Pse po diskriminohen pensionistët më të moshuar të Shqipërisë që kanë dalë në pension përpara vitit 1992?

769
Sigal

Leter në redaksi

Letra e dytë drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë

Zotit Edi RAMA

Zoti Kryeministër!

Sindikata e Pensionistëve dhe e të Papunëve të Bashkisë Mirditë, më 05.05.2018, u është drejtuar Ju me një letër, nëpërmjet të cilës e ngrinim zërin kundër diskriminimit që u ka bërë e po u bën Qeveria shqiptare pensionistëve më të moshuar të Shqipërisë, atyre që kanë dalë në pension përpara vitit 1992, të cilët, çuditërisht, nuk janë përfshirë në ligjin për indeksimin e pensioneve të atyre që kanë dalë në pension “përpara vitit 1996”.

Duam t`Ju rikujtojmë edhe një here, Zoti Kryeministër, se, përveç rritjes simbolike që është bërë për të gjitha kategoritë e pensionistëve në rrjedhën e viteve, në ligjin e mësipërm për indeksimin e pensioneve të lidhura “përpara vitit 1996”, nuk janë përfshirë pensionistët më të moshuar të Shqipërisë, ata që kanë dalë në pension përpara vitit 1992 që përbëjnë një pakicë në numrin e pensionistëve shqiptarë.

Nuk është e vështirë të mos kuptohet se përjashtimi nga ky ligj i indeksimit të pensioneve të lidhura përpara vitit 1992, është jo thjeshtë alogjik, por edhe një marrëzi juridike e, mbi të gjitha, diskriminim i hapur atyre që patën dalë në pension në vitet kur nuk ishte përmbysur shteti i diktaturës së proletariatit.

Se pyetja shtrohet: Pse diskriminohen pikërisht ata pensionistë që dolën në pension në vitet e socializmit? A mos vallë ata diskriminohen se punuan për ndërtimin e hekurudhave dhe të hidrocentraleve të para në Shqipëri?! Ja përse,

Zoti Kryeministër, ne prisnim një përgjigje nga Ju për korrigjimin e këtij ligji diskriminues ndaj një pakice pensionistësh.

Por ndodhi paradoksi dhe marrëzia e radhës: Kur prisnim përgjigjen Tuaj, më 15.05.2018, pa datë, pa firmë e pa vulë, nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, na erdhi një tip “përgjigje” për ankesën që ju kishim bërë Juve, që, si edhe më parë, nuk i jepte përgjigje ankesës sonë kundër diskriminimit që po vazhdon t`u bëhet pensionistëve më të moshuar të Shqipërisë, atyre që kanë dale në pension përpara vitit 1992.

Është kjo arsyeja, Zoti Kryeministër, që Sindikata e Pensionistëve dhe e të Papunëve të Bashkisë Mirditë e kërkon përgjigjen nga Ju dhe jo me letra pa përgjegjësi që dalin nga zyrat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, duke besuar se do t`i jepet fund diskriminimit të të atyre pensionistëve që kanë dalë në pension përpara vitit 1992, të cilët përbëjnë një pakicë pensionistësh që ka votuar e voton për të Majtën shqiptare e që nuk do ta rëndonte buxhetin e shtetit shqiptar!

Për Sindikatën e Pensionistëve

KRYETARI

Pal GEGA