Si do të shpallen fituesit e Arkitekturës brenda 24 orëve pas konkursit

665
Sigal

INTERVISTA/Flet Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit Prof. Andrea Maliqari, për konkursin e Arkitekturës

Menjëherë pas mbylljes e fazës së konkursit do të fillojë puna për vlerësimin dhe për shpalljen e fituesve tek dega e Arkitekturës dhe Urbanistikës. Një lajm të tillë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit Prof. Andrea Maliqari. Sipas zotit Maliqari, pjesëmarrësit do të njihen me emrat fitues pas 24 katër orësh pas mbylljes së konkursit. Risia e këtij viti është që në këto degë do të pranohen më shumë studentë, kjo ka ardhur si pasojë e kërkesave në rritje për këto degë.

 -Zoti Maliqari, nga data 3-5 u zhvilluan konkurset për degën e Arkitekturës, si shkoi ky proces, a pati ndonjë vështirësi?

Mund të them që procesi ka ecur normalisht. Risia këtë vit është që ka një rritje të ndjeshme të kuotave të pranimit në degët që janë me konkurs. Nga 120 që kanë qenë vitin e kaluar, sivjet janë 220 kuota. 100 prej tyre janë në degën e Arkitekturës dhe 120 janë në degën e Urbanistikës. Ndërkohë që, konkurrojnë 294 konkurrentë. Raporti midis atyre që konkurrojnë dhe atyre që do të fitojnë është ndryshe nga vitet e kaluara.

 -Kur do të shpallen fituesit për degën e Arkitekturës dhe për degën e Urbanistikës?

-Ditën e djeshme është mbyllur konkurrimi dhe ditën e sotme fillon puna për shpalljen e fituesve. Ashtu dhe si vitet e tjera pas 24 orësh do të jenë gati për t’u publikuar emrat e fituesve. Meqenëse vlerësimi është elektronik e lehtëson pak punën kjo. Votimi elektronik ka 4 vjet që është aplikuar dhe ka rezultuar mjaft i suksesshëm.

 -Komisionet e vlerësimit nga sa vetë janë të përbërë?

-Komisioni ka një numër të konsiderueshëm vlerësuesish. Janë gati 30 vlerësues që vlerësojnë dhe do të shpallin fituesit. Janë tridhjetë vlerësues edhe për shkak se janë tre seanca vlerësimi.

 -Sa për qind ka nota mesatare dhe sa për qind ka konkursi?

-Unë po ju them atë që është thënë dhe është përcaktuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Nota mesatare do të ketë 40% dhe 60 për qind e ka matura shtetërore. Këtë vit do të bëhet një vlerësim i konkursit nga ana jonë, pastaj do të bëhet një renditje alfabetike dhe këto pikë do t’i shtohen pikëve të maturës shtetërore për të nxjerrë rezultatin përfundimtar. Rezultatin përfundimtar nuk e nxjerrim ne, por e nxjerr matura shtetërore që është autoriteti i cili merret me mbikëqyrjen e konkurseve për shkollën e lartë.

 -Sa do të jenë kuotat për vitin e ri akademik në inxhinierinë e Ndërtimit?

-Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit e fillon vitin e ri akademik me një ndërtesë të re të sapo përfunduar. Kjo ndërtesë i përmirëson ndjeshëm kushtet në të cilat zhvillohet mësimi. E bëj këtë parantezë për vetë faktin se me rritjen aq të madhe që ka pësuar Fakulteti i inxhinierisë së Ndërtimit, nga 850 studentë që ka pasur në vitin ‘94-‘95, tashmë numri i tyre ka shkuar në 4123, kjo do të thotë që janë rritur ndjeshëm kapacitetet.

 -Ky shtim i ambienteve a do të pasohet me rritje të stafit dhe rritje të numrit të studentëve?

