Sot fillon regjistrimi i maturantëve që kanë preferuar degët me konkurs

645
Sigal

Regjistrimi/ Sekretaritë e Universitetit të Arteve, Universitetit të Sporteve, Fakultetit të Arkitekturës dhe degëve FASTIP në Universitetin e Durrësit presin kandidatët nga 16-27 gusht

Të gjithë kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet në Universitetin e Arteve, Universitetin e Sporteve, Fakultetin e Arkitekturës në Universitetin Politeknik, si dhe programet e studimit FASTIP në Universitetin e Durrësit duhet që t’u nënshtrohen konkurseve të pranimit, që do të zhvillohen nga datat 2 deri në 6 shtator. Por paraprakisht ata duhet që të bëjnë regjistrimin në sekretaritë mësimore të fakulteteve përkatëse. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, regjistrimet fillojnë nesër më datë 16 gusht dhe afati i fundit është ora 12:00 e datës 27 gusht 2013. Kandidatët për t’u bërë pjesë e konkurseve veç se duhet t’i kenë përzgjedhur këto programe studimi në Formularin A2 që kanë plotësuar, i nënshtrohen edhe një tarife regjistrimi, e cila është e ndryshme në varësi të universiteteve përkatëse.

Regjistrimi

Kandidatët që kanë aplikuar për një nga 30 degët e shkollave të larta ku përzgjedhja bëhet me konkurs, duhet që të bëjnë edhe regjistrimin pranë fakulteteve përkatëse. Për të gjitha këto degë, maturantët mund të regjistrohen duke filluar nga dita e premte që nis procesi i regjistrimit dhe kanë afat deri më 27. “Kandidatët që kanë kërkuar në Formularin A2, programet e studimit të cilat pranimet i kanë edhe me konkurs hyrës, si dhe kandidatët shqiptarë që do të marrin pjesë në konkurset e pranimit në këto programe studimi nga Republika e Kosovës, nga Republika e Maqedonisë, Republika e Malit të Zi dhe nga Lugina e Preshevës duhet të regjistrohen për zhvillimin e konkursit pranë sekretarive mësimore të fakulteteve përkatëse. Periudha e regjistrimit të jetë datat 16 gusht deri në datën 27 gusht 2013”, – thuhet në udhëzimin e MASH. Sipas këtij udhëzimi, Agjencia Kombëtare e Provimeve AKP, deri në datën 14 gusht 2013 duhet të përgatisë listën e konkurrentëve për konkurset e pranimit në të gjitha programet e studimit që janë me konkurs, sipas preferencave të kërkuara prej tyre në Formularin A2. Kjo listë në datë 15 gusht duhet t’u dorëzohet nga AKP institucioneve publike të arsimit të lartë, sipas programeve të studimit për të gjithë kandidatët që kanë plotësuar Formularin A2. Ndërsa nga Ministria e Arsimit duhet t’u dorëzohet po në 15 gusht lista e kandidatëve që vinë nga trojet dhe do të marrin pjesë në konkurset e pranimit.

Mjetet e regjistrimit

Regjistrimi i kandidatit bëhet nëpërmjet një mjeti identifikimi personal me fotografi:

a) Për kandidatët nga Shqipëria regjistrimi bëhet me paraqitjen e kandidatit, i cili duhet të tregojë letërnjoftimin dhe vërtetimin e pagesës të tarifës së regjistrimit në favor të Universitetit ku konkurron.

b)Për kandidatët nga trojet, regjistrimi bëhet me paraqitjen e kandidatit i cili duhet të tregojë pasaportën personale dhe vërtetimin e pagesës së tarifës së regjistrimit në favor të Universitetit ku konkurron.

Tarifa

Të gjithë kandidatët që dëshirojnë të ndjekin studimet në një prej këtyre universitete ku veç provimeve të maturës duhet t’i nënshtrohen edhe konkursit të pranimit, duhet që më parë të bëjnë pagesën e tarifës së regjistrimit për konkursin. Universiteti Politeknik tarifën e regjistrimit për konkursin e Arkitekturës e ka 8 mijë lekë, Universiteti i Arteve, Akademia e Arteve në Shkodër, Universiteti i Sporteve të Tiranës, si dhe dega Edukim Fizik dhe Sport në Universitetin e Shkodrës e ka tarifën e regjistrimit 5 mijë lekë. Ndërsa tarifa regjistrimit në degën Edukim Fizik dhe Sport në Universitetin e Elbasanit është 4 mijë lekë.

