Prof. Selman Sheme: Tekstet duhet të kenë unitet, kohezion dhe saktësi shkencore

999
Sigal

INTERVISTA/  Flet Prof. Selman Sheme:

Kohët e fundit po flitet shumë për tekstet shkollore dhe reformën në arsim. Mendimet janë nga më të ndryshmet. Por ndër problemet kryesore është dhe ai i teksteve mësimore. A janë tekstet të nivelit bashkëkohor? A duhet të jenë ato të unifikuara. Po tekstet alternative a janë të pranueshëm? Çfarë duhet të kenë parasysh autorët në ndërtimin e një teksti mësimor? Autori që harton tekstin e shkollës së mesme duhet të jetë i vëmendshëm në raportin e informacionit për temat që janë zhvilluar në sistemin 9-vjeçar dhe që në formë spirale rimerren dhe zhvillohen më tej edhe në planin horizontal dhe vertikal, me temat që mund të jenë krejt të reja për nxënësit.

 Cilat janë mendimet tuaja për vlerësimin dhe rikonceptimin e teksteve mësimore?

       Si autor i hartimit të disa teksteve parauniversitar që nga voti 1991, mendoj se kriteret themelore në hartimin e një teksti mësimor janë:

  • Organizimi konceptual, vëllimi dhe saktësia e njohurive shkencore që duhet të përmbajë teksti i një lënde.
  • Organizimi strukturor-didaktik i tekstit në rrafshin metodik, psikologjik dhe pedagogjik.

       Lidhur me parimin e parë autori duhet të bëjë kujdes në zgjedhjen e materialit shkencor, vëllimin optimal të informacionit, numrin e koncepteve, analizat, përgjithësimet dhe deduksionet shkencore.  Pra, kërkohet një raport i drejtë midis informimit në rrafshin horizontal dhe interpretimit shkencor, zbërthimit të koncepteve në mënyre të thjeshtë, duke u ruajtur niveli shkencor sipas natyrës së lëndës dhe moshës së nxënësve.

       Në zgjedhjen e materialit duhet të merren në konsiderate veçoritë e lëndës  që kanë shtrirje koncentrike dhe ato që kanë shtrirje lineare.

       Një pjesë e madhe e lëndëve, që jepen në sistemin 9-vjeçar rimerren në shkollën e mesme. Autori që harton tekstin e shkollës së mesme duhet të jetë i vëmendshëm në raportin e informacionit për temat që janë zhvilluar në sistemin 9-vjeçar dhe që në formë spirale rimerren dhe zhvillohen më tej edhe në planin horizontal dhe vertikal, me temat që mund të jenë krejt të reja për nxënësit. Tekstet duhet të kenë unitet, kohezion dhe saktësi shkencore. Në këtë drejtim programet mësimore janë dhe duhet të jenë busulla që orienton organizimin konceptual e shkencor të tekstit.

      Po çfarë duhet të kenë parasysh autorët e teksteve në ideimin e tyre?

 Lidhur me parimin didaktik  autoret e teksteve duhet të kenë në konsideratë këto elemente:

Teksti mësimor duhet të përmbajë kërkesat e programit pasi ai është dokumenti bazë shkencor i unifikuar. Orët mësimore dhe objektivat sipas kapitujve, temave, çështjeve dhe nën çështjeve duhet të respektojnë rigorozisht programin.

       Të mbahet në konsideratë mosha dhe zhvillimi mendor-psikologjik i nxënësve, fjalori, gjuha e përdorur, ndërtimi sintaksor i ligjëratës, kërkesat, punët praktike, duke mos tejkaluar asnjëherë nivelin e perceptimit nga nxënësit. Në të kundërt teksti paraqet vështirësi dhe bëhet i mërzitshëm për nxënësit. Përkthimet e teksteve nga gjuhët e huaja kërkojnë  jo vetëm mjeshtërinë e përshtatjes dhe frazën e thjeshtë e të kuptueshme, por ajo që i bën origjinal dhe përbën domosdoshmëri është kombëtarizimi i tyre, kryesisht i shkencave humane me shembuj të objekteve, dukurive, fenomeneve dhe strukturave adekuate nga hapësira shqiptare në Ballkanin Perëndimor. Temat, nën temat, çështjet, fjalori, ilustrimet, hartat, tablotë, tablat statistikore etj, janë kërkesa të domosdoshme që lidhen me përforcimin e lëndës. Zgjidhjet që kërkojnë arsyetim, krahasim, zbërthimet që i japin tekstit frymën kërkimore dhe e shkëpusin nga riprodhimi mekanik, janë  disa kërkesa që duhet të merren në konsideratë në ndërtimin e një teksti.

 Por flitet shumë për altertekstet. Disa  konsiderata dhe mendime për ‘to?

