Paratë e shqiptarëve jashtë sistemit bankar. Rreziku i tregut informal

607
Sigal

Paraja jashtë bankave vijon rritjen, duke shtuar rrezikun e investimeve jashtë sistemit zyrtar financiar, ndërsa masa monetare gjithsej në qarkullim ra në shtator, një shenjë e ngadalësimit të ekonomisë… Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar ka vijuar rritjen edhe në shtator të këtij viti, për të pestin muaj radhazi, ndonëse me ritme më të ulëta në raport me një muaj më parë, sipas statistikave mujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Në të kundërt, është konstatuar një rënie e masës monetare gjithsej (parasë jashtë bankave + depozitave në sistemin financiar), për herë të parë gjatë këtij viti.

Në fund të muajit shtator, paraja jashtë bankave arriti në në 206 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 350 milionë lekësh në raport me një muaj më parë. Në krahasim me marsin 2014, kur filloi kjo tendencë rritëse, kanë dalë jashtë bankave rreth 12 miliardë lekë, apo rreth 87 milionë euro. Sipas ekspertëve, kjo dalje e parasë jashtë bankave rrit rrezikun që individët apo bizneset, në mungesë të alternativave të investimit të parave të tyre (interesat e depozitave në banka kanë rënë ndjeshëm), të bëhen pjesë e tregut informal, duke dhënë hua me përqindje. Ndonëse kjo pjesë është vështirë e matshme, Banka e Shqipërisë në raportet e saj të vrojtimit të tregtisë ka treguar se kjo dukuri është rritur, e nxitur dhe nga frenimi i bankave për të dhënë kredi. Në tregun informal jepet hua me një kthim mesatar prej 2% në muaj, aq sa fitohet nga një bankë për gjithë vitin.

Masa monetare gjithsej arriti në 1.16 trilionë lekë në fund të muajit shtator, me një rënie prej 2.5 miliardë lekësh në raport me një muaj më parë. Sipas ekspertëve, kjo rënie është shqetësuese, pasi tregon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend./ Monitor