“Shi gurësh drejt banesave”, banorët e Dragobisë protestojnë pas shpërthimeve të kompanisë së HEC-eve

619
Sigal

Të shqetësuar pas një “shiu gurësh” që ranë drejt shtëpive të tyre mesditën e së dielës, banorët e Dragobisë kanë bllokuar dje rrugën kombëtare të Valbonës dhe kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve për të garantuar sigurinë e tyre përballë punimeve që po kryen nga një kompani për ndërtimin e një hidrocentrali në zonë. Mëngjesin e të hënës, banorë të Dragobisë bllokuan rrugën kombëtare të Valbonës në shenjë proteste pas dy shpërthimeve pasditen e djeshme të ardhura si pasojë e punimeve për ndërtimin e dy HEC-eve në zonë nga kompania Gener 2. Banorët thonë se në dy lagjet Metalliaj dhe Ismalaj shpërthimet kanë shkaktuar rënie të gurëve ndaj shtëpive atje, ndërsa ka pasur dhe shkëputje të energjisë elektrike. “Isha t’u punu tokën kur nigjova shpërthimet. Tani fëmitë tuten me dalë nga shpitë,” tregoi për BIRN një banor i zonës, i cili kërkoi të mos identifikohej. “Do ta bllokojmë rrugën derisa t’vij dikush t’na japi zgjidhje se ktu kemi dal për të drejtat tona,” shtoi ai. Aktivistja e Valbonës, Catherine Bohne i tha BIRN se në shtëpitë ku kishin rënë gurët, ato ishin të një madhësie që mund të dëmtonin seriozisht dikë. Ajo gjithashtu tha se banorët ishin detyruar të bllokonin rrugën, pasi policia i kishte liruar dy punëtorët e kompanisë të shoqëruar dje dhe se banorët nuk ndiheshin të sigurt. “Thonë se kompania do të na paguajë dëmet e shkaktuara shtëpive, po dëmin psikologjik te ne apo atë mjedisor te natyra kush e shlyen?,” tha Bohne. “Nuk mund të jetohet më kështu! Boll më me këto çrregullime dhe mosfunksionime të shtetit dhe këto gjyqe për shpifje të kompanisë!,” tha ajo, duke shtuar se të gjithë banorët janë ngritur në këmbë kundër HEC-eve. E kontaktuar nga BIRN kompania Gener 2 u shpreh se shpërthimet në tunelin e Dragobisë kanë qenë pjesë rutinë e punimeve dhe se për këtë janë bërë lajmërime zyrtare në Bashkinë e Tropojës dhe në polici. “Është detyrë e kësaj të parës të lajmërojë banorët për shpërthimet, ndërsa ne kemi marrë të gjitha masat për rrethimin e zonës,” tha zëdhënësja e kompanisë. “Kemi çuar një ekip specialistësh që në bashkëpunim me autoritetet do të vlerësojnë dëmin dhe nëse ka dëmtim të shtëpive, do të marrim masa,” përfundoi ajo. BIRN kontaktoi Bashkinë Tropojë, por nuk mori përgjigje deri në kohën e publikimit.Tre HEC-e janë aktualisht në ndërtim në Parkun Kombëtar të Valbonës. /BIRN/