Ministria Nikollaj mban sekret raportin “kontrolli specifik”, për shkollat e mesme në vend

2736
Sigal

Në shkollat e mesme me korrespondencë, janë “prodhuar” 11 mijë maturantë “fals” e fiktivë, sot 1784 prej tyre janë zyrtarë të lartë

 Ministria e Arsimit, mund të klasifikohet tashmë si “çerdhe” e prodhimit të skandaleve dhe kasafortë e fshehjes së tyre. Gazeta “Telegraf”, në vazhdim të zbardhjes së skandalit të emërimeve në administratën shtetërore me dëftesa mature e diploma universiteti false, zbuloi dje një skandal tjetër, që ka lidhje pikërisht me këtë problem. Prej 4 muajsh, ministrja e Arsimit, mësuese Lindita Nikollaj, po mban të fshehtë edhe prej Kryeministrit Edi Rama, një raport “kontrolli specifik”, të ushtruar gjatë vitit 2014 në gjithë shkollat e mesme të vendit, të cilat përveç sistemit mësimor me kohë të plotë, kishin si pjesë strukturore mësimore edhe sistemin “Part-Time”. Kujtojmë, që shkollat e mesme “Part-Time”, zëvendësuan ish-shkollat e mesme me korrespondencë, në të cilat nxënësit shkonin vetëm 3 herë në vit, në sezonet dhe datat e provimeve. Që prej vitit 2013, këto shkolla nuk ekzistojnë më, mbasi janë mbyllur me urdhër të ministres Nikolla. Po kështu, u mbyllën përfundimisht edhe 12 shkollat e mesme private “Part-Time” e ato me korrespondencë, të hapura në disa qytete të vendit, shkolla ku nxënësit shkonin formalisht në sistemin “Part-Time”, shkonin simbolikisht në sistemin me korrespondencë sa ia bënin “ciu” 3 herë në vit, ose 1 herë në 3 muaj, kur kishte provime. Këto shkolla, ishin një primitivizëm dhe turp i sistemit arsimor shqiptar. Por, nga këto shkolla kanë dalë mijëra e mijëra nxënës që nuk dinë të shkruajnë as emrin e tyre, që nuk dinë as derën e shkollës, që nuk kanë takuar kurrë mësuesit, që nuk dinë se sa lëndë kanë dhënë provim, por që kanë diploma mature me nota… të shkëlqyera. Me këto diploma gjimnazi, ata kanë shkuar në universitete dhe akademi shtetërore e private brenda dhe jashtë vendit. Afro 90 % e këtyre nxënësve, edhe në shkollat me korrespondencë e “Part-Time”, kanë shkuar direkt nga shkolla fillore, ose pa kryer më parë shkollën 8-vjeçare, rezultojnë me diploma false e fiktive. Këtë e konfirmon raporti përfundimtar i kontrollit të ushtruar nga Ministria e Arsimit, por që prej ministres Nikolla mbahet sekret, duke mos iu paraqitur as Kryeministrit e duke mos u çuar as në “tavolinën” e drejtësisë. Është fjala për “brumin” që kishin regjistrat e këtyre shkollave të mesme. Siç e thamë, në shtator 2014, u mbyllën shkollat e mesme private me sistem “Part-Time” “Talenti” në Durrës, “Migjeni” në Durrës, “3 Janari” në Durrës, “Iliria 1” në Elbasan, “Daka” në Lushnjë, “Nëna Mbretëreshë Geraldinë” në Mat, “Vitrinat” në Tiranë, “Eurovizion IS” në Tiranë, “Inkus netëork” në Tiranë, “Vëllezërit Frashëri” në Vlorë, “Sami Frashëri” në Kuçovë dhe shkolla “Arianiti” në Elbasan. Po kështu, u mbyllën shkolla të tilla edhe në sistemin shtetëror, të hapura pranë shkollave të mesme, konkretisht: në Yzberish, Kamëz, Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Memaliaj, Tepelenë, Gjirokastër, Korçë, Pogradec, Peshkopi, Kukës, Shkodër, Malësi e Madhe, Pukë, Lezhë, Mirditë, Vlorë, Fier, Berat, Kuçovë,  Përmet, Ballsh, etj.. Në çdo qytet e rreth, madje edhe në disa komuna kishte shkolla të tilla, ku njerëz me 8 klasë të rregullt ose të falsifikuar, ose ata që kishin lënë shkollën e mesme në vitin e parë, të dytë e të tretë, (edhe ata që kishin projekte për të vazhduar universitetin, ose për t’u bërë pjesë e administratës shtetërore), regjistroheshin dhe përfundonin shkollën e mesme e më pas të lartën, me nota të shkëlqyera dhe bëheshin drejtorë, shefa, zv/ministra, madje edhe diplomatë, deputetë e ministra. Kështu ka ndodhur me këto shkolla dhe këtë e ka zbuluar kontrolli i bërë nga Ministria e Arsimit në vitin 2014.

