Xhevahir Gradica: Përçmim dhe presion ndaj armatës së mësuesve, testim pa përjashtim

595
Qeveria ka provokuar sërish mësuesit, duke fyer dhe denigruar rëndë profesionin, përkushtimin dhe misionin e këtyre të fundit. Vendimi për t’i “marrë” në provim të gjithë të diplomuarit në sektorin e arsimit ka prapavijë të qartë politike. Ndërsa tatëpjeta në arsim nuk ka pasur të ndalur as në kohën e qeverisjes së PD, poshtërimi mësuesve këtë herë është i pakrahasueshëm dhe i paimagjinueshëm. Socialistët në pushtet nuk e kanë pasur fare të vështirë për ta nënshtruar dhe dhunuar pa mëshirë këtë sektor me të cilin po eksperimentojnë në mënyrë të çuditshme, duke provokuar hapur integritetin moral të mësuesve. Arsimtarët janë tërësisht të paorganizuar në lëvizje sindikaliste, ndërkohë që heshtja dhe nënshtrimi nga frika e dëbimeve nga puna i ka dhënë krahë të lirë eksperimentuesve të fabrikojnë çfarë t’u pjellë koka. Në javën e fundit të këtij muaji mësuesit që kanë deri në 20 vite punë do të merren në provim. Nuk ka fare rëndësi diploma e fituar, universiteti që kanë kryer, vitet e gjata të punës, kualifikimet e njëpasnjëshme… Ministria e Arsimit e ka cilësuar këtë vendim sukses të saj edhe pse nuk ka asnjë argument ndërkohë që vendimi i fundit është tjetër përpëlitje për të mbuluar abuzimet e rënda, shkeljet dhe pazaret e pista në këtë sektor. “Provimi” as më pak e as më shumë është vetëm përbuzje e diplomës së mësuesve, ndërkohë që organizatorët do i përdorin rezultatet si të duan, shpesh dhe më së shumti për të larë hesapet me kë të duan dhe kur të duan. Ndërsa të gjithë janë të bindur se asgjë pozitive nuk do të sjellë testimi, kurse pikëpyetje më vete përbën transparenca dhe grupi që menaxhon. Procesi ka dështuar saktësisht ende pa ardhur data e “testimit”, ngaqë çdo mësimdhënës si dhe vet ata që e “pollën” këtë sajesë e dinë shumë mirë rezultatin fiktiv. Në shkolla janë afishuar listat dhe së bashku me to edhe data e “provimit”, ndërkohë që pakënaqësia ndaj veprimeve abuzive të njëpasnjëshme të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka kaluar çdo cak. Nuk janë vetëm skeptikët të zhgënjyer. Të njëjtin qëndrim mbajnë edhe mësuesit që shpresuan shumë në reformimin e arsimit pas ardhjes në pushtet të qeverisë socialiste. Kryefjalë e bisedave në shkolla janë prapësitë e pandalshme në arsim, përbaltja e punës së mësimdhënësve si dhe humbja e besimit dhe e shpresës. Mësuesit që nuk kanë asnjë alternativë tjetër janë detyruar të rendin për t’u njohur me formatin e “testimit”, me pyetësorin dhe materialet. Mospjesëmarrja i penalizon, i nxjerrë nga skema, kështu që jashtë logjikës dhe jashtë vullnetit ata do t’i nënshtrohen sajesës së radhës së keqbërësve të arsimit. Vendimi u bë publik javën e parë të këtij viti kalendarik, pa konsultën më të vogël me mësimdhënësit. Mungesa e lëvizjes sindikaliste në arsim i ka dhënë dorë të lirë MAS-it, skandalet e të cilit nuk kanë të mbaruar. Kjo e fundit ka tentuar ta paraqesë këtë vendim si hap me rëndësi dhe si veprim në mbështetje të reformës, madje edhe në kohën e duhur, por që realisht do të shërbejë si kërbaç. Deri më tani asnjë lloj reformë nuk është vënë re në këtë sektor. Përkundrazi, abuzime, korrupsion, fiktivitet, humbje të besimit, prishje të imazhit… Ky vit kalendarik si për të ironizuar sakrificën e pjesës më të madhe të mësuesve nisi me përçmim dhe presion ndaj armatës së edukatoreve dhe mësuesve. Qeveria jo vetëm që nuk u dha shpërblimin vjetor, por i la pa paga edhe dy javë pas vitit të ri, ndërsa sindikata fantazmë e sajuar me forma të vjedhura dhe e marrë në mbrojtje herë nga qeveria PD-së dhe herë e PS-së as që mori mundimin të dalë e të thotë një fjalë. Me ardhjen e socialistëve në pushtet në qershor të vitit 2013 u mendua se do i jepej fund nëpërkëmbjen së misionit të mësuesit, por ndodhi krejt ndryshe. Që në të parin vendim të MAS, u vu re qartë dhe hapur se arsimi do të vazhdonte mjerimin e mëtejshëm. Kështu farë dhe veprim korruptiv që emërimi specialistëve në MAS, siç qe fiktiv dhe aspak i ndershëm e aspak i denjë “konkursi” për drejtorët e drejtorive në qarqe. E njëjta lojë me gjoja konkurse u luajt për vendet e inspektorëve, drejtorëve në shkolla dhe në QKF, nëndrejtorëve; qarkullimet dhe lëvizjet në arsim etj. Skandali që u servir si meritokraci plasi me emërimet e mësuesve “me konkurs”. Të gjitha vendet e lira në arsim, në çdo shkollë, në Tiranë e rrethe, në qytete të mëdha e të vogla dhe deri në shkollat më të largëta, janë zënë me urdhra e shkresa politike. Askush që nga qershori 2013, e deri më tani nuk ka mundur të fusë këmbët në arsim me konkurs të ndershëm, me meritë, me dinjitet. Përkundrazi. U ka buzëqeshur fati atyre që kanë pasur mik deputetin socialist, kryetarin e partisë, mikun e tyre. Telendisjet e të rinjve të diplomuar këto vitet e fundit dhe që presin të futen në radhët e arsimit janë shembulli më i keq dhe figura e prezantimi më i pamerituar që afron Ministria e Arsimit dhe Sporteve. Kjo e fundit e nisi me mashtrim lojën e konkurrimeve dhe po e vazhdon të tillë. Krerët e arsimit as që duan t’ia dinë për kushtet e laboratorëve dhe kabineteve; as që flasin e thonë një fjalë për palestrat dhe bazën materiale të rrënuar dhe të mbetur, si në kohën e mesjetës në lëndën e Edukimit fizik. Sot nuk dëgjon një zë të dëshmojë, se si janë katandisur kabinetet e informatikës në arsimin e detyruar dhe në atë të mesëm. Sot në shkolla më shumë rëndësi kanë letrat pambarim që mësuesve u jepen ditë pas dite për t’i plotësuar, sesa mësimi. Qeveria dhe MAS është e pazonja të nxjerrë nga skema atë kontigjent mësuesish, që kanë diploma të blera. Ministria bëri sikur mbylli ca shkolla e universitete private, por ato u hapën me të njëjtin emër apo duke ndërruar emër. Qeveria bëri sikur reformoi tekstet e programet e kështu me radhë… Qeveria po bën sikur është e interesuar të zhvillojë arsimin, por po e shtyn drejt greminës me sa forcë ka.
Sigal