Universiteti i Durrësit, si fabrikë me 3 turne

465
Sigal

Tarifat e rritura të shkollimit, për të mbushur arkat e universiteteve, apo për investime në rritjen e cilësisë së mësimit për studentët?

“Universitet shqiptare janë bërë si fabrikat me 3 turne”. Kjo ka qenë kryefjala e z. Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të PS-së, për studentët në fillimin e vitit akademik 2008-2009. Çuditërisht, me gjithë reformat e ndërmarra nga qeveria “Rama” për arsimin në përgjithësi dhe arsimin e lartë në veçanti (kujtojmë këtu mbylljen e 18 universiteteve private dhe të 7 filialeve të universiteteve publike), kjo fjali vazhdon ende të jetë kryefjala për gjendjen aktuale në universitet tona. Kështu, specifikisht Universiteti “Aleksandër Moisiu” me mbi 15 mijë studentë, e zhvillon mësimin në 3 turne: turni i parë zhvillon mësimin nga ora 8 – 13; turni i dytë nga ora 13 – 17 dhe turni i tretë nga ora 17 – 21 e 30 minuta. Auditoret e Universitetit të Durrësit qëndrojnë të hapura deri në orët e vona mbrëmjes. Porse, për studentët është shumë e vështirë që të bësh mësim deri në orën 21 e 30 minuta të darkës, e sidomos tani në dimër që errësohet shpejt dhe bën ftohtë. Studentët dhe prindërit e tyre, të gjendur para këtij fakti, u ankuan. Por, çfarë fituan? Rotacion… Rotacion të turneve. Kush bën mësim në turnin e tretë sot, të nesërmen fiton turnin e parë… Kjo ishte zgjidhja? A mundet dot një student që shkon në orën 22 të darkës në shtëpi, nga orë mësimi impenjative (siç edhe duhet të zhvillohet mësimi në një universitet), të përgatitet për ditën e nesërme? (Fyell hyjnë dhe fyell dalin). A bëhet më fjalë këtu për cilësi të produktit? Kjo është cilësia që premtoi qeveria me krasitjen e pjesës së kalbur të arsimit të lartë? A është ky “shërbimi tejet i çmuar për qytetarët e këtij vendi” që premtoi znj. Ministre e Arsimit Lindita Nikolla? Mesa duket, kjo puna e turneve në zhvillimin e mësimit në universitete i ka shpëtuar “reformës në arsimin e lartë”, se përndryshe çfarë reforme do të ishte kjo. Nuk kemi hequr pjesën e kalbur, por, po e kultivojmë atë. Më shumë se 15 mijë studentë të Universitetit të Durrësit i janë kthyer kohës së “punës” me turne, ndërsa Universiteti vetë në fabrikues të diplomave të natës. Rama e ka quajtur “paaftësi të qeverisë” sistemin e liberalizimit të universiteteve, ndërsa ka premtuar se kur socialistët të jenë në qeveri “asnjë student nuk do të ketë një diplomë që është vetëm karton”. Por, çfarë diplome do të marrin studentët e Universitetit të Durrësit, kur të mbarojnë studimet e tyre me 3 turne?!

Tarifat e ngritura për mësim me turne

Nga ana tjetër, përpos aksioneve drastike në arsim (çdo reformë e ndërmarrë nga qeveria kthehet në aksion) në mbylljen e universiteteve apo në “fshesën” ndaj mësuesve, një tjetër pjesë e reformës në arsimin e lartë, fort e dhimbshme kjo për familjet shqiptare, është dhe rritja e tarifës së shkollimit, si një mënyrë që garanton gjenerimin e të ardhurave për arkën e universiteteve shtetërore. Edhe këtë e kapërcyen familjet shqiptare, në emër të arsimimit të mëtejshëm dhe të një jete më të mirë për fëmijët e tyre. Pasi, më shumë të ardhura për universitetin, do të thotë më shumë investim në infrastrukturë, më shumë cilësi. Në fund të fundit, një investim pak më i kripur për të ardhmen e fëmijës së tyre. Në emër të cilësisë, prindërit bëjnë lëshime për fëmijët e tyre. Por, të mos harrojmë, prindërit investojnë për fëmijët dhe jo për të mbushur arkat e universiteteve. Prindërit investojnë për arsimimin e fëmijëve të tyre dhe jo për injorancën. Investojnë për një diplomë cilësore që nesër do u garantojë fëmijëve vendin e punës dhe jo për një copë karton që fabrikohet nga universitete me turne.

Ledjana Saliu