Pazari i MAS me krerët sindikalistë, që vënë legalisht gjobën mbi mijëra arsimtarë

720
Sigal

“Skuthët” e sindikatave të arsimit Kaptelli e Dobrushi, përveç 360 milionë
lekëve kuota, u zhvatin mësuesve edhe 120 milionë lekë “gjobë” vjetore

 

Përparim HALILI

 

Gazeta Telegraf/ Është e mbushur plot me krime financiare “gropa e zezë” e aleancës
sindikale individuale SPASH-FSASH (Kaptelli-Dobrushi). Sot po publikojmë një
tjetër skandal të rëndë financiar, që lidhet me zhvatjen e pagave të mësuesve,
si vazhdim dhe thellim i krimit me kuotat sindikale, të cilat “çeta
Kaptelli”dhe “çeta Dobrushi” i mbledhin duke përdorur dhunën shtetërore të
kupolës së Ministrisë së Arsimit dhe si “kaçakët”, i ndajnë në pjesë të
barabarta mes tyre. Pas hapjes së letrave nëpër banka e në disa DAR, por edhe
sipas denoncimeve të shumta që po vazhdojnë të vijnë në redaksi nga mësuesit e
grabitur, konfirmohet shkresërisht edhe me letra të firmosura prej tyre prej
disa vitesh, se “skuthët” e sindikatave të arsimit Bajram Kruja e tashmë Nevrus
Kaptelli në krye të SPASH dhe Xhafer Dobrushi në krye të FSASH qysh prej vitit
1991 e deri sot në moshën 80 vjeçare, përveç 360 milionë lekëve kuota sindikale
që u zhvatin çdo vit mësuesve shqiptarë, u grabisin çdo vit nga paga edhe 120
milionë lekë “gjobë” në total, të shpikur prej tyre e të ekzekutuar prej
drejtuesve shtetërorë të arsimit. Po flasim me dokumente zyrtare! Pantonimisti
75 vjeçar Bajram Kruja dhe 80 vjeçari “Mere” Xhafer Dobrushi, njëri (ish) kryetar
i SPASH dhe tjetri kryetar i FSASH (siç paraqiten), në datën 5 Shkurt 2013 i
kanë dërguar një shkresë shabllone gjithë Drejtorive Rajonale të Arsimit në
Qarqe. Me këtë shkresë, dy krerët e SPASH dhe FSASH, pleqtë Bajram Kruja e Xhafer
Dobrushi, i kërkojnë 12 Drejtorive Rajonale të Arsimit në Qarqe (DAR), që të nisin
me urgjencë regjistrimin e çdo mësuesi në regjistra (listat sindikale) të shkollave,
sipas çdo shkolle që është në varësi të këtyre drejtorive. Kujtojmë, që sipas
listë-modelit “Tip” të regjistrimit të lëshuar nga Ministria e Arsimit (!!!), mësuesit
duhet të thirren si në “shtrungë” një e nga në zyrat e drejtorëve të shkollave
dhe sipas “udhëzimeve” të tyre, duhet të firmosin me “vullnet të lirë” mbi
tavolinat e drejtorëve dhe në prezencë të tyre, duke deklaruar me shkrim e me firmë,
se “…pranojnë të jenë në këto lista dhe të paguajnë taksën vjetore 400 lekë të
reja për llogari të sindikatës”. Këto firmosje bëhen kolektive, ndërsa milionat
që mblidhen çdo vit nga kjo taksë hajdutërore edhe më parë se viti 2013, kanë
shkuar në llogaritë e dy “bejlerëve” të sindikatave FSASH-SPASH, të komanduara
nga xhaxhot Xhafer Dobrushi e Bajram Kruja, ndërsa pas vitit 2013 nga Nevrus
Kaptelli e Xhafer Dobrushi. Kujtojmë që këta paraqiten në çdo aksion zhvatës që u bëjnë
mësuesve, paraqiten të lidhur së bashku në “aleancë sindikale” për mbledhjen
dhe ndarjen e kuotave 100 lekë të reja në muaj (aktualisht 360 milionë lekë në
vit), pas pazareve që dy “bimbashët” e SPASH e FSASH i bëjnë skutave e
restoranteve me disa” zuzarë” të korruptuar të Ministrisë së Arsimit, duke u
premtuar “paralizim” të lëvizjes sindikale. Këto, miliona ndahen mes njeri-tjetrit
në masën 50% me 50%, sipas listave të regjistrimit në drejtoritë e shkollave në
Zyrat Arsimore të rretheve dhe në Drejtoritë Arsimore të Qarqeve. Mirëpo në këtë
shkresë antiligjore të inskenuar dhe realizuar mes palëve “Sindikata Arsimi-Ministri
Arsimi-Drejtori Arsimi Qarku”, ka edhe një “marifet” tjetër tipik hajdutëri “tradicionale”
batakçinjsh sindikatash. Këta, përveç kuotave 360 milionë lekë në vit (100 lekë
të reja në muaj), po zhvatin mësuesit edhe me një “gjobë” vjetore pirate! Sipas
kësaj shkrese, firmosja prej mësuesve në listat e regjistrimit, çdo mësues
duhet paguajë edhe 400 lekë të reja në vit, “thelë mbi bisht” për të
babëziturit e këtyre dy sindikatave. Sipas kësaj shkrese të SPASH e FSASH, dërguar
në datën 5 Shkurt 2013, të 12 Drejtorive Rajonale (DAR) si ultimatum i mbështetur
me urdhrin e “ministre masterit” Lindita Nikolla, gjithë mësuesit anëtarë ose
jo anëtarë sindikate, duhet të “sqarohen, binden e këshillohen” nga drejtorët
arsimorë rajonalë, nga drejtorët e rretheve dhe nga drejtorët e shkollave, duke
u detyruar për t’u regjistruar sipas paktit (pazar marrëveshjes) së bërë prej këtyre
dy “garuzhde-sindikatave”. Shkresa (ultimatum) e datës 5 Shkurt 2013, drejtuar
Drejtorive Arsimore Rajonale prej dy xhaxhove të sindikatës Kruja e Dobrushi,
kujton drejtorët rajonalë, se mësuesit duhen regjistruar me urgjencë dhe pavarësisht
nëse regjistrohen ose jo, në pagën e muajit shkurt 2013 mësuesve të Shqipërisë
u duhet sekuestruar vlera 400 lekë të reja si “xhelep” për vitin 2013, duke u
arkëtuar 100% në llogari të këtyre sindikatave! Mjafton të kryesh një veprim
aritmetikor të klasës së 4-të fillore dhe del se sa milionë lekë u zhvaten çdo
vit mësuesve shqiptarë me këtë “gjobë”, llogaritur me 400 lekë të reja në vit për
çdo mësues! Që ky është një skandal i realizuar me një marifet mafiozësh, këtë
e provon shënimi në fund të ultimatumit të krerëve të SPASH e FSASH, ku thuhet:
“Ju lutemi, në transfertën e lekëve, të shënohet “Pagesë për Regjistrin e Mësuesve”.