Çuditë e faktet skandaloze të raportit “sekret”

Konkretisht, rezulton një dukuri, që të çudit në lidhje me vendlindjen e nxënësve që kanë kryer shkollat e mesme shtetërore me sistem “Part-Time” dhe ato me korrespondencë. “Çudia” është kjo: Sipas raportit të kontrollit që mban në kasafortë ministrja Nikolla, rezultojnë 2107 të diplomuar “shkëlqyer” pa hyrë në Shqipëri as në ditët e shtuna e të diela të konsultimeve në studimet “Part-Time” dhe as në ditët e provimeve. Saktësisht, 11 mijë e 128 individë të diplomuar nga Tirana, Puka, Burreli, Bulqiza, Tropoja, Kukësi, Dibra, Kruja, Shkodra, rezultojnë të jenë diplomuar në gjimnazet e “natës” në Vlorë, Fier, Tepelenë, Ballsh, Gjirokastër, Berat, Korçë, Pogradec, Ersekë, Elbasan, Përmet… Ndërsa 4320 individë nga Korça, Gjirokastra, Vlora, Fieri, Tepelena, Ballshi, Berati, Pogradeci, Erseka, Elbasani, Përmeti rezultojnë të jenë diplomuar në gjimnazet e “natës” në Kukës, Dibër, Tiranë, Shkodër, Lezhë, Pukë, Kukës, Krujë, Malësi e Madhe, Has, Burrel, Bulqizë, Lezhë. Afro 45 % e veriorëve që janë diplomuar në shkollat e Jugut dhe afro 60% e jugorëve që janë diplomuar në shkollat e Veriut, rezultojnë me nota “shkëlqyer”. Një tjetër “çudi” që përmban raporti “sekret” është edhe fakti që në shkollat e mesme të Jugut rezulton se kanë përfunduar studimet saktësisht 479 shtetas kosovarë, 121 maqedonas, 523  grekë, 72 italianë, 93 turq… Ekipet e kontrollit, të hedhur në veprim në 12 qarqe dhe 36 qytete e 19 zona ku kishte shkolla të tilla “nate”, të gjendur përballë këtij realiteti dyshues, paralelisht me verifikimin e amzave dhe regjistrave të shkollave, për të zbuluar vërtetësinë e diplomimeve, kanë bërë edhe investigime së bashku me drejtoritë arsimore të qarqeve, me zyrat arsimore të rretheve dhe me ish-drejtorët dhe drejtorët aktualë të shkollave ku kishte plasur “peshku” i diplomimit “popullor” të nxënësve të Veriut në Jug dhe të Jugut në Veri, të “nxënësve” të Shqipërisë në Greqi dhe të “nxënësve” të Greqisë, Italisë, Turqisë, Maqedonisë e Kosovës në… Shqipëri! Nuk ka qenë një punë e lehtë, mbasi ata që kanë hedhur firma mbi provime e mbi dëftesa, nuk mund të pranonin fiktivitetin dhe falsitetin. Por ekipi i kontrollit, në bashkëveprim me Policinë e Shtetit, ka verifikuar prezencën e 3000 rasteve dhe ka zbuluar, se 2127 prej atyre që ishin diplomuar në këto shkolla “nate”, kishin nga 5-12 vjet pa hyrë në Shqipëri, duke përfshirë kohën e 5 viteve të studimeve që me regjistër, amëz e diplomë e lista notash, rezultonin e kishin qenë rregullisht në shkollë e provime!

