Testi i mësuesve, Nikolla: 177 mijë nxënës shpëtuan nga keqinformimi

70

TIRANE – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka inspektuar procesin e korrigjimit të testeve të mësuesve, i cili filloi ditën e sotme, pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

Gjatë një prononcimi për media, Ministrja Nikolla deklaroi se ky testim krijon jo vetëm një situatë të re për cilësinë e edukimit të 177 mijë fëmijëve, por është edhe një përgjigje kundër korrupsionit, që i jep fund emërimeve pa kriter.

Sipas Nikollës 177 mijë nxënës kanë qenë viktima të shkeljes së ligjit, pasi u është dhënë mësim nga mësues jashtë profilit apo pa arsimin përkatës.

“Vlerësuesit e testeve, që janë mësuesit dhe ekspertët më të mirë që ka vendi në arsimin parauniversitar kanë filluar sot nga puna për vlerësimin e testeve që janë të sekretuar dhe që kanë vetëm një bar-kod i cili nuk tregon asnjë të dhënë të kandidatit. Në 22 dhjetor do të bëjmë transparente gjithë listën e fituesve për çdo Drejtori Arsimore Rajonale dhe Zyrë Arsimore në vend duke ndryshuar kështu situatën për 177 mijë nxënës që ishin prekur nga shkelja e vazhdueshme e ligjit ndër vite, me mësues pa arsim përkatës dhe jashtë profilit”, tha Nikolla.

Ministrja shtoi se sot, ligji i është kthyer shkollës dhe arsimit shqiptar dhe ky është një lajm i mirë për prindërit, për fëmijët dhe për të si një ish-mësuese, që përmes një procesi transparent dhe të miradministruar, iu dha fund korrupsionit në arsimi.

“Listat që do të bëhen transparente për çdo DAR dhe ZA i shtojnë ligjit transparencën, meritokracinë dhe njohjen e plotë të çdo vendimmarrje që do t’i kthejë mësuesit e komanduar në mësues definitiv, ashtu siç përcakton ligji, përmes komisioneve të shkollave. Ne jemi të vendosur në respekt të ligjit, ndaj mësuesit fitues do të kthehen në mësues definitiv pas vendimit të komisioneve në shkolla”, tha Lindita Nikolla.

Ministrja e Arsimit shtoi se nga shkelja e ligjit ndër vite, inspektimet e MAS gjetën 1984 mësues pa arsimin përkatës dhe 2065 mësues jashtë profilit, ndërsa sot testimi kthen meritën në procesin e emërimit të mësuesve dhe gjithashtu është edhe një mbështetje profesionale për të gjithë ata që janë në sistem.

150 mësues të profileve të ndryshme, do të korrigjojnë testet e sekretuara të 5303 mësuesve që kishin aplikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë” e që zhvilluan provimin me shkrim në datën 6 dhjetor, në 13 Drejtoritë Arsimore Rajonale.