Bruksel, dje u miratuan kuotat, sot BE diskuton krizën e emigrantëve

47
Udhëheqësit e BE takohen sot në Bruksel për të diskutuar krizën e emigrantëve.
Ata janë të vendosur të miratojnë planin e zhvendosjes së 120 mijë emigrantëve në të gjithë kontinentin, megjithë kundërshtimin e ashpër nga disa anëtarë të unionit.
Rumania, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria votuan kundër skemës së detyrueshme të kuotave dje në mbledhjen e Ministrave të Brendshëm të unionit.
Samiti emergjent do të fokusohet në forcimin e kufijve të BE dhe rritjen e ndihmave për fqinjët e Sirisë, nga ku vijnë edhe shumica e emigrantëve.
Udhëheqësit e unionit deri tani kanë bërë përpjekje të mëdha për të gjetur një gjuhë të përbashkët për zgjidhjen e krizës.
Kryeministri britanik, David Cameron, dhe presidenti francez François Hollande zhvilluan bisedime në prag të takimit, duke thënë se zgjidhja e konfliktit sirian do të jetë edhe çelësi për zgjidhjen e krizës emigrantëve.
Ata gjithashtu ranë dakord se duhet bërë më shumë për të kthyer emigrantët që nuk përfitojnë azil, ose ata që nuk vijnë nga vendet e luftës.
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të marrë pjesë në zgjidhjen e krizës, duke marrë emigrantët direkt nga kampet e Sirisë, por refuzon strehimin e atyre që tashmë kanë hyrë në Europë nëpërmjet Italisë dhe Greqisë.
Pas bisedimeve me kancelaren gjermane Angela Merkel, presidenti amerikan Barak Obama tha se të gjitha shtetet europiane duhet të pranojnë “ndarje të drejtë” të klandestinëve.
OKB-ja ka paralajmëruar se vetëm zhvendosja nuk do të jetë e mjaftueshme për të stabilizuar situatën.
Rreth 480 mijë emigrantë kanë mbërritur në Europë nëpëmjet detit gjatë këtij viti dhe aktualisht në brigjet europiane mbërrijnë mesatarisht 6.000 persona në ditë.