Reagon ministrja Lindita Nikolla, për akuzat që iu bën me provimet e Maturës…

227

Aludimet politike për kopje dhe dalje testi të Maturës Shtetërore kanë sjellë reagimin e ministres së Arsimit. Gjatë turit të llogaridhënies në Tropojë, ministrja Lindita Nikolla deklaroi, se maturantët dhe prindërit e tyre nuk duhet të bien pre e materialeve të stisura që u serviren si të vërteta nga individë të caktuar politikë. Ajo kërkoi nga prindërit shqiptarë që të vërtetën ta kërkojnë dhe gjejnë tek fëmijët e tyre që janë pjesë e këtij procesi me rëndësi për të ardhmen dhe mos të dëgjojnë opozitën që ka si refren ‘babalizimin’ e çështjeve.

“Doja t’ju sqaroja të gjithëve ju prindërve shqiptarë që rrethoheni me shumë të pavërteta. Është një dëshirë vrastare do ta quaja unë për të përfituar dhe marrë politikisht zemërata të  prindërve dhe maturantëve shqiptarë duke stisur material të pavërteta. Ndaj doja t’ju thosha që nuk ka asgjë të vërtetë qoftë me fotografitë që u shfaqën në statusin e një deputeti. Mjafton që ju të pyesni fëmijët tuaja. Nuk është testi i Maturës Shtetërore, thjesht vizualisht, testi i Maturës Shtetërore është i lidhur në një tjetër formë, ajo është një gjë e sajuar, por kjo historia e ‘babalizimit’ të opozitës është kthyer në modë.”

Ministrja siguroi maturantët dhe prindërit e tyre se koha kur kopja dilte dhe shitej nga institucionet shtetërore ka marrë fund para 5 viteve ashtu siç ka perënduar edhe koha kur ministri, në varësi të provimit vendoste kufirin e kalimit për nxënësit sipas dëshirës. “Koha kur kopjoja dilte nga zyrat e Ministrisë së Arsimit apo nga zyrat e Agjencisë Kombëtare të Provimit ka ikur. Fatkeqësisht shoh sot ekraneve të televizionit pikërisht ata njerëz që ishin kthyer në mjeshtër të shitjes së kopjes pa filluar shpërndarja e tezave të provimit. Dhe e dyta, ka 5 vite që nuk ndodh më ajo që ndodhte 5 vite më parë. Korrigjoheshin provimet dhe vinin tek ministri dhe nga mideja politike e ministrit, që duhet domosdoshmërish që atë vit të kishim mbi 90% apo mbi 95 % kalueshmërinë, ulte dhe ngrinte kufirin e kalueshmërisë sipas dëshirës. Ka absurditet të tilla që në 1 vite të Maturës Shtetërore, kufiri i poshtëm nga ku fillon vlerësimi, fillonte nga 7% në lëndën tjetër, 8% dhe pastaj lëndën tjetër ndryshonte 10%, kjo gjë ka marrë fund. Kemi një proces të qartë që në fillim kush janë kriteret mbi bazën e të cilit bëhet vlerësimi duke ja hequr të drejtën ministrit që të vendosi në mendjen e tij në atë që është djersa, punë dhe mundi i gjithë maturantëve shqiptarë”. Gjatë këtij takimi me qytetarët e Tropojës, ministrja Lindita Nikolla u ndal edhe tek reformat e ndërmarra për mësuesinë, klasat kolektive dhe mësuesit ndihmës në sistem, të cilat po vijojnë gjatë 2018 e në vazhdim.