Rregullat për zhvillimin e konkurseve

Në udhëzim përcaktohen rregullat për zhvillimin e konkurseve për disa degë të Arteve, Sporteve dhe Universitetit Politeknik, si dhe datat e tyre. “Pranimet do të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe pikëve të fituara nga konkursi i pranimit”, thuhet në udhëzim. Sipas tij, në Universitetin Politeknik të Tiranës, në programet e studimit “Arkitekturë” dhe “Arkitekturë-Urbanist”, rezultatet e shkollës se mesme (nota mesatare dhe provimet e maturës llogariten në masën 40%, ndërsa ato të konkursit të pranimit në masën 60%. Datat e konkursit për dy degët do të jenë nga data 2 deri më 4 shtator. Këtë vit për herë të parë Arkitektura do të funksionojë si fakultet më vete, dhe jo si degë e Fakultetit të Inxhinierisë. Në Universitetin e Arteve të Tiranës dhe Akademinë e Arteve në Shkodër, rezultatet e shkollës së mesme llogariten në masën 30%, ndërsa ato të konkursit në masën 70%. Pikët maksimale që mund të fitojë një kandidat që konkurron në një nga programet e studimit të UART janë 240. Kandidati i cili nuk arrin të fitojë të paktën 60 pikë në programet e studimit në të cilat konkurron, nuk fiton të drejtën e studimit. Konkurset e pranimit për kandidatët që konkurrojnë për pranim në Akademinë e Arteve Shkodër do të zhvillohen në përputhje me rregulloret dhe programet e konkurseve të përcaktuara nga Fakulteti i Muzikës dhe Fakulteti i Arteve të Bukura në UART. Datat e konkurseve të pranimit për llogari të Akademisë së Arteve Shkodër, janë nga data 2 shtator deri në datën 6 shator 2013. Tarifa e regjistrimit për kandidatët që konkurrojnë për pranim në Akademinë e Arteve Shkodër, paguhet në favor të Universitetit të Arteve Tiranë. Konkursi do të bëhet në Tiranë. Kandidati që nuk kalon pragun e pikëve minimale të konkursit të pranimit në programin ku ka konkurruar, nuk fiton të drejtën e studimit. Në Universitetin e Sporteve rezultatet e shkollës së mesme llogariten në masën 50%, ndërsa ato të konkursit në masën 50%.

box

Regjistrimi bëhet nga datat 16-27 gusht 2013. Datat dhe tarifat e regjistrimit për të gjitha degët

Universiteti i Arteve, Tiranë

1.Fakulteti i Muzikës 2-6 shtator 2013

2.Fakulteti i Artit Skenik 2-6 shtator 2013

3.Fakulteti i Arteve Figurative 2-6 shtator 2013

Tarifa e regjistrimit në konkurs 5 mijë lekë

Akademia e Arteve, Shkodër

1.Fakulteti i muzikës 2-6 shtator 2013

2.Fakulteti i Arteve figurative 2-6 shtator 2013

Tarifa e regjistrimit në konkurs 5 mijë lekë

Konkurrimi për kandidatët e akademisë në Shkodër do bëhet në bashkëpunim me Universitetin e Arteve në Tiranë, në ambientet e këtij universiteti.

Universiteti Politeknik i Tiranës

1.Arkitekturë 2-4 shtator 2013

2.Arkitetkurë(Urbanist) 2-4 shtator 2013

Tarifa e regjistirmit në konkurs 8 mijë lekë

Universiteti i Sporteve të Tiranës

1.Shkencat e Lëvizjes 2-4 shtator 2013

2.Fushat e Veprimtarisë fizike të shëndetit dhe rekreacionit 2-4 shtator 2013

Tarifa e regjistrimit në konkurs 5 mijë lekë

Universiteti i Shkodrës

1.Edukim Fizik dhe sporte 2-4 shtator 2013

Tarifa e regjistrimit në konkurs 5 mijë lekë

Universiteti i Elbasanit

1.Edukim Fizik dhe Sporte 2-4 shtator 2013

Tarifa e regjistrimit në konkurs 4 mijë lekë

Universiteti i Durrësit (FASTIP)

1.Menaxhimi i Bankave 2-4 shtator 2013

2.Menaxhim Hoteleri-Turizëm 2-4 2013

3.Menaxhim i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme 2-4 shtator 2013

4.Multimedia dhe Teknologji Informacioni 2-4 shtator 2013

Tarifa e regjistrimit në konkurs 5 mijë lekë