 Praktika e aplikuar në këto dhjetë vitet e fundit në përgatitjen teksteve alternativ  kanë në themel konkurrencën. Pra teksti i nënshtrohet një kompeticioni dhe është e kuptueshme që ku ka garë ka zhvillim. Sot tekstet në krahasim me të kaluarën ndryshojnë rrënjësisht, janë shume më cilësor në përmbajtje, metodikisht dhe teknikisht. Ato i afrohen mjaft teksteve perëndimore.

 Cilët janë, sipas meje, disa nga problemet e evidentuara në procesin e hartimit të teksteve dhe përzgjedhjes së tyre.

 Shtëpitë botuese duhet të ofrojnë bashkëpunëtore për hartimin e teksteve, autorë që janë specialistë më të mirë të fushave përkatëse shkencore, pasi në ndonjë rast tekstet e historisë dhe gjeografisë janë përgatitur nga specialistë të fushave te tjera. Ministria e Arsimit duhet të verifikojë në mënyrë rigoroze këtë kriter të rëndësishëm në hartimin e teksteve. Mendoj se tekstet duhet të jenë produkt i bashkëpunimit të pedagogeve të shkollave të larta me mësues të shkollave të mesme dhe nëntë (9) vjeçare, në mënyrë që të ruhet saktësia dhe niveli i lartë shkencor dhe njëherësh paraqitja metodike dhe didaktike adekuate për ta bërë tekstin sa më të kuptueshëm shkencërisht dhe lehtësisht të përvetësueshëm. Përzgjedhja e teksteve bëhet nga një komision ad-hoc i krijuar nga Ministria e Arsimit. Niveli shkencor, metodik i komisionit  duhet të jetë në lartësinë  e hartimit të tekstit. Ka opinione që eliminohen tekste që mund të jenë me nivel shumë të mirë shkencor dhe metodik  dhe që ka qëndrime subjektiviste dhe preferenciale në përzgjedhjen e tyre. Këto  vlerësime dhe opinione  diverse  duhet të tërheqin vëmendjen e organizmave përkatëse në praktikën e hartimit të teksteve.

Një problem i rëndësishëm është edhe përzgjedhja e tekstit nga mësuesit. Ka opinione që në këtë drejtim ka ndërhyrje nga instancat shtetërore si: Ministria, Drejtoritë Arsimore dhe vetë Shtëpitë Botuese në përzgjedhjen teksteve, ndaj mësuesi nuk vepron i lirë në selektimin e teksteve me nivel më të mirë dhe më të përshtatshëm për nxënësit. Nëse mësuesit do të jenë të lirë në zgjedhjen e teksteve, brenda një periudhe 5-vjeçare, selektohen tekstet më të mirë dhe mund të kalohet në unifikimin e tyre. Teksti është mjeti bazë që përdoret jo vetëm nga nxënësi, por edhe nga mësuesi. Sa e ndihmon teksti mësuesin në ndërtimin e orës së mësimit ? Ja lehtëson apo vështirëson punën? Edhe në këtë drejtim ka opinione të ndryshëm. Ka mendime që, tekstet alternative kanë prishur ekuilibrat, duke krijuar çrregullime dhe diferencime në formimin shkencor të nxënësve që arsimohen në shkolla të ndryshme. Tekstet i nënshtrohen një programi, por mënyra e hartimit të tekstit nga autorët është e ndryshme dhe shpreh preferencat dhe nivelin e kualifikimit profesional të tyre. Për rrjedhojë, nxënësit që për arsye të ndryshme lëvizin nga njëra shkollë në tjetrën apo nga një vendbanim në tjetrin, hasin vështirësi të mëdha në vijueshmërinë e përvetësimit të lëndës. Problemi, a do të mbajmë tekste të unifikuara apo altertekste, është një çështje që mund të diskutohet në kuadër të reformës arsimore. Si autor tekstesh mendoj se programet dhe tekstet duhet të jenë të unifikuara.

 Arsimi parauniversitar  a është  bashkëkohor?

 Arsimi parauniversitar, i përgjithshëm, 6+3+3, që aplikohet sot, apo 5+4+3, që parashikohet të reformohet, është sistemi 12-vjeçar që përgatit qytetarin me një nivel kulturor bazë, që i mundëson të rinjve të vijojnë në shkollat e larta në çdo profil të shkencave natyrore, shoqërore dhe teknike. Kohët e fundit po flitet për domosdoshmërinë  e reformimit të arsimit universitar. Nuk mund të realizohet me sukses kjo reformë pa reformuar në tërësi sistemin arsimor, në aspektin konceptual-shkencor, tipologjinë e kutikulave, teksteve mësimore etj..

Arsimi parauniversitar i përgjithshëm, për çdo të ri apo gjenerate që vazhdon apo jo universitetin,  duhet t’i japë mundësi qytetarit që të integrohet në çdo fushë të jetës ekonomike, sociale dhe kulturor.

Albert ZHOLI