Raporti sekret “Nikolla” vazhdon me tjetër fakt: Nga 23 mijë individë që kanë kryer studimet në këto shkolla “nate”, 15 mijë e 318 kanë vijuar studimet e larta në universitetet shtetërore me “konkurrim Mature Shtetërore” dhe me pagesë në universitetet private. Po përmendim një fakt: vetëm në konkursin për Shkollën e  Policisë në vitin 2014, kanë konkurruar 1245 nga këta lloj “maturantësh”. Sikur të mos mjaftonte “guximi” për të vijuar universitetet në Shqipëri, sipas raportit sekret “Nikolla”, rezulton se; 2394 prej tyre, sipas letrave të cikluara për miratim nëpër drejtoritë arsimore të rretheve, në Ministrinë e Arsimit e Ministrinë e Jashtme, kanë guxuar të regjistrohen edhe në universitete në Itali, Francë, Gjermani, SHBA, Angli, Maqedoni, Turqi, Serbi, Austri, Suedi, Holandë, Zvicër etj.. Ajo që shqetëson dhe përbën skandal të verifikuar është fakti, që në listat fiktive e false, të të diplomuarve “shkëlqyer” në shkollat e mesme me “korrespondencë”, rezultojnë edhe 1784 persona, të cilët aktualisht janë shefa, inspektorë e drejtorë të lartë në shërbimet publike dhe në administratën e lartë e të mesme shtetërore, të caktuar në ato poste pas “diplomimit” të tyre universitar brenda e jashtë Shqipërisë! Sipas burimeve tona të informacionit, shkaku që ministrja Nikollaj nuk po e publikon këtë raport skandaloz e shqetësues për sistemin arsimor shqiptar, ka lidhje me faktin, që brenda listave të “profesorëve e shkencëtarëve” me shkollë reale fillore, të diplomuar në gjimnaze nate “shkëlqyer” dhe me “master” në universitete piramida, gjenden edhe shumë emra individësh familjarë, të afërm, militantë e të zgjedhur të PS-së e PD-së, të cilët aktualisht janë në poste drejtorësh, shefash, deputetësh e pozicione të tjera shtetërore, madje edhe në krye të arsimit shqiptar në rrethe e qarqe, si dhe brenda kupolës drejtuese e “këshilluese” të ministrisë e ministres së Arsimit, të emëruar nga vetë ministrja Nikollaj…

  ———————————————————————-

Sipas raportit të kontrollit që mban në kasafortë ministrja Nikolla, rezultojnë 2107 të diplomuar “shkëlqyer” pa hyrë në Shqipëri as në ditët e shtuna e të diela të konsultimeve në studimet “Part-Time” dhe as në ditët e provimeve. Saktësisht, 11 mijë e 128 individë të diplomuar nga Tirana, Puka, Burreli, Bulqiza, Tropoja, Kukësi, Dibra, Kruja, Shkodra, rezultojnë të jenë diplomuar në gjimnazet e “natës” në Vlorë, Fier, Tepelenë, Ballsh, Gjirokastër, Berat, Korçë, Pogradec, Ersekë, Elbasan, Përmet…

 —————————————————-

Një tjetër “çudi” që përmban raporti “sekret” është edhe fakti që në shkollat e mesme të Jugut rezulton se kanë përfunduar studimet saktësisht 479 shtetas kosovarë, 121 maqedonas, 523  grekë, 72 italianë, 93 turq…

 ————————————————

Afro 45% e veriorëve që janë diplomuar në shkollat e Jugut dhe afro 60% e jugorëve që janë diplomuar në shkollat e Veriut, rezultojnë me nota “shkëlqyer” dhe brenda listave të këtyre “profesorëve e shkencëtarëve” me shkollë reale fillore, të diplomuar ne gjimnaze nate “shkëlqyer” dhe me “Master” në universitete piramida, gjenden edhe shumë emra individësh familjarë, të afërm, militantë e të zgjedhur të PS-së e PD-së, të cilët aktualisht kanë zënë poste drejtorësh, shefash e pozicione të tjera shtetërore

 ———————————————————

Përparim HALILI