Mimoza Kuqi: Nesër 51 255 maturantë testojnë dijet e tyre në provimin e detyruar të gjuhës së huaj

557
Sigal

Drejtorja e DAR Tiranë, Mimoza Demollari uron maturantët për provime

 Të dashur Maturantë! Matura shtetërore për të gjithë ne shënon kurorëzimin e të gjitha dijeve të akumuluara përgjatë gjithë viteve të shkollimit, por gjithashtu na mbush me përgjegjësi të plotë të gjithëve ne për realizimin sa më të suksesshëm të saj. Dëshiroj që ky hap të jete një fillim i mbarë drejt rrugës së studimeve tuaja dhe një të ardhme të begatë. Angazhimi, korrektësia dhe rigoroziteti i plotë do të jenë çelësi i suksesit. Uroj që emocioni, pasioni dhe përkushtimi ynë ta shndërrojë këtë sfide në një arritje të madhe për të gjithë ne së bashku. E gjithë skuadra jonë do të jetë përkrah jush në organizimin sa më te përkryer të këtij procesi. Shpërblimi i punës tuaj shumëvjeçare është suksesi jonë i madh. Ju uroj suksese ne provime!

 Testi i gjuhës së huaj/ Në provim edhe ngelësit. Struktura, përmbajtja e testit dhe mbikëqyrja e provimeve

 Nesër 51 255 maturantë do të testojnë dijet e tyre në provimin e detyruar të gjuhës së huaj, provimi i parë i Maturës Shtetërore 2014. Maturantët do ta zhvillojnë provimin e gjuhës së huaj pranë shkollave përkatëse. Ndryshe nga provimet e tjera të maturës, ky testim do të administrohet e vlerësohet nga drejtoritë dhe zyrat arsimore. Megjithatë, testi për katër gjuhët e huaja që janë caktuar për t’u dhënë si provime të detyrueshme, anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht, do të hartohet nga specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP). Po kështu, edhe vlerësimi i këtij provimi do të bëhet mbi bazën e skemës së vlerësimit dhe sistemit të pikëzimit të përgatitura nga AKP dhe të miratuara nga MAS. Pas përfundimit të provimit, AKP do të publikojë on-line skemën e vlerësimit, sistemin e pikëzimit dhe tabelën e hedhjes së rezultateve të provimit D3. Maturantët do të njihen me rezultatet e provimit të gjuhës së huaj me detyrim në datën 2 qershor.

Edhe pse gjuha e huaj do të jetë lëndë e detyruar në provimet e maturës 2014, pikët e saj nuk do përfshihen në llogaritjen e rezultatit final me të cilin maturanti do të garojë për të fituar një të drejtë studimi në universitetet publike të vendit për vitin e ardhshëm akademik. Maturantët do të testohen në sezonin e maturës në 5 lëndë të ndryshme, ku krahas dy lëndëve të detyruara në matematikë, gjuhë-shqipe dhe letërsi do të japin si provim të detyruar edhe gjuhën e huaj, si dhe dy lëndët e caktuara për provimet me zgjedhje.

Provimi i gjuhës së huaj, struktura

Ky provim ka për qëllim për të parë se cilat janë njohuritë e nxënësve mbi gjuhën e huaj dhe niveli i tij i vështirësisë do të jetë ai A2 dhe do të jetë i ndarë në tre seksione. Agjencia Kombëtare e Provimeve saktëson se në sesionin e parë maturantet do të testohen mbi leximin. Vetëm kjo pjesë do të jetë e përbërë nga 12 pyetje të cilat do të bazohen në një tekst, i cili mund të jetë një histori e shkurtër apo një e-mail mbi të cilin do të ndërtohen edhe pyetjet përkatëse. Kështu, maturantët duhet të përgjigjen për detaje të tekstit të dhënë, për specifikën e informacionit, apo edhe kuptimin e një fjale apo fraze nga teksti i dhënë. Më pas do të jetë sesioni i dytë, i cili do t’i kushtohet përdorimit të gjuhës, ose e thënë ndryshe gramatikës. Maturantët duhet t’i përgjigjen edhe këtu 12 pyetjeve të ndryshme. Ndërkohë që sesioni i tretë i testit do të jetë vetëm për shkrimin. Ky sesion është i përbërë vetëm nga një pyetje, ku maturantët duhet të shkruajnë një e-mail ose një histori të shkurtër, e cila duhet të përmbajë 75 deri në 100 fjalë. Kjo është pyetja edhe me vlerësimin më të madh të pikëve, pikërisht me 10 pikë, nga 50 që janë në total.

