Trump sulmon Cruz: Ke lindur në Kanada, nuk mund të jesh President i SHBA

491
Kandidati republikan për president Donald Trump ka sulmuar rivalin e tij nga e njëjta familje politike Ted Cruz mbi origjinën e tij kanadeze.
Sipas Trump, Cruz nuk mund të jetë i përshtatshëm si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa kohë ka lindur në Kanada, pasi Kushtetuta amerikane kërkon që Presidenti të jetë një qytetar i lindur në SHBA.
“Kjo është një çështje e rëndësishme për mua, më e rëndësishme se miliona dollarët e tij. Ka shumë avokatë që thonë se ai nuk mund të kandidojë pasi ka lindur në Kanada. Ai ishte qytetar kanadez deri 15 muaj më parë. Nuk arrij të kuptoj se si një qytetar kanadez mund të bwhet senator apo dhe president”, tha Trump.
Debati vjen dy javë pas provës së parë të fushatës, me të cilën kandiatët republikanë dhe demokratë do të përballen në Iowa.
Trump dhe Cruz nuk kanë pasur rivalitet të ashpër me njëri- tjetrin, teksa armiqësia lindi pas deklaratave të fundit të miliarderit Trump i cili ngriti pyetjen dyshuese nëse një person i cili nuk ka lindur në SHBA, mund të bëhet Presidenti i tyre.
Megjithatë, gjatë debatit të së enjtes, Cruz iu përgjigj rivalit me argumentin se Kushtetuta amerikane në përkufizimin “Natural Born” përfshin edhe ata që njërin prej prindërve e kanë amerikan.
Cruz ka lindur në Kanada nga nëna amerikane dhe babai kuban. Por Trump këmbënguli se një njohës shumë i mirë i ligjit, profesor në Harvard, kishte thëne se demokratët mund të ngrenë një padi ndaj Cruz pikërisht për këtë çështje dhe të eliminojnë automatikisht kandidaturën e tij.
Garat kryesore, ku secila palë zgjedh kandidatin e tyre për President nis në shkurt teksa zgjedhjet presidenciale mbahen në nëntor.
Sigal