-Shtimi me dyfish i kapaciteteve të ambienteve ka krijuar mundësinë që të rritet ndjeshëm numri i studentëve. Megjithatë propozimet tona në lidhje me kuotat kanë qenë gati të njëjta me ato të viteve të kaluara. Sigurisht që, përcaktimi i kuotave nuk është kompetencë e universiteteve, por është kompetencë e kryeministrit. Por ne mund të pranojmë edhe jashtë kuotave që kemi kërkuar, pasi kjo varet nga politika që ka shteti. Por rritja e kuotave pastaj edhe në kualitete. Ne duhet të marrim masa edhe për shtim të stafit akademik. Pra ne do të ruajmë kapacitetet që kemi, por do ti përgjigjemi edhe një shtese që mund të vijë nga rritja e numrit të studentëve. Unë kam dëgjuar një informacion që do të ketë një shtim të kuotave me 10%, por ne i referohemi atyre që kemi propozuar, por përsëri është shteti ai që përcakton numrin që do të jetë për vitin e ri akademik.

 -Çfarë risish do të sjellë viti i ri akademik për studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit?

-Ne vitin e kaluar kemi sjellë masterat profesional. Ajo që ne kemi arritur të bëjmë sivjet, është që ne jemi përpjekur të konsolidojmë marrëveshje dhe marrëdhënie bashkëpunimi me universitete të tjera. Sigurisht që zhvillimi cilësor i universitetit nuk mund të kuptohet pa një mbështetje dhe pa një bashkëpunim të universiteteve homologe. Ne kemi ndërtuar marrëveshje me universitete italiane, franceze dhe zvicerane, me të cilën do të konkretizojmë një marrëveshje bilaterale. Ndërkohë që, ne këtë shkollë kemi ndërtuar një dubël diplomë, ku dy studentët më të mirë të Masterit Shkencor, pasi mbarojnë vitin e parë, këtu përfundojnë dy vitet e tjera në Paris për të marrë një diplomë franceze dhe marrin dhe një diplomë shqiptare të masterit të shkencave.

 -Çfarë projektesh ka Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit për sistemin e Doktoraturës për vitin e ri akademik?

-Një tjetër element mjaft i rëndësishëm është dhe kualifikimi i stafit akademik, pra ndërtimi i një shkolle të doktoraturës. Ne kemi filluar vitin e kaluar me studimet e thelluara teorike dhe është risi, që për herë të parë kemi arritur që të ndërtojmë një shkollë me pjesëmarrjen e profesorëve të huaj të universiteteve të huaja partnere. Aktualisht, në shkollën e doktoraturës të Arkitekturës japin mësim rreth 12 profesorë francez dhe italianë, të cilët drejtojnë shkollën e doktoraturës. Ne në muajin tetor mbyllim fazën e studimeve të thelluara teorike me një konferencë dhe më pas hapin fazën e studimeve individuale për përgatitjen e disertacioneve. Më pas do vazhdojmë me shkollën e doktoraturës, për Hidroteknikën, Mjedisin etj.. Të cilat kanë filluar studimet dhe do të mbështeten dhe ato nga një pjesë e profesorëve të huaj, të cilët janë aq të domosdoshëm jo vetëm në formimin e pedagogëve tanë, por njëkohësisht për të nxitur dhe kërkimin tonë shkencor aq të munguar në universitetet tona.

 -Sa është numri i personave që janë në shkollën e doktoraturës?

-Ne i kemi të përcaktuara nga këshilli i ministrave kuotat për doktoraturën. Sipas vendimit të këshillit të ministrave në doktoraturë janë 12 kuota shqiptarëve dhe plus dy kuota janë nga trojet. Ne kemi tre shkolla doktorature dhe për secilën nga këto shkolla kemi 12 kuota plus dy kuota të trojeve. Sigurisht që, zhvillimi për herë të parë i studimeve të thelluara teorike, na bëri që ne ta rritim numrin, sepse për herë të parë ne arritëm që të ftojmë një grup profesorësh dhe muaji tetor do të jetë muaji i analizës të studimeve teorike për t’i dhënë një zgjidhje definitive dhe të mirëorganizuar shkollës së doktoraturës. Për ta transformuar më pas shkollën e Arkitekturës që ne kemi në një shkollë ndërkombëtare, për t’i dhënë mundësinë shkëmbimit të informacionit. Sivjet për herë të parë vjen një student francez për të plotësuar 30 kredite të një semestri në Masterin Shkencor të ndërtimit, duke përzgjedhur një seri lëndësh që atij i interesojnë.