Agjencia Kombëtare e Provimeve publikon orarin e testimit, dokumentet dhe procedurat
Është publikuar nga Agjencia Kombëtare e Provimeve lista e plotë të kandidatëve, të diplomuar për Stomatologji që sot do i nënshtrohen Provimit të Shtetit. Burime nga AKP-ja konfirmojnë se provimet për kandidatët në këtë fushë do të kryhen sot më datën 8 Janar në orën 14:00 në godinën e AKP-së. “Kandidatët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe një fotokopje të saj, mandat-pagesën e tarifës së Provimit të Shtetit dhe faturën e publikuar nga AKP-ja, të vulosur nga institucioni ku është marrë mandat-pagesa. Gjithashtu, kandidatët duhet të verifikojnë emrin, atësinë, mbiemrin, si dhe datën dhe orën për pjesëmarrjen në provim”,- thonë burime pranë AKP-së. Për paraqitjen në qendrat e provimit, kandidatët duhet të kenë parasysh rregullat e mëposhtme:
– Të paraqiten së paku 30 minuta përpara fillimit të provimit;
– Të jenë të pajisur me mjetet e nevojshme për zhvillimin e provimit;
– Të mos përdorin celularë dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi këto do të vlerësohen si kriter skualifikimi;
– Ndalohet duhani dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit;
– Ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit.
Skema e vlerësimit
Specialistët e AKP-së kanë publikuar skemën e vlerësimit për të gjithë kandidatët që do të marrin pjesë në Provimin e Shtetit. “Kandidati do të vlerësohet me notën 10, nëse merr 95-100 pikë, vlerësohet me notën 9 nëse merr 85-94 pikë, vlerësohet me notën 8 nëse merr 75-84 pikë, me notën 7 nëse merr 65-74 pikë, me notën 6 nëse merr 55-64 pikë dhe me 5, nëse merr 50-54 pikë dhe me notë jo kaluese nëse kandidati merr më pak se 50 pikë”,- shprehen specialistët e AKP-së.
Dokumentet e kandidatëve
Kandidatët duhet të kenë me vete:
– kartën e identitetit dhe një fotokopje të saj,
– mandat-pagesën e tarifës së Provimit të Shtetit dhe faturën e publikuar nga AKP-ja të vulosur nga institucioni ku është marrë mandat-pagesa.