 

Ja urdhri që zbulon pazaret MAS-Sindikata, për zhvatjen e
dhunshme të gjobës 120 milionë lekëve nga pagat e mësuesve

 

Po zbardhim sot, fakte skandaloze nga urdhri që “sqaron” dhe dikton modeli
“Tip”, i cili u serviret mësuesve si “udhëzues” i MAS, për plotësimin e listave
të regjistrimit të mësuesve si kriter punësimi, lëshuar prej kësaj ministrie,
si detyrim për Drejtoritë Arsimore Rajonale (DAR) dhe Zyrat Arsimore në Rrethe
(ZA), çuar në këto drejtori nga “postierët” e SPASH e FSASH, të cilët realisht
janë përfituesit e kuotave mujore sindikale dhe “gjobës” 400 lekë të reja në
vit, që i sekuestrohet me dhunë administrative çdo mësuesi në Shqipëri. Ky urdhër
është hartuar e hedhur në zbatim pas një pazari të bërë mes MAS dhe krerëve të
dy sindikatave Nevrus Kaptellit të SPASH e Xhafer Dobrushit të FSASH. Ja abuzimet:

1. Në një nga paragrafët e këtij urdhri, zbulohet qartë ky pazar, ku
Ministria e Arsimit deklaron kështu: “Sindikatat nuk angazhohen në këtë fazë të
procesit (regjistrimit të mësuesve), mbasi ato e kanë kryer detyrën e tyre si
partnerë social në nivel qendror, kur së bashku me punëdhënësin, Ministrinë e
Arsimit kanë përpunuar dhe miratuar standardet….”. A tregon pazar mes palëve
ministri-sindikatë, fakti që sindikatat kanë rënë dakord me ministrinë, që të
mos marrin pjesë në një proces regjistrimi mësuesish, ku ministria u zhvat me
dhunë mësuesve 400 lekë të reja taksë regjistrimi në miliona lekë çdo vit dhe
ua arkëton 100% sindikatave?! A nuk është ky urdhër, një skenar vjedhjeje me
paramendim e më dhunë shtetërore, për të shpërblyer financiarisht heshtjen e
SPASH e FSASH ndaj abuzimeve të shumta dhe skandaleve të MAS, në sektorin e
arsimit?!

 

2. Sipas urdhrit të MAS, në këtë regjistër detyrohen të firmosin “PO” të gjithë
mësuesit shqiptarë edhe nëse nuk janë anëtarë të asnjë sindikate, përcaktuar ky
detyrim në pikën nr. 1 të Urdhrit të ministrisë! Mirëpo, futja me detyrim në këtë
regjistër, i jep të drejtën Drejtorisë Arsimore të Qarkut (DAR), që të urdhërojë
edhe sekuestrimin në bankë të vlerës 400 lekë të reja “taksë vjetore”, nga paga
e çdo mësuesi. Në pikën 2 të këtij urdhri të MAS (pazari hajdutërie) pranohet që
drejtorët i DAR dhe të ZA, janë instruktuar paraprakisht nga krye-hajdutët e
MAS, që skenari ministror në shërbim të krerëve të SPASH e FSASH, të realizohet
me sukses e me detyrim dhe pa asnjë ndryshim, për të zhvatur 400 lekë të reja në
çdo vit prej çdo mësuesi, përveç kuotës mujore 100 lekë të reja për llogari të
këtyre sindikata “çetave”!

