvoja të tilla me të huajt, të jepnin mundësinë që të kuptoje që ai fliste mjaft mirë: gjermanisht, anglisht, italisht, serbisht, bullgarisht dhe rusisht.

Profesor Gezim My.Uruçi gjatë viteve ‘90-të, që banonte në Kassel Trier, në Bon të Gjermanisë, krahas përgatitjes vullnetare, për rreth 4 vite, të studentëve për trajnerë të huaj, speleologë, në Universitetin e Bonit, do të jepte një kontribut të shquar prej patrioti edhe në përgatitjen speciale të trupave të UÇK-së së Kosovës. Rrjedhimisht, ai njihte nga afër, ruante raporte konfidenciale dhe takohej me raste, krejt miqësisht, me ish-liderët e njohur të UÇK-ës: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Ramush Haradinajn etj.

Megjithatë fusha pasionante e tij qenë hulumtimet në speleologji, ku arriti të eksplorojë rreth 3200 shpella, brenda dhe jashtë vendit, duke merituar, kështu, në vitin 1994 sodisfaksionin e titullit “Profesor Honoris” në shkencat speleologjike nga Unioni Internacional i Spileologjisë në Bruksel. Viti 2001- një tjetër sfidë e arritur në spiralen e  arritjeve të Profesor Gezim My.Uruçit: Instituti Biografik i Kembrixhit e përfshin në elitën e intelektualëve më të shquar të botës. Shtoji këtij suksesi edhe vlerësimet  e bëra me medalje bronzi dhe ari, në vitet 1993 dhe 2004, nga Federata bullgare e Speleologjisë,  çmimin “Juri Gagarin”, në fushën e astronomisë, dhënë në Salamanka të Spanjës, në 1994-ën etj., dhe do të bindesh pse Prof. Gezim My.Uruçi do të përfshihej me aq dinjitet profesional, si njëri nga speleologët brilantë, në 8 enciklopedi ndërkombëtare.

Jo rastësisht, në vitin 1995, Qendra Nacionale e Spileo-alpinëve të Shqipërisë do t’i jepte titullin “Eksploratori më i madh shqiptar i të gjitha kohërave”, sikurse më 10 maj 1989 i akordohej titulli ”Laureat i çmimit të Republikës” si projektues i të parit shatërvan në Shkodër . “Në shtëpinë e tij një muze, por edhe një bibliotekë me mbi 6000 vëllime, në 17 gjuhë të huaja, krahas shumë librave në dorëshkrim, që presin të botohen, do të gjesh edhe thesare të rrallë si vegla prej koci dreri për mbushjen e dhëmbëve, bile edhe dhëmbë të mbushur me pluhur kocke, zbulime fenomenale të vetë atij. Ai ishte gjithashtu edhe themeluesi i Shoqatës Kombëtare të Speleo-alpinëve të Shqipërisë në vitin 1991, sikurse edhe njëri nga anëtarët dhe bashkëpunëtorët, me të drejta të plota, i disa federatave dhe unioneve ndërkombëtare si atyre të:  Gjermanisë, Anglisë, Austrisë, Italisë, Spanjës, Rusisë, Kinës, Japonisë, Meksikës, Portugalisë, Afrikës së Jugut, Greqisë, Maqedonisë, Kosovës, Norvegjisë, Jugosllavisë, Francës dhe Greqisë ” çka do të bënte që miku i tij, i mirënjohur prej nesh, “Mjeshtri i Madh” Fadil Kraja ta vlerësonte Profesor Gezim My.Uruçin “Enciklopedia e gjallë e Shkodrës” (Seminari i 6-të shkencor ndërkombëtar ”Shkodra në shekuj”, fq.123). Nuk e kam kuptuar asnjëherë se çfarë i mungonte këtij personaliteti të shquar të speleologjisë shqiptare, evropiane dhe më gjerë, që institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë të mos i akordonte, pas gjithë kësaj karriere brilante, titullin “Mjeshtri i Madh”. Megjithatë, këtij njeriu që s’kurseu asgjë nga jeta e tij, vetmohuese, për të përfaqësuar si pak kush në botë vendin e tij, Shqipërinë dhe Shkodrën që e deshi aq shumë, edhe pse kjo e fundit, borxhlije për jetë ndaj nderimit të merituar për njërin nga bijtë e saj më të denjë, si Profesor Gezim My.Uruçi, nuk do të denjonte t’i vinte në dipozicion asnjërin nga  institucionet publike, pale më Teatrin “Migjeni”, në ceremoninë mortore, të përcjelljes në banesën e fundit, më 17 dhjetor 2012, të djalit të Saj. Megjithatë, le të shpresojmë që në nderim të 64-vjetorit të lindje së tij, 30 korrik 2013, këshilli bashkiak i qytetit të Shkodrës të ketë dinjitetin e duhur të reflektimit, në liri të plotë brenda vetes, siç i ka hije një parlamenti lokal, për ta nderuar hulumtuesin enciklopedik, speleologun e shquar shkodran “enciklopedinë e gjallë të këtij qyteti”, Profesor Gezim My. Uruçin, me titullin”Qytetar Nderi i Shkodrës”.