Francë, rrethohen terroristët “Duam të vdesim si martirë”

94

Një shkëmbim i dhunshëm zjarri ndodhi mes policisë dhe dy terroristëve që shkaktuan masakrën në redaksinë e revistës franceze satirike “Charlie Hebdo”, ku dyshohet se kanë mbetur disa të plagosur. Tre ditë pas vrasjes së 12 personave, policia franceze ka lokalizuar dy vëllezërit franko-alegjerianë Cherif dhe Said Kouachi, të cilët janë mbyllur në ndërtesën e një shtypshkronje në Damartin en Goel dhe mbajnë peng pronarin e kompanisë.
 
Ende nuk dihet se si do të rrjedhë ngjarja, ndërsa mësohet se mes policisë dhe dy vëllezërve franko-algjerianë kanë nisur negociatat. 
 
Sipas mediave franceze, shkëmbimi i zjarri ndodhi në veri-lindje të Parisit dhe të shtënat kanë qenë në drejtim të policisë, megjithatë të dhënat e para ishin për rreth 20 të plagosur dhe dy të vdekur, lajm që u përgënjeshtrua më pas nga prokurori i Parisit. 

Atentatorët u lokalizuan nga helikopterët e policisë në pyjet në veri-lindje të Parisit, ndërsa policia i ka bërë thirrje banoreve ne këtë zonë që të mos dalin nga shtëpitë e tyre.

Ndërtesa ndodhet pranë një zone të banuar dhe aeroportit Roissy-Charles de Gaulle ku mësohet nga Agjencia Ajrore News se janë pezulluar uljet e dy avionëve, të cilët kanë ndryshuar drejtim.
 
Edhe në shkollat dhe kolegjet që ndodhen pranë ndërtesës ku po kryhet operacioni policor janë dhënë udhëzime për mbajtjen e fëmijëve brenda ndërtesës sipas protokolleve të sigurisë. Sipas burimeve policore e gjithë zona është evakuuar dhe Ministria e Brendshme u ka bërë thirrje gazetarëve të mos publikojnë fotografi nga operacioni për shkak se në këtë mënyrë ekspozohen pozicionet strategjike të forcave speciale.

Hollande: Të parandalohen fatkeqësi të tjera
Presidenti Francez Francois Hollande foli nga Ministria e Brendshme ku kërkoi që të sigurohet vendi me masa maksimale, për të parandaluar përsëritje të këtyre akteve terroriste që kanë përfshirë vendin. Kreu i Shtetit ishte i pranishëm në Ministrinë e Brendshme për të monitoruar progresin e operacioneve të vazhdueshme të forcave speciale në Dammartin-en-Goële dhe shpjegoi në deklaratën e tij se duhet bashkëpunim akoma më i madh për të shkëmbyer informacione mbi veprimtaritë e grupeve ekstremiste, në mënyrë që të parandalohen fatkeqësi të tilla të përsëriten sërish. Ai vuri theksin kryesisht në rritjen e sigurisë në manifestimet e ditës së dielë ku mendohet se do të marrin pjesë një numër i madh i qytetarëve francezë.

Dy vëllezërit terroristë: Duam të vdesim si martirë
“Vëllezërit thanë se duan të vdesin si martirë”. Në këtë deklaratë mediat franceze citojnë deputetin e zonës Seine-et-Marne. 

Kryeministri francez Manuel Valls: Jemi në luftë kundër terrorizmit, jo kundër fesë
Kryeministri francez, Manuel Valls deklaroi sot se Franca është në luftë kundër terrorizmit dhe jo kundër një besimi fetar. Ai theksoi se vendi i tij po merrte të gjitha masat e duhura për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimit terrorist.

“Ne po luftojmë terrorizmin. Ne nuk jemi përfshirë në një luftë kundër një besimi fetar apo kundër një civilizimi”, deklaroi Valls në një takim me prefektët në Ministrinë e Brendshme franceze.