 

3. Skandali më i rëndë që provon falsitetin dhe mohimin e të drejtës së
mësuesve për t’u njohur me këtë urdhër dhe me përmbajtjen e marrëveshjes së bërë
midis MAS dhe SPASH e FSASH, kolektive, qëndron në paragrafin ku sanksionohen
detyrat e drejtorëve të shkollave, pranuar në pazar edhe prej dy xhambazëve
Kaptelli-Dobrushi të SPASH e FSASH, këtyre tradhtarëve të interesave social-ekonomike
të mësuesve. Ja çfarë thuhet në këtë urdhër të MAS: “Drejtori i Shkollës, mbas
udhëzimeve që merr nga drejtori i DAR dhe nga drejtori i ZA (drejtoria e
rrethit), mbledh kolektivin e mësuesve dhe u flet atyre në emër të punëdhënësit
qendror e vendor” (Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorisë Arsimore të Qarkut) për
përmbajtjen ligjore të kësaj kërkese për t’u regjistruar në “Fletën e
Regjistrit”, duke i ftuar ata, të nënshkruajnë pa debat komentet bëhen me gojë,
nga mësuesit nuk ka nevojë të lexohet as Marrëveshja (Ministri-Sindikatë) dhe
as përmbajtja e regjistrit (listës). Mjafton kaq, për të kuptuar se çfarë fiktiviteti
procesesh zhvillojnë sindikatat e ministria dhe çfarë dhune e hapur individuale
e kolektive ushtrohet ndaj mësuesve.

 

4. Ky skenar realizohet nëpërmjet drejtorëve të shkollave dhe drejtorive
arsimore të qarqeve e rretheve në emër të MAS dhe SPASH e FSASH dhe me
“bekimin” e tyre. Është një praktikë e rrezikshme më pasojë shkatërrimin e
lëvizjes sindikale shqiptare në arsim e kudo, duke i kërcënuar mësuesit dhe
punonjësit e çdo sektori shtetëror me vendin e punës dhe për pasojë, duke nënshtruar
anëtarësinë sindikale, të cilëve u krijojnë e vendosin në krye individë të
“klonuar”, të cilat shefi profesor Nevrus Kaptellit dhe avokatja e tij që kërcënon
gazetën “Telegraf” për të “mbyllur gojën” e di mirë se si “ngjizen” si
“ushqehen”, si përdoren e si hidhen tutje kur u mbetet vetëm “lëkura”!

Denonconi në “Telegraf”, çdo abuzim që bëhet prej uzurptaorëve të
sindikatave

 

Në vijim do të publikojmë skandale të tjera lidhur me shkeljen e nenit 181 të
Kodit të Punës, që përcakton mënyrën e mbledhjes së kuotave sindikale, do të
publikojmë biletat e udhëtimeve të bëra nga krerët e sindikatave dhe përbërjen
e delegacioneve” të këtyre sindikatave, falsitetin e pagesave të trajnimeve, të
shpërblimeve, të pagave që gjoja jep SPASH e FSASH, të blerjeve fiktive të
kancelarive dhe pajisjeve të zyrave, të blerjes së makinave dhe shpenzimeve për
mirëmbajtjen e tyre. Gazeta “Telegraf”, pas kontaktit me drejtorin e zyrës së
shërbimeve në Ujësjellësin e Tiranës zotin Marenglen Qato, dhe të 56 ujësjellësve
të rretheve, të zyrave juridike në OSHE dhe në bashkitë vendit, do të publikojë
skandalet me kuotat e sindikatave dhe donacionet e bëra prej tyre e prej
firmave private në emër të sindikalistëve, të cilat janë bërë orgji e luks
privat prej agallarëve të sindikatave! Në redaksi kanë ardhur shumë letra që
denoncojnë korrupsionin dhe batërdinë që bëhet me financat dhe të drejtat e
punonjësve prej dallkauk-hajdutëve dhe tramaxhinjve që kanë uzurpuar kupolat e
sindikatave dhe mirëpresim çdo rast abuzimi me punonjësit dhe pasuritë e
sindikatave, të cilat do t’i publikojmë të plota, për të nisur dhe vazhduar
kështu një proces të përbashkët publik për pastrimin e plehrave nga sindikata
dhe vendosjen në krye të tyre të vlerave, shërbim për të cilin ju vëmë në dispozicion,
adresën elektronike të gazetës “Telegraf”: [email protected]