FMN: Jo ndihma Greqisë, nëse s’kryhen pagesat deri më 30 qershor

433
Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, gjatë një interviste për BBC deklaroi se institucioni që ajo drejton nuk do të japë asistencë financiare shtesë për Greqinë, nëse qeveria greke nuk paguan 1.5 miliard euro deri më 30 qershor. “Nuk mund të flas për programin e FMN-së, por marrëveshja financiare europiane skadon më 30 qershor,” deklaroi Lagarde. 
Duke komentuar referendumin grek që është planifikuar të mbahet më 5 korrik për marrëveshjen mbi kreditorët ajo tha: “Të paktën, referendumi do të lidhet me propozime dhe marrëveshje që nuk janë më të vlefshme”. 
Christine Lagarde theksoi gjithashtu se FMN nuk do të mbështesë bankat greke duke i ofruar një likuiditet të menjëhershëm, thelbësor për detyrimet ekonomike të vendit drejt Bankës Qendrore të Europës dhe Bankës së Greqisë. 
Shefja e FMN-së ndër të tjera tha se bisedimet ndërmjet Athinës dhe huadhënësve mund të ringjallen vetëm nëse votuesit grekë sfidojnë qeverinë e tyre duke mbështetur qëndrimin në zonën Euro. “Nëse ata do të pranonin të qëndronin në zonën euro, nëse do thoshin që duam të jemi pjesë e saj, duam të rimëkëmbim ekonominë, kjo do të ishte sikur ata të thonin ‘le të përpiqemi’,” shpjegoi Lagarde.
Sigal