 Përmbajtja

 Hartuesit e tezës së provimit do të ndërtojnë pyetje të tilla për të kuptuar nëse maturantet janë në gjendje të kuptojnë fjali dhe shprehje, të cilat përdoren në fusha të ndryshme siç janë informacionet personale, familjare, punësimi, gjeografia e zonës etj. Po kështu një tjetër qëllim i këtij testimi është edhe pjesa e përshkrimit të situatave të ndryshme. Sa i përket pikëve, më shumë rëndësi i është dhënë shkrimit të tekstit nga vetë nxënësi. Po kështu në pjesën e parë të testimit maturantët mund të fitojnë 8 pikë, nëse i përgjigjen saktë se kush është përmbajtja e tekstit që i përket sesionit të leximit, apo informacionit që është përcjellë nëpërmjet tij. Ndërkohë pyetjet të cilat kanë të bëjnë me pjesët gramatikore kanë një vlerësim nga 3 deri në 5 pikë. Provimi i gjuhës së huaj këtë vit është një risi e Maturës Shtetërore. Maturantët do të testohen në datën 16 maj, por nota e marrë në këtë provim nuk do të ketë ndikim në rezultatin përfundimtar të tyre. Ndërkohë nga të dhënat paraprake rezulton se 97 % e maturantëve, anglishten e kanë renditur në një prej dy provimeve me zgjedhje.

 Në provim edhe ngelësit

Maturantët do të futen në provimin e parë të detyruar të maturës, gjuhë e huaj, pa pasur në dorë notat vjetore të vitit shkollor, ndërkohë që njohja ose jo e këtij provimi do të varet pikërisht nga rezultatet përfundimtare të gjimnazit. MAS nëpërmjet një shkrese u ka bërë të ditur DAR/ZA-ve se procesi mësimor për maturantët do të përfundojë më 23 maj dhe një ditë më pas, drejtoritë arsimore duhet të dorëzojnë në AKP emrat e maturantëve mbetës. “Viti shkollor për maturën të mbyllet në datën 23 maj 2014. Lista e nxënësve maturantë mbetës të dërgohet në AKP nga DAR/ZA-të brenda datës 24 maj 2014. Për provimin e detyruar gjuhë e huaj (D3), nota përfundimtare vjetore në lëndën e gjuhës së huaj për maturantët të nxirret brenda datës 15 maj. Provimi i detyruar i gjuhës së huaj (D3) do të zhvillohet në datën 16 maj 2014. Në provimin e detyruar së gjuhës së huaj (D3) të futen të gjithë maturantët e vitit mësimor 2013-2014 me kushtin që, nëse në përfundim të vitit mësimor do të rezultojnë mbetës klase, provimi nuk u njihet”, thuhet në shkresën dërguar DAR-ve.

 Mbikëqyrja e provimeve të maturës

 Provimet e maturës në të gjitha shkollat e vendit do të mbikëqyren nga 3500 administratorë, të cilët nuk do të jenë mësues që kanë njohje me maturantët. Krahas shtimit të numrit të administratorëve që do të kontrollojnë maturantët gjatë provimeve, do të ketë edhe një përforcim të masave kontrolluese në zonat që janë konsideruar si problematike përsa i përket kopjimeve gjatë viteve të mëparshme. Sipas të dhënave, në qytetet: Krujë, Laç, Kavajë, Librazhd, Peqin, Tropojë, Fier, Vlorë janë evidentuar rastet më të shumta të kopjeve në provimeve, çka ka bërë që maturantë me nivel të dobët të kapin rezultate të larta në maturë. Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se këtë vit në të gjitha qendrat ku do të zhvillohen provimet e maturës do të instalohen bllokuesit e valëve të telefonisë celulare. Ministria e Arsimit ka urdhëruar të gjitha drejtoritë arsimore që të verifikojnë për çdo provim efektivitetin e përdorimit të aparaturave bllokuese të valëve në çdo qendër provimi. Aktualisht, drejtoritë arsimore e kanë bërë përzgjedhjen e administratorëve të provimit, të cilët duhet të jenë të certifikuar dhe të mos jenë mësues të shkollës së maturantit dhe të lëndës së provimit. Sipas rregullave të vendosura, për çdo sallë me 15-20 maturantë do të caktohet një administrator provimi. Sivjet janë regjistruar për të marrë pjesë në provimet e maturës 51 255 maturantë, të cilët kanë plotësuar formularët A1 dhe AIZ. Krahasuar me një vit më parë janë rreth 10 mijë aplikantë më shumë, pjesa më e madhe e të cilëve duan të konkurrojnë edhe për garën e pranimeve në universitetet publike të vendit. Në këtë garë pritet të marrin pjesë edhe 6 mijë kandidatë të tjerë, të cilët e kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014.