Udhëzimet ndaj shkollave pranë zonës: Fëmijët të qëndrojnë brenda godinës
Drejtuesit e dy shkollave që ndodhen në afërsi të kësaj zone janë udhëzuar që të mos i nxjerrin fëmijët nga godina deri në përfundimin e aksionit për të kapur dy vëllezërit franko-algjerianë. Sipas raportimeve nga mediat franceze, është udhëzuar që të gjithë fëmijët të qëndrojnë të gjtihë bashkë në një dhomë.

Ora 10:16 Avionët shmangin uljen në aeroportin Roissy-Charles de Gaulle. Lajmi mësohet nga Agjencia Ajrore Neës, se dy aeroplanët në aeroportin e Roissy-Charles de Gaulle nuk kanë bërë ulje të zakonshme por kanë ndryshuar drejtim.

Kukan: Nderim për viktimat e ”Charlie Hebdo” dhe gjithë gazetarët që u bënë viktima të terrorizmit
Europarlamentari Eduart Kukan ka postuar në profilin e tij Facebook, pjesë të aktivitetit të europarlamentareve ne nderim të gazetarëve që u viktimizuan nga terrorizmi. Një minute heshtje që mbajtën euroteputetët për viktimat e sulmit  në Charlie Hebdo në Paris, shprehet Kukan, qe e ka shoqeruar me foto ketë moment të rëndësishëm në kujtim të gazetarëve të vrarë nga terroristët në mbarë botën.

“Dje europarlamentaret kanë mbajtur një minute heshtje për të nderuar viktimat e sulmit në Charlie Hebdo. Duhet gjithashtu të mbahen në mend të gjithë gazetarët që kanë vdekur nën duart e terroristëve”, shkruan Kukan.


Kerkimet per kapjen e dy vellezerve
Tre ditë nga masakra në revistën satirike franceze “Charlie Hebdo”, vazhdojnë ende kërkimet intensive për dy terroristët e arratisur në zonën veri-lindore të Parisit, në fshatin Longpont ku mendohet se kërkimet e qindra forcave speciale bashkë me helikopterë janë pozicionuar në një pyll 50 milje larg kryeqytetit.


Kërkimet kanë hyrë në ditën e tretë dhe dyshohet se të arratisurit janë në këmbë, pas braktisjes së makinës së tyre në afërsi të qytetit Viller-Cotterets, ku dhe u pikasën fillimisht pas tentativës për të rrëmbyer një stacion nafte. Sipas burimeve policore dyshohet se terroristët mund të tentojnë të kalojnë kufirin me Belgjikën, duke u arratisur në shtetin fqinj. Parisi ka përjetuar natën e dytë në gjendje emergjence me forcat policore në gatishmëri të lartë në ruajtjen e ambienteve publike dhe në hyrje-daljet kryesore të kryeqytetit. 

8 gazetarë, 2 oficerë policie, një mirëmbajtës dhe një vizitor mbetën të vdekur e 11 të tjerë të plagosur, në sulmin e 7 janarit, kur dy vëllezërit e armatosur sulmuan me breshëri automatike zyrat e redaksisë së revistën satirike Charlie Hebdo. Sulmuesit dyshohet se janë militantë ekstremistë islamikë të indinjuar nga karikaturat tallëse dhe ofenduese ndaj profetit Muhamed që kjo revistë kishte publikuar që prej tre vitesh. Policia ka publikuar identitetin dhe fotografitë e të dyshuarve, vëllezërve Cherif dhe Said Kouachi, të lindur në Paris me prindër Algjerianë. Sipas policisë të dyshuarit janë eksponentë kriminal e më përfshirje të hershme në grupet ekstremiste islamike në luftimet terroriste në Irak. 

Për të dytën natë, qytetarët janë mbledhur në homazhe përkujtuese ndaj 12 viktimave të sulmit terrorist në revistën satirike Charlie Hebdo. E gjithë bota është solidarizuar në mbështetje të viktimave në mbrojtjen e fjalës së lirë të gazetarëve dhe në luftën kundër terrorizmit. 

Në rrjetet sociale, sidomos në Twitter hashtag-u më popullor është “Je suis Charlie” “Unë jam Charlie”, duke u përdorur si slogan dhe në marshimet masive në shumë kryeqytete të botës.